Prapaskenat e arrestimit dhe gjyqit të Nexhmije Hoxhës

anazapta

Pse u arrestua Nexhmije Hoxha

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992 kishte kohë që kishte filluar. Madje për atë fushatë PD dhe forcat e tjera politike kishin menduar prej një viti. Gjithë veprimtaria e tyre politike ishte vënë tërësisht në funksion të kësaj date që pritej të shënonte ndryshimin e madh historik për fatet e Shqipërisë. Zgjedhjet e 31 marsit 1991, me një fitore të thellë (me mbi 2/3 e parlamentit) nga Partia e Punës (më vonë Partia Socialiste) ishin parë si një zgjidhje e përkohshme, jo afatgjatë.

Kur në ditët e para të dhjetorit 1991, Sali Berisha në emër të PD kërkoi me këmbëngulje arrestimin e Nexhmije Hoxhës, si kusht për ekzistencën e mëtejshme të Qeverisë së Stabilitetit (ku PD ishte në bashkëqeverisje), u pa se koalicioni aq e pat dhe se zgjedhjet e reja ishin në prag. Nexhmije Hoxha ishte vetëm preteksti. Sepse ajo u arrestua e, megjithatë, Qeveria e Stabilitetit ra.

Atëherë filloi realisht mësymja e PD-së drejt pushtetit, me një ritëm të paparë, e papërmbajtshme.

 

Enigma e arit dhe fantazma e Xhon Megout

Në fillim të vitit 1992 Partisë Demokratike iu shtua edhe një argument i ri për këtë çështje, një deklaratë e bujshme e një zvicerani me emrin Xhon Megou (John McGough). Këtë emër për herë të parë e kam dëgjuar nga kryetari i atëhershëm i PD, Sali Berisha, ndërsa mënyra se si u servir dhe u trajtua kjo çështje ishte mjaft intriguese…

Menjëherë pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, një nga çështjet që ka sensibilizuar vazhdimisht opinionin publik në vend ka qënë i ashtuquajturi problem i thesarit të shtetit ose Enigma e Arit. Sipas të dhënave  të shtypit të opozitës, del se sasi të mëdha të këtij thesari janë grabitur e shpërdoruar nga ish-udhëheqja e lartë dhe e korruptuar e Partisë së Punës dhe pushtetmbajtësit komunistë për afro gjysmë shekulli.

Fillimisht, në shtypin shqiptar ky problem u ngrit një vit më parë në faqet e gazetës së parë opozitare RD. Por, si atëherë Partia e Punës dhe më vonë Partia Socialiste, sa herë është ngritur ky problem, kanë sulmuar opozitën demokratike për shpifje dhe truke propagandistike. Megjithatë, presioni i opozitës bëri që në parlamentin e parë pluralist të ngrihej një komision i posaçëm për problemet e thesarit, i kryesuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Blerim Çela. Nga ky komision, si dhe në faqet e RD-së, janë publikuar sasira të ndryshme të thesarit të zhdukura në mënyrë enigmatike. Gjithashtu, është fakt se tashmë pothuajse gjithë ish-udhëheqja e lartë e Partisë së Punës ndodhet në ndjekje penale, ndërsa disa prej tyre, duke përfshirë edhe zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, si dhe ish-anëtarë të Byrosë Politike si Rita Marko, Manush Myftiu, Hekuran Isai e të tjerë, prej disa muajsh ndodhen të arrestuar nën akuzat për abuzime dhe përvetësime në përmasa të mëdha të pasurisë së popullit që thuhet se kapin miliona dollarë. Nga listat që janë bërë të njohura deri tani, akuzohen pothuajse pa përjashtim të gjitha familjet e ish-udhëheqësve komunistë, duke përfshirë edhe presidentin Alia dhe ish-kryeministrin Çarçani.

Ditët e fundit, problemi i thesarit sensibilizoi sërish më me forcë opinionin shqiptar, pas një deklarate në TV shqiptar të qytetarit zviceran Xhon Megou në datën 24 shkurt. Zoti Megou deklaroi për 10 tonë ar që kanë dalë nga Shqipëria me dy avionë  të posaçëm të ngritur nga aeroporti i Rinasit në muajt tetor – nëntor 1990 në drejtim të bankës Shtrasse të Zvicrës.

Sipas kësaj deklarate, del se një pjesë e këtij ari përbën kapitalin bazë të një banke shqiptaro-zvicerane në Tiranë.

Të nesërmen e kësaj deklarate Presidenti i Republikës, zoti Alia, nëpërmjet një njoftimi të posaçëm nga kabineti i tij, ngarkoi Prokurorin e Përgjithshëm për verifikimin e saktësisë së fakteve të deklaratës së qytetarit zviceran dhe kërkoi të vihen para përgjegjësisë penale personat e implikuar në këtë çështje. Më në fund, së treti, Presidenti urdhëroi që, nëse lajmi rezulton i rremë, të fillojë procesi penal ndaj autorit dhe atyre që organizuan përhapjen e këtij lajmi.

Pika e tretë e njoftimit nga kabineti i Presidentit është konsideruar nga sindikata e pavarur e RTV si shantazh ndaj qytetarit zviceran Xhon Megou, ndaj gazetarëve në përgjithësi, si dhe ndaj fjalës së lirë. Të këtij mendimi ishin dhe shumica e gazetarëve të gazetave qendrore të intervistuara nga TV posaçërisht për këtë çështje. Ata e morën në mbrojtje qytetarin zviceran nga sulmet që i bëhen. Bën përjashtim këtu Zëri i Popullit, që boton shkrime, pohime e deklarata të kryeministrit, ministrit të Financave, drejtorit të Bankës së Shtetit, drejtorit të Thesarit e simpatizantëve të Partisë Socialiste. Në faqet e Zërit të Popullit dënohet deklarata e Xhon Megout, ajo quhet “tollumbace, përrallë e kurdisur, manipulim politik për qëllime elektorale” etj.

