Nga Bibla

J L

Sikur të ligjëroja në gjithë gjuhët e botës,

Dhe gjuhën e zogjve dhe pemëve të dija,

Sikur të isha vetë Gjeniu i Epokës

Asgjë nuk më vlen kur më mungon dashuria,

 

Sikur me këmbë Universin ta shëtisja

Dhe të rrija në Fronin ku rri Perëndia,

Sikur dhe gjuhen e yjeve të flisja

Asgjë s’më vlen kur me mungon dashuria.

 

Sikur këmbëzbathur të ecja mbi zjarre

Dhe këmbët të mos ndienin hiç zjarrminë

Dhe kjo asgjë s’do më vlente fare

Asgjë s’do më vlente kur nuk kam dashurinë.

 

Sikur të pija gjith’ oqeanet dhe detet

Dhe sërish t’i krijoja nga fillimi

Dhe me dorë të ndaloja tërmetet,

Asgjë s’më vlen kur më mungon besimi.

 

Sikur të kisha fuqinë hyjnore

Sa edhe Himalajat t’i tresja si vesa,

Sikur i vetëm të dija gjith’ dituritë shekullore

Asgjë s’më vlen kur më mungon shpresa.

Sikur me një prekje t’i shëroja sëmundjet

Dhe sakatët t’i bëja të vraponin,

Sikur njerëz të gjallë sërish t’i ktheja mumjet,

Asgjë s’më vlen po të mos më donin.

 

Sikur të rroja dhe në jetë të jetëve,

E planetët si gogla t’i vërtisja në duar,

Sikur të isha profet i profetëve

Asgjë s’më vlen kur s’jam i dashuruar.

 

Sikur një çast të ngatërrohej Perëndia

Dhe të më dërgonte në tokë si birin Krisht,

Qoftë edhe Jezu, kur mungon dashuria,

Asgjë nuk me vlen sigurisht.

 

Këto janë shtyllat që mbajnë jetë:

Besimi, shpresa dhe dashuria,

Po dashuria tok me të vërtetën

Edhe më e madhja nga të tria.

 

Po dashuria tok me të vërtetën

Është gjithçka dhe mbi gjithçka:

Në shteg të thepisur e ka jetën

Ai që këto të trija nuk i ka.

Share This Article
2 Comments
  • Sa keq qe ste kuptojn o poet,dhe kur ste kuptojn mundohen te shkruajn,po ti mos u bezdis se jan shum qe dhe pse steshkruajn te kuptojn o poet i yne pac vec shendet e lumturi ne shpirt .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *