Nina Smirnova, historiania që tha të vërtetën për shqiptarët
Shaqir Vukaj
Në korrik 2001 u nda nga jeta historiania e shquar ruse Nina Smirnova.
Në ceremoninë e varrimit të saj, në fjalën time, ndërmjet të tjerave fola për kontributin e veçantë të N. Smirnovës për historinë e popullit tonë, ku theksova se ajo shkruante mbi bazën e fakteve e të vërtetës historike, pa mbajtur anën e askujt, pavarësisht se i binte ndesh kolegëve të vet apo politikës zyrtare. Aty hodha idenë e krijimit të një fondi të posaçëm me këtë trashëgimi, që ne shqiptarët, do të ishim të gatshëm ta merrnim e ta ruanim në arkivat tona. Kjo duket bëri efektin e vet, sepse mbas dy ditësh Akademia e Shkencave e Rusisë mori gjithë materialet e saj, dorëshkrime, artikuj të ndryshëm etj.
Ndërmjet materialeve të lëna në dorëshkrim ishte dhe “Historia e Shqipërisë në shekullin XX”, për hartimin e së cilës e kisha nxitur edhe unë N. Smirnovën dhe, së bashku me përfaqësuesin e Firmës Mabeteks në Moskë, i kishim premtuar mbështetje për botim. Pr.dr.A. Zadohin, shef i katedrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike të Moskës shkruan: “Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër proserb….”( A.G. Zadohin. A.J .Nizovski. Fuçia e barotit e Evropës. Luftërat ballkanike në shekullin XX. Moskë, 2000. fq. 385).
Dëshmia më e mirë e këtij pohimi është qëndrimi i Rusisë ndaj problemit të Kosovës, veçanërisht ato ditë të vështira të vitit 1999. Pikërisht në këtë periudhë, kur shumë politikanë, ushtarakë, përfaqësues të shkencave të ndryshme shoqërore e, veçanërisht të atyre historike, analistë e gazetarë, me qëndrimet e shkrimet e tyre, duke ecur në gjurmët tradicionale proserbe, kishin krijuar një psikozë të tillë, sa të ngrije zërin në mbrojtje të kërkesave të drejta të shqiptarëve, duhej guxim e kurajo e fortë qytetare, por edhe njohuri e kulturë e gjerë.
E, ndërmjet atyre intelektualëve rusë, që folën e shkruan realisht, u shqua Nina Smirnova, e cila doli para opinionit rus e atij ndërkombëtar në mbrojtje të shqiptarëve, në mbrojtje të të drejtave të tyre në Kosovë e më gjerë, në mbrojtje të së vërtetës.
Për të kisha dëgjuar shumë vite më parë, atëherë kur dy popujt e vendet tona, për arsye që tani duken absurde, ishin ndarë me një perde të hekurt. Pavarësisht se ç’flisnin e shkruanin propagandat zyrtare të të dy vendeve, ajo punonte e shkruante për shqiptarët, për historinë tonë. E, kryesorja, si një shkencëtare e vërtetë, duke u bazuar në fakte e dokumente, shkruante të vërtetën për ne, duke na mbrojtur me të gjitha mënyrat. Madje duke iu kundërvënë, shumë herë kolegëve e shokëve të saj të punës e jo, rrallë herë, politikës zyrtare të Moskës.
Për herë të parë jam takuar me të në vitin 1998, kur kam filluar punën në Ambasadën tonë në Moskë. Shumë shpejt pashë se tek kjo grua me shtat të vogël fshihej një karakter i fortë, një studiuese skrupuloze që nuk i bënte lëshime askujt, një analiste e thellë, një natyrë krenare, por tepër e drejtë.
Pak muaj para se të ndërronte jetë, në një letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës, midis tjerash, shkruante: “ Unë jam marrë me historinë e Shqipërisë gjate gjithë jetës sime shkencore, që në vitet 50-të. Këtë vit mbush 73 vjeç. Dhe sot, unë jam i vetmi historian “klasik” që merrem me këtë vend”.