Megjithatë, kryetari i komisionit parlamentar për çështjen e Thesarit, Blerim Çela, në një intervistë të tij, pasi mori në mbrojtje qytetarin zviceran, jo vetëm e quajti të drejtë deklaratën e bërë nga ai dhe plotësisht të mundshme nxjerrjen e 10 tonëve ar në fund të vitit 1990, por shtoi se kjo është vetëm një pjesë e vogël e thesarit të grabitur nga pushtetmbajtësit komunistë. Sipas specialistëve, thesari i grabitur çmohet në rreth 280 tonë ar…”.

 

Nexhmije Hoxha në gjyq

 Procesi penal për Nexhmije Hoxhën u hap në Tiranë më 8 janar 1993, në një ditë me diell, por të ftohtë. Hapja e këtij procesi pritej me interes të veçantë, për faktin se do të gjykohej një nga njerëzit më të rëndësishëm të gjysmëshekullit të fundit, bashkëshortja e Enver Hoxhës, e cila thuhej se kishte luajtur një rol të ndieshëm si kur ishte gjallë i shoqi, por në mënyrë të veçantë pas vdekjes së tij.

Për të shmangur ndonjë incident, policia kishte marrë masa të rrepta sigurimi, duke e bllokuar rrugën e Durrësit, ku ndodhej gjykata e Tiranës, si dhe duke e rrethuar godinën me policë të shumtë, të cilët nuk i linin qytetarët e zakonshëm për t’u afruar, ndërsa ftesat për ata që do ta ndiqnin gjyqin në sallë ishin ndarë prej disa ditësh. Gjatë ditëve të këtij gjyqi nuk u zhvillua asnjë proces tjetër, ndërsa mjediset brenda gjykatës ishin rregulluar e pastruar me nxitim, pasi gjyqi do të ndiqej nga shumë gazetarë të vendit dhe të huaj. Salla ku do të zhvillohej procesi ndodhej në katin e tretë dhe shikonte nga lindja, ajo ishte lyer enkas me gëlqere dhe, për herë të parë pas shumë kohësh mosfunksionimi, ishin vënë në punë kaloriferët si dhe në dritaret e saj u varën perde në disa korniza të stërpërdorura…

Në ditën e parë ndodhi një e papritur që i shtangu për një çast të gjithë të pranishmit: u rrëzua korniza e perdes së dritares pas shpinës së të pandehurve dhe, për pak sa nuk ra mbi kokën e Nexhmije Hoxhës, po të mos qe penguar nga altoparlanti i madh që ishte vendosur në cepin e dritares.

Të pranishmit në sallë nuk mundën ta përmbanin një pasthirrmë uuuu?!

Nexhmije Hoxha nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Byrosë Politike, por, duke qenë bashkëshortja e Enver Hoxhës, ajo ishte një nga figurat më autoritare të shtetit. Ndërsa postet zyrtare të saj, në dukje kanë qenë të dorës së dytë, si: anëtare e Komitetit Qendror të PPSH, deputete e Kuvendit Popullor dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste – Leniniste. Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës u zgjodh (në vend të të shoqit) kryetare e Frontit Demokratik.

71 vjeçarja N.Hoxha kishte zgjedhur për avokat të saj në këtë proces Dhimitër Beshirin, i cili ishte bërë i njohur si avokat i njerit prej të pandehurve në gjyqin e Shkodrës për ngjarjet e 2 Prillit. N. Hoxha do të ulej në bangën e të akuzuarve së bashku me ish-drejtorin e Drejtorisë së Pritjes, 38-vjeçarin K. Buxheli, i cili e mbante këtë detyrë që prej vitit 1986.

Hoxha dhe Buxheli akuzoheshin për veprën penale të vjedhjes në përpjestime të mëdha të pasurisë shtetërore si dhe për shpërdorim të detyrës për periudhën 1986-1990.

Do dalë floriri, besonte shumëkush. Erdhi koha…

 

 Dita e parë e procesit

Disa qindra qytetarë të Tiranës të grumbulluar para gjykatës së rrethit përcollën me indiferentizëm momentin prej disa sekondash kur Nexhmije Hoxha, e veshur në të zeza dhe e mirëmbajtur, hyri në këtë gjykatë sot në mëngjes për t’u ulur në bangën e të akuzuarve si e pandehur.

Gjyqi u hap në një nga sallat e vogla të gjykatës sikurse ishte lajmëruar, në orën 9, në prani të gazetarëve të vendit dhe të huaj si dhe të disa të ftuarve, midis të cilëve ndodheshin edhe dy djemtë e Nexhmije Hoxhës…

Prokurori Teodor Mosko tha se familja Hoxha ka patur një trajtim të veçantë me privilegje të pakufizuara gjatë viteve 1986-1990, duke bërë një jetë përrallore me shpenzime të shumta nga pasuria e shtetit që kapin miliona, të pambështetura në akte ligjore e nënligjore. Llogaritet, tha ai, që familja Hoxha të ketë pritur e përcjellë mbi 12 mijë persona, për të cilët janë shtruar dreka dhe darka mjaft të shtrenjta, ndërkohë që niveli i jetesës së njerëzve të thjeshtë binte vazhdimisht drejt varfërisë ekstreme.

Prokurori foli për udhëtime të shumta të familjes Hoxha dhe të udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës jashtë shtetit në kryeqytetet të Europës e Botës, shpenzimet e të cilave i motivonte Drejtoria e Pritjes, duke i nxjerrë nga pasuria shtetërore. Ndërkaq, funksionarët e lartë të shtetit nuk paguanin qera për banesat, për dritat dhe ujin, si dhe kishin klinika speciale ku kuroheshin falas. Gjithashtu  në dispozicion të tyre ata kishin edhe 131 vila dhe shtëpi pushimi në rrethe të ndryshme të vendit, ku përsëri mobilimi dhe trajtimi bëhej falas për ta.

