Triumfi në Botëror i Brazilit vlen më shumë se çdo gjë, shumë më tepër se vendosja e Këpucës së Artë në vitrinë. Pa dyshim që Neymar është një nga yjet më rrezatues të kësaj Kupe Bote me 4 gola që mbajnë emrin e tij deri në këto momente, megjithatë suksesi individual për të renditet pas ëndrrës për ta parë Brazilin kampion për herë të gjashtë.
“Nuk dua të jem lojtari më i mirë apo kryegolashënuesi i këtij turneu. Gjithçka që dëshiroj është Kupa e Botës. Kam ëndërruar gjithmonë për të dhe pak rëndësi ka se si arrijmë deri aty. E dua këtë trofe më shumë se çdo gjë. Dua të jap ndihmën time për skuadrën, duke shpresuar se kjo ëndërr do të mbyllet me Brazilin kampion”, tha talenti.
Ndeshja me Kilin e çoi Selecaon shumë afër daljes nga Botërori, megjithatë në fund ishin brazilianët që festuan. Pas takimit Neymar u pa duke derdhur lot në krahët e Scolarit. Talenti i Barçës pohoi se pavarësisht shpërthimit emocional, ai nuk ndjeu asnjë lloj presioni gjatë takimit.
“Kam luajtur i qetë dhe pa frikë. Kur ndjen frikë, atëherë dëshira për të fituar të largohet. E dinim që do të luanim përballë një skuadre të madhe, por ne ishim të vendosur për të shkuar në çerekfinale”, theksoi sulmuesi.
Më tej Neymar ngriti në qiell me elozhe trajnerin e 5 herë kampionëve. Për Scolarin, sulmuesi brazilian deklaroi se ai është shumë i rëndësishëm për ekipin, të gjithë lojtarët e duan dhe me teknikun ekziston respekt reciprok brenda Selecaos.