Dhe kur merrej me historinë e Shqipërisë, ajo nuk e ndante Kosovën e viset e tjera shqiptare, “të shkëputura padrejtësisht nga trungu i vet”, siç e përsëriste shpesh ajo, nga kjo histori.
Veprimtaria e saj përfshin dhjetëra e dhjetëra artikuj, referate, intervista, broshura, monografi e deri vëllime të plota për historinë tonë.
Duke studiuar me kujdes veprimtarinë e saj, në periudhën 1990-2000, shihet se një vëmendje të posaçme ajo i ka kushtuar Kosovës dhe zhvillimeve atje. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Pikërisht në këtë periudhë, historiografia ruse sikur ishte rizgjuar dhe autorë të ndryshëm filluan të merren me këtë problem të “harruar”, duke shtuar shkrimet e tyre në raport me intensifikimin e ngjarjeve në Kosovë e ndërkombëtarizimin e këtij problemi, aq sa sot mund të flitet për një bibliotekë të tërë me referate, artikuj, studime, broshura, intervista e dhjetëra libra të tërë vetëm për Kosovën e problemet rreth saj. Dhe në këtë larmi shkrimesh me autorë historianë, politikanë, ushtarakë, diplomatë, analistë, gazetarë etj, me disa përjashtime, shihet qarte “qëndrimi tepër proserb i Rusisë ndaj çështjes shqiptare”.
Ishte Nina Smirnova, pothuajse e vetmja nga historianët rusë, që mori përsipër detyrën e vështirë, tepër të vështirë, që me fakte e dokumente, nga njëra anë t’i kundërvihej gjithë këtij vreri antishqiptar që, sa vinte e rritej e, nga ana tjetër, t’i bënte të qartë publikut të gjerë rus të vërtetën e asaj që po ndodhte në Kosovë dhe shumë të vërteta të tjera për ne si komb e për historinë tonë. Në mënyrë tepër të saktë ajo i bënte të qartë publikut të gjerë rus se këta autorë (autorët rusë – shënimi im) “praktikisht nuk marrin parasysh palën shqiptare, nuk marrin parasysh interesat dhe pikëpamjen e vetë popullsisë shqiptare të Kosovës (kosovarëve), mendimet e tyre për atë që po ndodh aty” (Libri – Kosova, Aspekte ndërkombëtare të krizës. Moskë, .1999. fq. 79).
Shumica e historianëve e politikanëve rusë, duke u mbështetur në tezat serbe, gjithmonë kanë shkruar e folur se “ Kosova është toke e shenjtë serbe”, se “ajo është djepi i serbizmit” se “ajo për serbët është si Jeruzalemi për çifutët” etj. etj. (Me gjëra të kësaj natyre jenë të mbushura libra, artikuj, referate, e deri citate politikanësh rusë, përfshi edhe ata më kryesorët).
Nina Smirnova në shume studime, artikuj e intervista i është kundërvënë haptazi këtyre pretendimeve serbe, të përsëritura me shumice në Rusi, duke shkruar se “Kosova për herë të parë ka hyrë në përbërje të Serbisë mbas Luftës Ballkanike 1912-1913” dhe se “Përcaktimi për Kosovën si krahinë serbe, e banuar kryesisht me shqiptarë, i përhapur gjerësisht në literaturën publike (ruse – shenimi im) më e pakta është i gabuar” (Po aty fq.116).
Në të gjithë veprimtarinë e vet shkencore, ajo nuk e shkëpuste luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi. Për të, ajo vazhdimisht ka qenë një e tërë, e pandarshme, pavarësisht se në ç’krahinë a në ç’periudhë bëhej. Duke dashur t’i kundërvihej disa kolegëve të vet dhe të shpjegonte shkaqet e vërteta për atë që po ndodhte në Kosovë në vitet 90-të, ajo shkruante se “ Shkaqet e konfliktit në Kosovë shkojnë thellë në shekuj dhe i kanë rrënjët në historinë e luftës së popullit shqiptar për pavarësi kundër pushtuesve të huaj”.