Ndër emrat që u lakua më shumë për vjedhje dhe abuzime të mëdha ishte dhe ai i ish-presidentit Alia, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej disa muajsh, si dhe ai i ish-kryeministrit Çarçani.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues M. Kushi lexoi dy vendime që kishin të bënin me ndalimin e transmetimit të drejtëpërdrejtë të gjyqit në RTV dhe me ndalimin që u bëhet gazetarëve për të interpretuar apo cituar dëshmitë e të pandehurve. Këtë ai e lidhi me mosndikimin në gjykimin e çështjes pa u hetuar ajo plotësisht.

Të pandehurit nuk e pranuan akuzën.

 

***

Dhimitër Beshiri: Unë, avokati i Nexhmijes

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga  Dhimitër Beshiri ka një kujtesë të freskët dhe kujton me detaje gjithë historinë e avokatisë që i bëri Nexhmije Hoxhës dhe historinë e gjyqit të saj. Në këtë rrëfim ekskluziv për gazetën ‘DITA’, ai tregon se si iu propozua të bënte këtë mbrojtje, vështirësinë për ta kryer këtë detyrë dhe se si e përballoi atë.

 

Zoti Beshiri, prej më shumë se njëzet vjetësh ju njiheni si njeriu që mbrojtët Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit Enver Hoxha në një periudhë të ndryshimit të sistemeve shoqërore dhe politike në Shqipëri. Ç’ishte për ju ai proces?

Fillimisht më lejoni të shpjegoj se ky prioces penal, shumë i bujshëm për kohën kur u zhvillua filloi më 21 korrik 1992 mbi bazën e materialit kallëzues të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, me akuzën e përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorimit të detyrës. Meqenëse, sikurse tashmë dihet nga të gjithë, përfundoi pa dinjitetin e kërkuar juridik e professional nga ata që e vunë në lëvizje, opinion mbarëkombatër dhe masmedia e disa vendeve me autoritet në botë, që u interesuan posaçërisht për të, e cilësuan atë “Gjyqi i kafeve”. Unë për këtë proces kam shkruar një libër të tërë me këtë titull, pra “Gjyqi i kafeve”, ku e analizoj procesin në shumëanshmerinë e tij. Rrëzimi i akuzave të përmasave të mëdha, sidomos kur ato u përkasin personaliteteve të larta shtetërore apo shoqërore, siç ishte rasti së vesë së Enver Hoxhës, paraqet interest ë veçantë juridiko-profesional. Ky process gjyqësor ka vlerën e vet, sidomos në drejtim të vlerësimit të provave të administruara nga akuza shtetërore dhe nxjerrjen e konkluzioneve veçanërisht për anën subjective të veprës penale.

 

Sali Berisha gjatë një mitingu të PD-së, në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992
Sali Berisha gjatë një mitingu të PD-së, në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992

Duke iu rikthyer atij procesi, është e pamundur të anashkalohet avokati. Prandaj dhe po e bëjmë këtë intervistë. Pra si u gjendët në mbrojtje të Nexhmije Hoxhës?

Jam gjendur krejtësisht rastësisht. Unë atëherë punoja në Kolegjin e avokatëve të Tiranës, që i kishte zyrat në katin e dytë të ndërtesës ngjitur me godinën e atëhershme të Gjykatës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Durrësit. Dua të kujtoj këtu se kishte pak më shumë se një vit që në Shqipëri ishte rivendosur institucioni i avokatisë dhe njerëzit po e ndjenin efektivitetin e punës së avokatëve në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të tyre, si në proceset penale ashtu dhe në ato civile. Në fund të vitit 1991 Ministria e Drejtësisë programoi kontrolle ndaj avokatëve. Zyra ku unë punoja bashkë me dy kolegë të mi mbante në derë numrin gjashtë. Pikërisht në atë zyrë, më datën 24 dhjetor 1991, rreth orës 9 e 20 minuta më erdhi kryetari degës së avokatëve në Ministrinë e Drejtësisë, i shoqëruar prej përgjegjë2ses sonë të asaj kohe. Pasi na përshëndetën, thanë se donin të bisedonin me mua. Mendova se do të më kontrollonin dokumentacionin e punëve që kasha përfunduar gjatë atij viti. I kërkova të falur një qytetari, që po më shpjegonte në ato caste pretendimin e tij për një çështje civile dhe nis atë nxjerr nga sirtari i tavolinës dokumentacionin përkatës. Port ë ardhurit më ndërprenë dhe më thanë se nuk kishin ardhur të bënin kontroll, por kërkonin që të merrja përsipër zgjidhjen e një problem shumë të rëndësishëm. Perfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, pa e zgjatur, hyri drejt e në temën e bisedës dhe më tha se duhet të merrja në mbrojtje pa tjetër të arrestuarën Nexhmije Hoxha…

 

Si reaguat ndaj kësaj kërkese apo propozimi?

Të them të drejtën, nuk e prisja një kërkesë të tillë zyrtare, sepse prej kohësh kasha deklaruar se për arsye të ndryshme, disa edhe thjesht personale, nuk pranoja të merrja në mbrojtje asnjërin prej ish-funksionarëve të lartë partiakë dhe shtetërorë. Ndaj dhe e pieta përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë: Pse duhet të jem unë dhe jo ndonjë avokat tjetër mbrojtës I kësaj të arrestuare me rrezikshmëri të theksuar shoqërore? Dhe përgjigja ishte: Disa avokatë nuk pranuan ta marrin përsipër këtë detyrë, ndërsa ai që e ndiqte çështjen, kur e pandehura ndiqej në gjendje të lirë, tashmë ka hequr dorë nga mbrojtja. E pandehura, mbështetur në të drejtat që i jep ligji, nuk pranon të përfundojë hetimet dhe çështja t’I dërgohet gjykatës për gjykim pa praninë e avokatit competent. Prandaj, po nuk pranove ti, theksoi bashkëbiseduesi, do të detyrohemi të marrim avokat nga jashtë shtetit…

 

Pse ishte aq e vështirë ta mbroje Nexhmijen në atë kohë?

Shiko, duhet të vendosemi afro 23 vite më përpara në kohë. Situata politike në atë kohë në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, ishte tepër e ndezur. Partitë politike “përlesheshin” me njëra-tjetrën. Figura e Enver Hoxhës së vdekur, por veçanërisht ajo e bashkëshortes së tij, Nexhmijes dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Hoxha ishin në qendër të vëmendjes së opinionit. Arrestimi i Nexhmijes qe kryer vetëm njëzet ditë më parë. Ngado qarkullonin fjalë se ajo akuzohej për përvetësime të pasurisë shtetërore në shuma kolosale, për fshehjen e floririt, për depozitime nëpër banka të ndryshme të botës, për korrupsion, shpërdorim të detyrës etj. Këto akuza në ngarkim të saj dëgjoheshin kudo, në rrugë, në kafene, në zyra. Ato mund t’i lexoje në shtypin e përditshëm dhe atë periodik. Ishin ditët më të çuditshme të periudhës së tranzicionit në Shqipërinë post-komuniste. Prandaj dhe të merrje përsipër mbrojtjen e kësaj të arrestuare në atë kohë, ishte më shumë se aventurë…

 

 Nesër do të lexoni:

Dëshmia e të pandehurës Nexhmije Hoxhës në ditën e dytë të gjyqit për akuzat

Rrëfimi të avokatit Beshiri: Takimi i parë me të pandehurën Hoxha në burg

Vendosja e embargos për shtypin në gjyqin e Nexhmijes dhe pse e theu VOA embargon

 

 

 

***************

 

Dhimitër Beshiri: Takimi i parë me Nexhmije Hoxhën në burg

Në vazhdim të intervistës së tij për gazetën ‘DITA’,  Dhimitër Beshiri rrëfen se si e pranoi ofertën për të qenë avokat i Nexhmije Hoxhës. Pyetjet që i bënë familjarët dhe argumentet e Beshirit. Mandej, takimi për herë të parë me Nexhmijen në mjediset e burgut të Tiranës…

 

E, megjithatë, ju pranuat të ishit avokati i Nexhmije Hoxhës?

Të them të drejtën, para se të vendosja, u ndodha para një dileme dhe një përgjegjësie shumë të madhe. Nga njëra anë, nuk kisha dëshirë që unë personalisht të mbroja në gjyq në mënyrë publike të venë e Enver Hoxhës, së cilës i adresoheshin akuza nga më të rëndat. Nga ana tjetër, e quaja një fyerje të madhe kombëtare sjelljen e një avokati të huaj për të mbrojtur një shqiptare, qoftë kjo dhe bashkëshortja e Enver Hoxhës. Megjithatë, duhej të vendosja brenda 20 minutash. Kjo kohë tepër e kufizuar, siç m’u tha aty, përcaktohej nga që në orën 11 të asaj dite, ministri i Drejtësisë do të paraqitej tek Presidenti i Republikës, të cilit, veç të tjerave, do t’i raportonte edhe për zgjidhjen përfundimtare të kërkesës së Nexhmije Hoxhës, që t’i caktohej avokat cilësor në mbyllje të hetimeve dhe gjatë procesit gjyqësor.

Pra, në këto rrethana ju u ‘thyet’ dhe pranuat se duhej të ishit në këtë detyrë?

Më në fund, u thashë se pranoja ta merrja në mbrojtje Nexhmije Hoxhën për hir të interesave kombëtare, për të treguar se Shqipëria kishte edhe avokatë të përgatitur profesionalisht, të aftë për të përballuar me sukses procese gjyqësore penale sado të komplikuara të ishin.

Po më tej, si rrodhën ngjarjet?

Atë ditë u ktheva në shtëpi për drekë më herët se zakonisht. Gruaja dhe dy djemtë e mi, njëri 21 dhe tjetri 18 vjeçar, sapo më panë vunë re se diçka duhej të kishte ndodhur. Pa pritur të më pyesnin, u tregova se çfarë kisha marrë përsipër dhe me qetësi prita reagimin…

Dhe cili ishte ky reagim?

Pas një heshtjeje të shkurtër, ata më bënë disa pyetje, thelbi i të cilave ishte: Nëse nëuk do të kisha pranuar kërkesën zyrtare që më ishte bërë, a ishte i detyruara shteti shqiptar t’i siguronte të arrestuarës Nexhmije Hoxha avokat mbrojtës nga jashtë shtetit? Dhe tjetra: A do të mund të përballoja si duhet aspektin profesional të mbrojtjes juridike të të arrestuarës, duke qenë i vetëm kundrejt një grupi të madh specialistësh, cilësisht të zgjedhur, që kishte angazhuar shteti për të argumentuar akuzat në të gjitha fazat e procesit penal?

Ju i bindët përfundimisht ata?

Po. U dhashë përgjigje me hollësi pyetjeve të tyre dhe shumë të tjerave që kishin të bënin me angazhimin tim në mbrojtje të Nexhmije Hoxhës. Më në fund mbeta i këna  qur që ata më mirëkuptuan në këtë angazhim që kisha marrë përsipër.

Si një jurist i njohur, ju mendoni se u zgjodhët rastësisht si avokat i Nexhmijes, apo si një njeri besnik i regjimit të shkuar?

Jo. Unë unë nuk e njihja nga afër Nexhmije Hoxhën. Mund të them se nuk kam      qernë i përkëdheluri apo i besuari i regjimit. Në vitin 1982, pas vetëvrasjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, një grup kuadrosh të hetuesisqë, bashkë me ta dhe unë, si i papërshtatshëm politikisht, me një listë të përpiluar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe të miratuar nga Presidenti i Republikës, u hoqëm nga Tirana. Si arsye u soll riorganizimi i organeve të Ministrisë së Brendshme, por në të vërtetë u bë vetëm spastrimi i hetuesisë. Mua më transferuan në Përmet, ku punova shtatë vjet larg familjes…

Të kthehemi te avokatia që i bëtë Nexhmije Hoxhës. Si rrodhën më tej ngjarjet?