Literatura publike ruse është e mbushur me legjendat serbe për Betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389, ku gjithçka paraqitet si luftë midis serbëve dhe turqve. Dhe kjo është e kuptueshme, mbasi për ta ajo “është tokë e shenjtë serbe”. Nina Smirnova, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për historinë dhe autoktoninë e shqiptarëve në Kosovë, është marrë shumë herë me këtë temë, duke e trajtuar në shumë artikuj e studime. Në të gjitha këto materiale, ajo ka mbrojtur tezën se lufta a Fushë – Kosovës ka qenë një betejë e koalicionit ballkanik (serbë, shqiptarë, boshnjakë, bullgarë etj.) kundër turqve. Madje, duke u bazuar në fakte e dokumenta të nxjerra nga arkivat serbe, ajo shkruan se “ heroi i kësaj beteje, Millosh Kopiliqi, ai që vrau Sulltan Muratin, ka qenë shqiptar”. Është tepër interesant pohimi i saj, se “mbasi serbët ia mbathën nga fusha e betejës, shqiptarët luftuan deri në fund…”(Letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës. datë 24. 3. 2001).
Duke u bazuar në materiale të arkivave serbe (ku ajo ka punuar shumë herë), në vazhdim të tezës së luftërave të përbashkëta të serbëve dhe shqiptarëve kundër të njëjtit armik, disa herë ajo ka shkruar për pjesëmarrjen në to si aleate në luftërat midis Austrisë dhe Turqisë në vitin 1689-1690 dhe 1737-1739.
Kosovën ajo e cilëson si “Qendër të lëvizjes çlirimtare shqiptare” (Broshurë. Çështja shqiptare: Ku qëndron thelbi i saj. Moskë, 1998. fq. 38). Në këtë kuadër një rëndësi të posaçme i ka kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një lidhje mbarëshqiptare. Ajo ngrihet në mbrojtje të veprimtarisë së Lidhjes, duke e trajtuar disa herë në materialet e veta edhe për një arsye tjetër. Shumë autorë rusë të fushave të ndryshme, në shkrimet e kohëve të fundit kanë hedhur baltë mbi Lidhjen e Prizrenit, duke e cilësuar atë si një organizëm të krijuar nga Porta, si një lëvizje që kishte si qëllim t’i kundërvihej luftërave çlirimtare të popujve të Ballkanit etj. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për të argumentuar më mirë veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit, ajo në disa shkrime flet për kontributin e shkencëtares sovjetike I. Senkeviç, e cila, siç shkruan N. Smirnova, “është e para në historiografinë botërore që ka shkruar një monografi për Lidhjen e Prizrenit, të dokumentuar, kryesisht, mbi bazën e materialeve të arkivave ruse dhe austriake”.
Në këtë vazhdë, një vend të rëndësishëm ajo i ka kushtuar kryengritjeve shqiptare të vitit 1910-1912 në Kosovë, të cilën ajo e quan “Vatra e luftrave çlirimtare të popullit shqiptar”.
Disa herë në shkrimet e saj ajo ka pohuar në mënyrë të prerë e kategorike se “Pothuajse gjysma e tokave shqiptare u përfshinë në përbërje të Jugosllavisë… Çështja shqiptare përmblodhi të gjitha problemet e të ashtuquajturve popuj të ndarë” (Broshurë e përmendur më lart fq.38)
Prej kohësh në letrat ruse ka zënë vend teza se shqiptarët janë të ardhur në Kosovë, madje vonë. Shkruhen e thuhen lloj-lloj gjërash, sikur shqiptarët kanë ardhur aty nga Shqipëria në shek. XVII – XVIII, gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbas kësaj lufte. Madje ndonjë politikan arrin deri aty sa të thotë se ata i solli aty Tito, siç është rasti i kryetarit të Bashkisë së Moskës, J. Llushkov, i cili në artikullin e botuar në gazetën Izvestia të datës 24 mars 2001, ndërmjet tjerave shkruan “Krahina e Kosovës nuk u ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito, në kuadrin e planit të krijimit të Federatës Ballkanike”.
Në punimet e veta shkencore, N. Smirnova i ka kushtuar një vëmendje të posaçme problemeve demografike të Kosovës, duke vërtetuar me fakte e dokumente autoktoninë e shqiptarëve aty. Duke operuar në këtë temë, në shumë studime, ajo konkludon se shqiptarët në Kosovë janë autoktonë dhe se numri i tyre nuk është rritur nga dyndjet e tyre nga Shqipëria apo trevat e tjera shqiptare, por vetëm në sajë të ripërtëritjes së tyre.
Duke iu kundërvënë historiografisë serbe e shumë autorëve rusë, ajo është marrë gjate me politikën shkombëtarizuese të Beogradit, i cili, nga njëra anë, krahas shfarosjes dhe shpërnguljes masive të shqiptarëve, ndiqte aty një politikë tipike kolonizuese. Në shumë shkrime të N. Smirnovës flitet me shifra e fakte për ligjet kolonizuese të rajoneve jugore të Jugosllavisë (Kosovës) të viteve 1920 dhe 1931 të nxjerra nga Beogradi dhe për valët kolonizuese të viteve 1922-1929 dhe 1933-1938, mbi bazën e të cilave në Kosove u vendosën dhjetëra mijëra familje serbe e malazeze, duke u dhënë atyre mbi 120 mijë hektarë tokë të marra shqiptarëve me dhunë. Për të bërë sa më bindëse për lexuesin rus e më gjerë, veprimtarinë kolonizuese të Beogradit ajo shpesh herë i është referuar kryetarit të Komisionit Agrar Jugosllav, X. Kristiq, përgjegjës për kolonizimin e Kosovës, i cili “me kënaqësi vinte në dukje se në disa rajone të Veriut (të Kosovës), përbërja etnike ka ndryshuar dhe se tani kemi popullsi serbe edhe atje ku në vitin 1913 nuk ka patur asnjë serb” (Rrënjët historike të konfliktit kosovar, fq. 2).
Një vend të posaçëm në punimet e veta ajo i ka kushtuar shpërnguljes me dhunë e forma të tjera të shqiptarëve për në Turqi. Me fakte e shifra të nxjerra nga arkivat e Beogradit e të vendeve të tjera ka dokumentuar politikën e ndjekur nga Beogradi për serbizimin e Kosovës.
Ajo, e para në Rusi, ka demaskuar veprimtarinë e V. Çubrilloviçit e idetë antishqiptare e antinjerëzore të shprehura prej tij në Klubin e Beogradit në vitin 1938 në leksionin “Shpërngulja e shqiptarëve”. Ajo, shkruan se ky akademik që “u pranua në vitin 1976 anëtar i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjtik”, veprimtarinë e vet antishqiptare e ka vazhduar edhe më vonë dhe në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, V. Çubrilloviçi paraqiti një variant të ri, “për domosdoshmërinë e ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës”. Në nëntor të vitit .1944, shkruan N. Smirnova, V. Çubrilloviçi iu drejtua me një letër J.B. Titos, E. Kardelit dhe M. Gjilasit. Në të ai numëron të gjithë ata që duheshin përzënë nga teritoret që ishin të rëndësishme “nga pikëpamja strategjike” për Jugosllavinë. Mbasi përmend gjermanët dhe hungarezët, vëmendje të posaçme ai i kushton shqiptarëve. Ai, ndërmjet të tjerave, shkruante: “Kosova dhe Metohia ka zënë gjithmonë pozicione kyçe në Ballkan Të ndodhura në pjesën qendrore tq Ballkanit, këto rajone e ndajnë Malin e Zi nga Serbia dhe, të dyja, nga Maqedonia. Këto toka të Jugosllavisë Federative nuk kanë lidhje të sigurtë mes tyre, për deri sa të mos kenë një kufi të përbashkët etnik” (Konflikti në Kosovë, si pjesë e “çështjes shqiptare” fq. 85). Kjo do të thoshte që të gjithë shqiptarët duhej të përziheshin nga Kosova.