Të nesërmen në mëngjes si zakonisht mbërrita në zyrë rreth orës 8. Në korridor më prisnin dy persona, të cilët i njihja prej vitesh, njëri prokurori dhe tjetri hetuesi i çështjes. Më thanë se qenë dërguar të më merrnin për të përfunduar hetimet në ngarkim të të pandehurës Nexhmije Hoxha, të cilën ata e hetonin prej gjashtë muajsh. Pranova të punonim së bashku atë ditë pas orës 10, sepse më duhej të zgjidhja disa probleme që kisha planifikuar më parë. U larguan të kënaqur sepse mezi prisnin të përfundonin detyrën që kishin marrë përsipër në atë çështje penale. Në orën e caktuar u ndodha para portës së hekurt të Burgut të Tiranës. Prokurori dhe hetuesi mbërritën së bashku, pak çste më pas. Si kaluam procedurat e njohura për t’u futur në mjediset e brendshme të burgut, të shoqëruar nga nënoficeri i rojes, më në fund qëndruam në zyrat e hetuesisë, në derën e së cilës shënohej numri 1. Këtë zyrë e njohja prej vitesh, sepse në disa raste, kur isha hetues kisha marrë në pyetje të pandehur. U befasova nga gjendja e saj tejet e rëndë. Ndërsa më parë qe e pajisur me orendi të kohës, që krijonin mjedis pune të pastër dhe me kulturë, tashmë gjithçka qe transformuar për keq.

Në këtë mjedis e takuat Nexhmijen?

Po. Mundëm të pastronim tavolinën dhe të zëvendësonim karriket me të tjera, më të përshtatshme. Ndonëse bënte shumë ftohtë dhe ndihej nevoja për ngrohje, në kushtet ekzistuese nuk mund të pretendoja më shumë. Prisnin të na sillnin të arrestuarën. Për herë të parë më jepej mundësia për ta patur aq pranë dhe për të biseduar me Nexhmije Hoxhën. Kohë më parë, kur kjo grua ndodhej në gjendje të lirë dhe në pushtet, e cila konsiderohej se  së bashku me Presidentin e Republikës udhëhiqte politikën shqiptare, shumëkush ëndërronte një takim dhe një bisedë me të. Ndërsa tani gjërat kishin ndryshuar. Gjithçka në jetën politike shqiptare ishte përmbysur. Asaj i duhej të jepte shpjegime dhe të mbrohej përpara organeve të drejtësisë që e akuzonin për vepra penale. Në këto rrethana, askush nuk pranonte t’i afrohej, pa le më ta merrte në mbrojtje publike. Edhe pse ndodhej e arrestuar prej tri javësh, çka mund t’i kishte sjellë çoroditje dhe dobësim të aftësive intelektuale, mendoja se falë edukatës dhe kulturës së saj, nuk do ta kishte të vështirë të më kuptonte drejt, se në zbatim të ligjit për avokatinë të asaj kohe, do ta ndihmoja të realizonte mbrojtjen juridike cilësore, të cilën ajo e kërkonte me insistim.

Dhe si e kujtoni përballjen e parë me Nexhmije Hoxhën?

E para u fut në zyrë gardiania, një grua e shëndoshë e veshur me uniformën e policisë. Pas saj erdhi me hap të ngadalshëm Nexhmija dhe në fund tek pragu i derës u duk polici i shërbimit. Gardiania në një dialekt verior pyeti prokurorin dhe hetuesin se sa do ta mbanin afërsisht të pandehurën në zyrë, sepse i duhej të largohej për pak kohë…

 

 

Dëshmija e Nexhmije Hoxhës

Nga dita e dytë

Në mbrëmjen e ditës së parë të gjyqit ndaj të pandehurve N. Hoxha dhe K. Buxheli, Radioja dhe TV shqiptar bënë të ditur se prokuroria e rrethit të Tiranës, në kuadrin e hetimit të çështjes për funksionarët e lartë të Partisë dhe shtetit komunist, arrestoi Aranit Çelën, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për shumë vite me radhë. Mendohet se zoti Çela ka qenë një nga ekzekutorët kryesorë të luftës së klasave dhe se mbi të rëndojnë krime të rënda.

Seanca e ditës së dytë të gjyqit u çel me dëshminë e të pandehurës Nexhmije Hoxha.

E pandehura protestoi në fillim për prangat që i ishin vënë atë mëngjes për ta sjellë në sallën e gjyqit. Në mbrojtjen e saj ajo tha se nuk i pranonte akuzat që i bëheshin në këtë gjyq…

Nexhmije Hoxha tha se, ndonëse ky gjyq merret me aspekte ekonomike, është një gjyq politik dhe akuzoi për këtë forcat politike në pushtet që, me qëllim duan ta diskreditojnë atë si gruaja e Enver Hoxhës, personalitetit kryesor që udhëhoqi Shqipërinë për gjysmë shekulli me radhë. E pandehura Hoxha edhe arrestimin e saj e quajti për motive politike. Ajo insistoi se për trajtimin e familjes Hoxha ka patur vendim te veçantë, për të cilin ajo tha se duhet të mbajnë përgjegjësi Ramiz Alia dhe Adil Çarçani. Por, ndërkaq, ajo tha se privilegjet pas vitit 1985 i ka merituar, si militante e vjetër dhe si kryetare e Frontit Demokratik, funksion që për dekada me radhë e ka kryer Enver Hoxha.

Në fjalën e saj e pandehura tha se gjatë gjithë kohës në pushtet ka qenë një grua e urtë dhe e mirësjellur, aspak arrogante me vartësit dhe njerëzit e thjeshtë. Në mbyllje, ajo shtoi se ishte krejt e qetë për çka do të vendosë gjyqi dhe theksoi edhe njëherë se ishte e pafajshme …

Më pas prokurori i hodhi poshtë pretendimet e të pandehurës. Ai tha se e pandehura Hoxha u përpoq që gjyqit t’i japë karakter politik, duke iu shmangur thelbit të çështjes. Ai i quajti të pathemelta argumentet e të pandehurës.