“Në Jugosllavinë e re – shkruan ajo – fituan idetë e Çubrilloviçit, që, në thelb, shprehnin domosdoshmërinë e ndryshimit të përbërjes etnike të popullsisë nëpërmjet deportimit dhe nxitjes së largimit të shqiptarëve për në Turqi… Megjithatë, të gjitha këto masa nuk dhanë rezultatin e dëshiruar : nga viti 1948 deri në vitet 90-të, në sajë të rritjes natyrale të popullsisë, ndodhi rritje e ngadalshme absolute dhe relative e numrit të popullsisë shqiptare në Kosovë… Sipas regjistrimit të vitit 1991, të cilin shqiptarët e bojkotuan, gjë që ul mjaft vërtetësinë e shifrave, shqiptarët përbënin mbi 82% të popullsisë, ndërsa serbët vetëm 10%”.
Shumë herë është folur e shkruar për largimin e serbëve nga Kosova “të detyruar nga dhuna e shqiptarëve”. Temë tepër e rrahur dhe e përsëritur në letrat ruse nga përfaqësues të fushave të ndryshme politike, ushtarake, historike etj. Mjafton një shembull. Studjuesja ruse M.Martinova, në librin “Kriza ballkanike. popujt dhe politika”, botuar në Moskë në vitin 1998, shkruan: “Faktor tepër i rëndësishëm i ndryshimit të raportit të përbërjes etnike në Kosovë ka qenë largimi i detyruar i serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Në periudhën 1946 deri në vitin 1998, nga Kosova janë larguar 140 mijë vetë të kombësisë joshqiptare” (fq 121). Shifra të tilla, nganjëherë edhe më të fryra (që arrijnë deri në 400 mijë vetë) gjen me bollëk në botime të autorëve rusë.
- Smirnova, duke iu kundërvënë edhe kolegëve të vet (siç është rasti i autores së sipërpërmendur), në qershor të vitit 1999 shkruante se “Largimi i serbëve nga Kosova ka qenë relativisht i ulët, sidomos po të krahasohet me largimin e shqiptarëve, që iknin për bukën e gojës. Për periudhën 1981-1991 (sipas të dhënave të arkivave serbe, kjo periudhë shënon largimin më të madh të serbëve nga Kosova), janë larguar 18 763 serbë, ndërsa vetëm për në Gjermani janë larguar 45 mijë shqiptarë” dhe, më poshtë, vazhdon “Largimi i serbëve nga Kosova nuk është asgjë në krahasim me largimin e serbëve nga Bosnja (111 828 vetë) nga Kroacia (110 704 vetë), nga Maqedonia (50 011 vetë)” etj.
Duke iu kundërvënë pretendimeve serbe, të përsëritura shumë herë në Rusi, se serbet jane larguar nga dhuna e shqiptarëve, ajo, mbi bazën e materialeve të nxjerra nga arkivat serbe, shkruan se, siç pohojnë vetë serbë të larguar prej aty, “95% e serbëve të larguar nga Kosova, janë larguar për shkaqe ekonomike dhe vetëm 5% e tyre janë larguar nga dhuna apo kërcënimi i mundshëm”. “Edhe për nivelin e krimeve seksuale – shkruan ajo – Kosova ka qenë në një nga vendet e fundit në Jugosllavi” (Novoje Vremja. Nr.22. datë 6.6.1999)
Në pikun e ngjarjeve të Kosovës, e shqetësuar nga rruga pa krye ku mund të futej çështja e Kosovës, ajo i kujtonte Moskës dhe shteteve të tjera të mëdha se “Në shekullin XX Kosova ka qenë monedhë shkëmbimi në pazarllëqet e fuqive të mëdha dhe populli i saj nuk ka patur të drejtë dhe mundësi të percaktonte fatin e vet. Madje edhe në Jugosllavine socialiste, që propagandonte barazinë midis të gjithë popujve, të drejtat e shqiptarëve janë shkelur dhe ata janë konsideruar si shtetas të shkallës së dytë”.(Evropa dhe Rusia: Probleme të drejtimit jugor. Moskë, 1999,. fq. 232).
Duke iu kundërvënë adhuruesve të Titos, që në Rusi nuk janë të pakët e, sidomos politikës së tij e sistemit që ai ndërtoi në fushën e problemeve nacionale, ajo jo pak vend i ka kushtuar qëndrimit të Partisë Komuniste Jugosllave ndaj shqiptarëve në Jugosllavi e, veçanërisht, në Kosovë. Siç shkruan ajo, PKJ ka ndryshuar disa herë qëndrimin ndaj këtij problemi, duke përdorur të gjitha mënyrat që Kosova të mbetej brenda Serbisë.
(Vijon)

Turp për të ashtuquajturën “Akademi Shkencash” ! Financon konferencat e A.Tufës e R.Gurakuqit e nuk financon studimin e veprave shkencore të shkruajtura për Shqipërinë nga historianë të huaj. Në këtë 75 vjetor të çlirimit, një Konferencë e qëlluar do të ishte : Shqipëria në studimet shkencore të huaja gjatë dy luftrave botërore !
Nderime për veprën e historianes Nina Smirnova !
Eshte turp per politiken zyrtare, per qeverite shqiptare dhe per akademine e shkencave, se institutet e studimeve jane zhdukur nga faqja e dheut qe ne bashkepunim me studiusit, historianet, perkthyesit me te mire te perkthjene ne gjuhen shqipe dokumenta, artikuj, shkrime dhe libra te karakterit historik, politik, diplomatik nga vende dhe shtete qe ne politiken zyrtare jane me nuanca anti-shqiptare por qe ka autor qe shkruajne, komentojne ne favorin tone.
Kuptohet per keto probleme nuk harxhojme asnje cent sepse “duam te bejme rruge prej floriri”. Tung.
Nderim per vepren e konseguencen e mbrojtjes te ceshtjes shqiptare nga historianja ruse Nina Smirnova, mike e se vertetes dhe e popullit shqiptari! Respekt per ju, zoti Shaqir Vukaj.
Po palloshi i gjate do te boje memorial per turqit se u vrane per shqiprine. Nina nuk paguan e shkreta. Kto jane politikanet shqiptare nderojne te pa nderuarin. Politkane qe shiten per dy leke
Bombat Amerikane Derguan ne te semes 200 vjet Investim RUS ne krijimin dhe Zmadhimin artificial te Serbi-Mali Zi ne Territore Shqiptare .
Bombat Amerikane ja pshurren ne goje HypokriziNe turke te vellait te dhimbsur,BASHKEPUNETORIT TE SKUTAVE SLLAVO-ORTHODHOKSE PER RREMBIMIN E TERRITOREVE SHQIPTARE DHE DEPORTIMIN E POPULLIT SHQIPTAR NE TURQI PER PERMIRESIM RRACOR..
Ju dhjefsha xhamite vellezer musulmane dhe vecanerisht xhamine e Edi Rames ne mes te Tiranes.
Bombat e Bill Clintonit ja bone n`to Diplomacise tradicionale Anglo-Franceze,qe kane mbeshtetur historikisht Invazionin Serbo-malazes ne tokat shqiptare.