Prokurori Mosko theksoi se akuza nuk ka karakter politik. Ajo bën fjalë vetëm për një pjesë të korrupsionit me përmasa të mëdha që ka ndodhur gjatë viteve të sundimit komunist. Gjurmët e këtij korrupsioni shtrihen në thellësi të 45 vjetëve të sundimit të diktaturës komuniste dhe shtoi se për të duhet të përgjigjet e pandehura Nexhmije Hoxha dhe të tjerët që akuzohen për këtë çështje …

Ndërkaq, vëzhguesit venë re qetësinë e të pandehurve gjatë këtij procesi gjyqësor dhe këtë e lidhin me gjykimin që u bëhet atyre për korrupsion ekonomik dhe vetëm për 4 – 5 vitet e fundit të veprimtarisë së tyre, ndërkohë që thuhet se vepra penale e tyre është shumë më e gjatë dhe më e thellë. Në mënyrë të veçantë, thonë ata, po lihen mënjanë krimet politike të diktaturës komuniste…

 

Akuza: Nexhmije Hoxha të dënohet për 8116 kafe!

Gjyqi i Nexhmije Hoxhës hyri menjëherë në fjalorin e përditshëm politik dhe publicistik si gjyqi i kafeve, duke shprehur në mënyrën më cinike farsitetin e proceseve që u bënë gjatë kësaj periudhe për ish-udhëheqësit e lartë komunistë.

Për Nexhmije Hoxhën, për shembull, nga pala akuzuese u tha se në bazë të dokumenteve që ishin ruajtur rigorozisht nga Drejtoria e Pritjes, gjatë viteve 1986-1990 në familjen e saj ishin pirë 8116 kafe! Ndaj dhe për të u krijua përshtypja se i vetmi “mëkat” që kishte bërë ishte se, pas vdekjes së të shoqit, kishte pirë më tepër kafe nga ç’i takonte të pinte! Akuza për privilegjet ishte vërtetë qesharake, gjë që në të vërtetë i krijonte të pandehurës një privilegj dhe siguri për pozitën në të cilën ndodhej.

Nexhmije Hoxha në fillim dhe, më vonë Ramiz Alia dhe gjithë bllokmenët, sikurse thirreshin rëndom ish-anëtarët e Byrosë Politike, i kthyen gjyqet e tyre në tribuna për t’i bërë apologjinë sistemit në të cilin ata u ngjitën në zenith. Në sallën e gjyqit ata shpesh i ngrinin duart e prangosura lart, për t’i dhënë përshëndetjen dikujt në sallë, por që në fakt shumë mirë mund të merrej si një krenari që e kishin mbyllur karrierën e tyre politike në burg. Prangat ata i konsideronin dekorata. Kundërshtarët e tyre politikë, tashmë në pushtet, me burgosjen veçse ua kishin shpëtuar, për të mos thënë shtuar, nderin dhe lavdinë e nëpërkëmbur rëndshëm në vitet e fundit. Ata nuk e kishin për turp ta quanin veten komunistë të vendosur dhe se ndershmërisht kishin luftuar e punuar për të mirën e popullit. Koha, domedhënë historia, do të na japë të drejtë, linin të nënkuptonin ata.

Dhe për këtë dukej se shpresonin shumë…

Ditën e parë të procesit të Nexhmije Hoxhës unë i bëra të ditur zyrës në Uashington vendimin e trupit gjykues për të mos informuar për zhvillimin e këtij gjyqi, çka do të thoshte embargo për gazetarët. (Transmetimi i këtij procesi në RTV u bë vetëm pasi ai kishte mbaruar). Megjithatë, së bashku, vendosëm që të transmetoja çdo ditë nga seancat reportazhe thuajse të hollësishme. Me shaka i thashë Biberajt: Në rast se unë do të dënohem për këtë që po bëj, përgjegjësinë sigurisht do ta mbani ju?! Natyrisht, tha ai, ne do të vijmë menjëherë në Tiranë për të pasqyruar procesin e zotit Shehu. Qeshëm.

Transmetimi i kronikave në VOA nga procesi i N. Hoxhës ngjalli një interesim të veçantë dhe rriti dukshëm numrin e dëgjuesve. Këtë unë e vija re në mjaft reagime të përditshme nga njerëz të ndryshëm. Kurse anëtarët e trupit gjykues, me të cilët u miqësuam gjatë ditëve të gjyqit, nuk thonin gjë. Ata i dëgjonin rregullisht emisionet e Zërit të Amerikës. Në rregull, s’kemi asnjë vërejtje, thoshnin, ndërsa pinim nga një kafe në katin e parë të gjykatës në pushimet midis seancave.

 

Nga dita e tretë.

“Seancat e kësaj dite vazhduan me pyetjet e dëshmitarëve lidhur me çështjen për të cilën akuzohen të pandehurit…

…Vihet re një rënie e interesimit për seancat gjatë këtij gjyqi, që me sa duket do të vazhdojë më shumë nga parashikimet. Mendohet që listës së gjatë të dëshmitarëve, t’i shtohen dëshmitarë të tjerë… Disa nga dëshmitarët përshëndeten me përzemërsi me të pandehurit, me të cilët kanë patur lidhje pune dhe familjare. Në sallë i ndjek seancat si i ftuar vetëm djali i madh i të pandehurës Nexhmije Hoxha, ndërsa tjetri pret radhën si dëshmitar…”.

 

Nga dita e katërt.

“Midis 17 dëshmitarëve të sotëm ishte dhe Sokol Hoxha, djali i të pandehurës N. Hoxha…

Pas këtyre dëshmive, prokurori Mosko tha se në mënyrë që udhëheqja e lartë komuniste të gëzonte privilegje të pakufizuara, merreshin vendime të fshehta, me të cilat populli nuk është njohur kurrë. Duke folur figurativisht, ai tha se në vitet e muzgut të perëndive të diktaturës komuniste, janë bërë abuzime të mëdha, valuta dhe pasuria e popullit është përvetësuar dhe shpërdorur pa asnjë kriter.

…Një pjesë e të ftuarve të pranishëm në sallën e këtij procesi janë ish-të burgosur e të përndjekur politikë të regjimit komunist, disa nga të cilët shumë vite më parë kanë qenë të ulur pikërisht në atë bankë ku është ulur tani Nexhmije Hoxha si e pandehur. Megjithatë, ata kanë qenë korrektë dhe po ndjekin me gjakftohtësi seancat e këtij gjyqi”.

 

Nesër do të lexoni:

Dëshmia e ish-Presidentit Ramiz Alia në gjyqin e Nexhmije Hoxhës

Hekuran Isai akuzon Ramiz Alinë për rrëzimin e statujës së Hoxhës në 20 shkurt 1991

Për çfarë bisedoi avokati Dhimitër Beshiri me Nexhmijen në burg

Share This Article
12 Comments
  • Ne po na zien koka per 46 milion $ qe ka vjedhur Ardian Fullani ne banken e shqiperis,ju na nxjerrni kete burdello te shekullit.

  • GJYQI I NEXHMIJE HOXHES NJE NGA TRA-LA-LA-TE E SALI BERISHES

    Nexhmije Hoxha, kjo MERIMANGE E ZEZE, katile sadiste e pabese qe vrau dhe gjakftohesi prej xhelati te gjitha shoqet e veta dhe bashke me burrin e vet katil, pederast, pa shkolle dhe megaloman Enver Hoxha falimentoi ekonomine dhe renoi shtetin si kurre me pare ne historine e Shqypnise, pra kjo vrastare sot eshte gjalle dhe nuk eshte denuar nga drejtesia per krimet e saj monstruoze. Sa LEKA ka vjedhur familja Hoxha gjate 50 vjeteve te sundimit te tyre si nje familje ADAM’S FAMILY duke mbushur lumenj me gjak njeriu dhe duke e transformuar Vatanin si nje CIFLIG personal te familjes kriminale? Ne vend qe te gjendet ne burg per krimet kunder njerezimit Nexhmije Hoxha kerkon te drejtat e saj qytetare dhe del ne TV si gjeli maje plehut me gjithe pinjollet e saj te dhjamosur nga pasurite e grabitura dhe kercenon me gisht shqyptaret njesoj si ne kKohen e Qepes te Enver Hoxhes dhe nuk ka aspak ndermend te kerkoje falje dhe nuk jep asnje shenje pendese per krimet qe u ka bere shqyptareve dhe te huajve. Nga ana tjeter Shteti Demokratik shqyptar duhet ta pyese medoemos kete zonje kriminele:

    Ku kane shkuar te ardhurat nga eksportet shqyptare ne dhe te huaj per 50 vjet me radhe te cilat realizoheshin nga puna e deytyruar e popullates si skllever ne vendin e tyre? Nuk do te jete veshtiresi per Prokurorine qe te gjeje gjurmet ne ndonje banke ne Zvicer apo gjetke, apo vetem te pyese krushkun famoz te familjes Hoxha sigurimsin Luan Bregasi dhe menjehere do te gjendet pergjigja e ketyre pyetjeve qe akoma nuk kane marre pergjigje. Mbase edhe Bamka Topi do te mund te jape nje pergjigje adekuate per LEKAT e vjedhura te familjes Hoxha qe i kishte nuhatur nga larg kur beri krushqi me kete familje kriminelesh.

    Ne kete situate politika jone kombetare nuk ka pse te cuditet pse Guvernatori Fullani ka vjedhur me sekseret e tij ne Banken e Shtetit jo si ahmet Zogu i perndjekur nga fashistet, por ne kohe paqe dhe demokracie me qetesine e pushtit kusar miliarda LEKA nga rezervat e shtetit. S’ka pse te cuditet kush o milet budalla, sepse politika jone kombetare e mban Enver Hoxhen akoma si HERO te popullit dhe te punes socialiste dhe ministrat e Edi Rames dhe kryehajdutit Ilir Meta shkojne dhe bejne homazhe tek lapidaret komuniste me fotografine e Enver Hoxhes ne dore.

    MEDET!

    • NEXHI PASKA PIRE GATI 5 KAFE NE DITE,E TMERRESHME, ME CMIMET E ASAJ KOHE I TAKON NJE SHUME MARRAMENDESE GATI 25 LEK TE VJETRA NE DITE QE I BIE GATI 46 MIJE LEK TE VJETRA PER 5 VITE,SHUME E MADHE QE I KA KRIJUAR TE GJITHE ATE KATASTROFE KOMBIT..
      NJE SUGJERIM PER DREJTUESIT E GAZETES: KUR BOTONI ARTIKUJ TE TILLE MOS I PERZIENI ME ME CIKERRIMA SI ATO PAK PARA QE KANE HUMBUR GABIMISHT TEK BANKA E SHTETIT E TE TJERA TE KETIJ LLOJE SE PASTAJ DUHET QE TE KERKOJME FALJE PUBLIKE NEXHMIJES DHE ENVERIN TA DERGOJME NE VENDIN QE MERITON SI HEROI KOMBETAR I POPULLIT SHQIPTAR.

  • Historine e Shqiperise vazhdon ta luaje akoma po e njejta mafie qe ishte para 23 vjetesh. Mjafton te shohesh si riciklohen figurat ne shqiperi edhe pasi ndodh nje 97 dhe e kupton. “La famiglia” i ka garantuesit e moscenueshmerise se tyre ne cdo qeveri. Dhe politika e tyre eshte e qarte “qe te mos merren me ato qe bem neve le te behet me keq sec ishte”.
    Zoti i falte sa ne hak i kane hy ketij populli.

  • mos na luj menc edhe ti o nastradin! ” Ku shkoi eksporti”me te ardhurat e tij,me domate e kastraveca e puna e shqiptareve !!! Shqiperia ishte plot me uzina ,fabrika,oficina e ndermarje pa fund kudo e tani asnji fabrik per leter bythe nuk prodhon ma !Mir thot Emy ,kelyshet e tij dolen ma te poshter se figurat me te erta te ter historis shqiptare !A ka me te ndyr ,hajdut e kriminela se kta ??Pse ben sikur skupton se nga erdhen orientimet per gjygjin e Nexhmies ! Po ta thot me emer tjetri lart !Ata i mbeshtesin ,atyre ju duhen kta plehra se ata i vejn ne krye e sduan te din per delet ! Mjaft ma se u bere bajat me te vjetra e fol pak per te rejat e per kta qe kan uzurpuar shtetin qe nuk esht shtet por bordello!…..

    • Te ardhurat nga eksporti ishin ato qe kane mbetur deri me sot qe nga Koha e Qepes e Enver Hoxhes dhe qe mund te renditen per nga vlera si:

      – Kromi
      – Nafta
      – Energjia elektrike
      – Industria e lehte konjak, vere, konserva, tekstile etj
      – Bujqesia domate, tranguj, shalqi etj

      Shqypnia ishte dhe mbetet nje nga vendet me te pasura ne Bote per mineral kromi dhe gabon shume kur thua se te ardhurat nga ky mineral ishin palo gje. Po te shtojme ndihmat e jashtezakonshme qe morri enver Hoxha nga “Vellezerit e tij te perjetshem” te cileve u kishte shitur BYTHEN dhe Vatanin duhet te jesh shume naiv dhe i paditur qe te mendosh se eksporti shqyptar ne keto 50 vjete ka qene nje palo gje per nje vend te vogel si Shqypnia.

      Po te hedhim ne shifrat reale te GDP-se per fryme te popullates, qe eshte treguesi kryesor per perparimin ekonomik te cdo vendi do te bindemi se Shqypnia eshte ne vend numero qe nga Koha e Qepes e Enver Hoxhes dhe te gjitha “rritjet ekonomike” jane sajime per mashtrime elektorale nga komunistet shqyptare qe drejtojne Vatanin 25 vjet pas renies se Murit te Berlinit.

      Kjo eshte edhe FATKEQESIA e shqyptarev te paditur.

  • burgu i nexhmijes ishte nje komedi ;;;vjedhje apo kafe jane qesharake ;;;ajo duhej te denohej per krimet qe kane bere me burin e cmendur ;;per popullin qe e internoi per nje fjale goje qe e pushkatoi per nje fjale goje per keto gjera duhej gjukuar jo per gjera boshe qe e akuzuan ;;;;por kush do ta denonte berisha apo gjukata e enverit qe ishte e perbere me te gjthe femije kamunistash ;;; dhe berisha qe ishte nje spiun e nexhmijes dhe enverit ;;;;turp per komedine ;;;;turp qe u tallet me popullin

  • Ai gjyq ishte një gjyq qesharak dhe me akuza qesharake? Ne s’kemi çfarë të themi për procedurat qe ka ndjekur avokati beshiri !? Ai ka bërë ate punë qe duhej te bënte. Jam dakord ne pikën që gjyqi ishte politik jo ekonomik sikurse kërkuan të na i shisnin!? Enver Hoxhën e çmoj por dhe dobesite di t’ja them dhe që janë krejt të kundërta nga ato që i thonë ndersa, për ramiz alinë dhe nexhmijen mund te them se kanë qënë lojtarë të “pokerit te spiunëve” që me vonë u vunë në krye te vendit!? E kishte nisur pokerin menjeherë pas 85-ës ramiz alia apo ai që, e quaj rëndom dhe kurdoherë (për shumë arsye e prova) “njeriu pa biografi”??? E kishte shumë qejf që edhe te tjerët t’i gjente identikë me vehten e vet “hipokritë dhe pa biografi,pa gjenezë e identitet”? Tani i di miré arsyet pse bënte zgjedhje te tilla…? S’kemi ç’themi më o xhotë hekali ? Edhe ti mor qerrata “pa biografi” kërkòn të dukesh aq sa ke çoroditur dhe shoqet e kolegët e nderuar të redaksisë!? O milet? Ja u tregoj une kush është xhotë hekali? Eshtë një gazetar kalibri por ka një të keqe të madhe!? Më la duke e pritur mbrëmë dy orë te “bytha e ullirit”? E di qe eshte nip i trimit rrapo hekali por, ta dijë se,nuk kam për ta toleruar më??? Nderime gazetarit xhevdet shehu për sjelljen ne kujtesen tonë të asaj farse gjyqesore, shprehese autentike e karakterit servil e kameleonik të ca monstrave te tipit sali ndaj sistemit te ri politik ku hyri Shqipëria? Ky artikull na bën mirë për të bëre krahasimet ndermjet te ashtuquajturve hajdute te asaj kohe me hajdutet e pas 90-ës të cilët arrijnë jo “guiness-in” tokësor por atë galaktik…??? Tung!

  • Bravo o z.Zaimi ! kur flet me kemb ne tok, krijon dhe personalitet se rasti Shqiperi esht nje ktakomb me hyrje dalje misterioze e te panjohura !Kjo far e keqe ska te krahasuar e nuk i bihet fyelli te brim e vjeter E di, e morem vesh, nuk na mungon intelekti te bejm krahasime e te qenkemi shqiptar te paditur !Avash se kush e zgjidhi kte rebus shqiptar hajdutesh ,kriminelesh e tradhtaresh qe kan hyr ne sherbim te se keqes ndaj popullit ku u riten ! Minierat aty jan e pasurit aty jan e ku shkojn tani ? Cfar xhepash mbushen?Kujt po ja shesin badiava ? Kush ka pushtuar filetot e se ardhmes?Lere se nuk vazhdohet ky muhabet se ka shum plag ……..

  • Tomsojeri? Faleminderit! U jam mirënjohës per vleresimet. Gjithnje kam thëne e do te them te vërtetën? N.q.s e vërteta eshte komuniste une jam komunist,n.q.s e vërteta eshtë kapitaliste une jam kapitalist,n.q.s e vërteta eshte veriore une jam verior,n.q.s e verteta eshte jugore une jam jugor,n.q.s e vërteta eshtë prej kosove une jam kosovar,n.q.s e vërteta eshtë,.. kudo që te jetë atje jam dhe unë bashke me të? Të vërtetën kam mikun me te mirë. Edhe kur e kam pësuar nga ajo prape me te kam qendruar. Do ta besonit n.q.s do te me njihnit. Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *