Nga ditari i korrikut

redaktor

 

Ilir Metaj

 

Aaaa je nga Vlora ! Sa mirë ! Sa larg nga plazhi e ke shtëpinë ?- më pyeti.

– 10 minuta, ose 10 orë. Varet për kë plazh e ke fjalën – i thashë.

 

***

 

A dalim të bëjmë një shëtitje buzë detit ?”, i tha ai.

” Oh po ! Më lexove mendimin..”, i buzëqeshi ëmbël ajo.

Dhe filluan të ecin këmbëzbathur nëpër rërën e lagur të bregut të detit… Dielli shkëlqente mbi ta.

Nuk u kapën dorë për dore, sepse po ecnin në drejtime të kundërta.

Njësoj si puna e miratimit të reformës në drejtësi.

 

***

 

Çadrat e tyre janë jo më shumë se 5 m larg njëra-tjetrës.

U panë me zjarr për disa minuta.

Folën të përvëluar me gjuhën e trupit.

Dashuri me shikim të parë.

Ai ia bën me kokë drejt bregut të detit. Ajo pohon.

Ai brun, rreth 175, elegant.

Ajo bionde, rreth 165, elegante.

Ai ka pak mjekër, siç është moda tani.

Edhe ajo.

 

***

 

Sapo u ula në lokal për një kafe.

Përballë TV: një grup të rinjsh, në dukje idiotë, që vrapojnë pa folur pas një fluture. Përpara u del një djalë, që me sa duket nuk është idiot si ata, sepse u thotë:

“Më falni, po pse e ndiqni fluturën ?!”

Ata ngrenë supet dhe qeshin pa folur (tipik idiotë pra).

Jo-idioti u nxjerr një kartë telefonie në dorë dhe u thotë: ” Ja diçka e vërtetë.”

Qesh edhe ai. Qeshin ata. Qeshin të gjithë bashkë.

Jo-idioti doli më idiot se ata.

Teshtiva fortë.

“Shëndet ! Qenkeni ftohur.” – më thotë kamarieri .

“Jo- i thashë- jam alergjik nga reklamat idiote.”

 

***

 

Mediat lajmërojnë sot, se është gati të diskutohet ligji për legalizimin e prostitucionit.

Do ketë debat të fortë besoj… yyyyyyy. Ja, sa të mbarojmë pak punë me reformën në drejtësi.

Sa hipokritë që jemi!

Ne jemi një shoqëri që kemi, jo vetëm legalizuar, por edhe kthyer në mënyrë jetese prostitucionin moral, që është ku e ku më i ndyrë se prostitucioni fizik.

Prostitucioni fizik dëmton vetëm ata që e ushtrojnë.

Prostitucioni moral ndyn gjithë shoqërinë.

Pra,  si bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës të prostitucionit moral, nuk na shkon të bëjmë ” të ndershmin” ndaj prostitucionit fizik.

Jemi vonë. Kursejeni gjuhën të dashur moralistë .

Për të folur, e kam fjalën.

 

***

 

Ai është jo më shumë se 5-6 vjeç.

Rri në breg të detit, me fytyrë kthyer nga çadrat.

Po ulërin. Nuk thotë arsye, thjesht ulërin.

Mamaja dhe babai ndodhen në vijën e parë të çadrave, jo më larg se 7- 8 m nga i vogli ulëritës i madh.

Ajo flet në telefon, ai navigon në telefon. Të qetë ata.

Djali duket që ka veshë muzike. Është i talentuar në të ulëritur. E nis lartë dhe e vazhdon në të njëjtin tonalitet. Besoj në Do. Pak ndërprerje sa për t’u mbushur me frymë dhe vazhdon njëtrajtshmërisht në perfeksion. Nuk mbaron kurrë…

Mesa duket një gaforre e bekuar fshehur në një gur aty pranë tij, më lexoi mendimin.

I vogli ulëritës i madh kapi rrëmbimthi gishtin e këmbës së djathtë me dorë dhe kaloi nga Do në Do- maxhor.

Ouuu…Pa prit pak… Po që nuk qenka dhe aq bezdisëse ulërima e tij në fakt.

Madje-madje qenka shumë e bukur. E paskam keqgjykuar më duket.

Mmmm ah, sa po me shijon…

Më fort vogëlush, më fort ! 🙂

 

***

 

Më fal që u vonova- i thashë – po nuk kishte fare trafik në rrugë dhe më kapi pa përgatitur…u hutova.

 

***

 

Përpara syve të mi perëndimi më i bukur që kam parë ndonjëherë.

Hyjnor…

Ngjyra që bëjnë  të duket i zbehtë edhe ylberi më mahnitës.

E magjishme…

Deti është… është foto e parajsës. Katër delfinë hidhen pa pushim, a thua të droguar nga gjithë kjo bukuri përrallore…

Pastaj ndërrova kanalin e TV-së, se ishte ora e lajmeve.

 

***

 

Trafiku u bë pambarim.

Unë isha shofer i makinës së dytë. Pas meje gjithë te tjerët.

Para meje, makina e parë…lëvizte. Por mund të thuhet edhe “nuk lëvizte” . Pak a shumë e njëjta gjë.

Zgjata qafën , rruga ishte e lirë. Asnjë mal, kodër, apo liqen përpara.

Hodha një sy te gomat, ishin të fryra sa duhej.

Për t’a parakaluar, nuk bëhej fjalë, sepse kishte shumë trafik në drejtimin e kundërt dhe rruga ishte e ngushtë.

Zbrita nga makina dhe duke ecur me hap mesatar afrohem tek makina e parë. I bëj shenjë të ulë xhamin.  E bëri. Ishte një i moshuar. Shumë.

Ai duke “ngarë” makinën me duart mbërthyer në timon, unë duke ecur përkrah .

Unë – Xhaxhi mirë je?

Ai – Mirë, ti si je ?

Unë – Po mund të isha edhe më mirë.

Ai – Do ndihmë ?

Unë –  Jo jo, faleminderit xhaxhi… Po shoh që qenke 80 e kusur vjeç. Mirë e kam ?

Ai – Eeee, mirë e ke. Aq jam.

Unë – Domethënë, nuk të ka ngelur edhe shumë kohe për të jetuar. Si thua sikur të nxitosh pak, që të kesh mundësi ta shfrytëzosh sa më mire e të besh sa më shumë gjera në kohën që të ka ngelur.

Ai – Eeee kam kohë plot. Në fisin tim nuk vdes njeri pa mbushur 100 vjeç. – dhe mbylli xhamin.

 

***

 

Diell, diell o diell hyjnor,

ti që bën të piqen edhe kungujt…

 

***

 

Lul Bashën mezi e zuri gjumi…

Përpëlitej nëpër djersë. Po shihte një ëndërr. Makth më saktë.

Sikur ishte shtrirë në poltron dentisti. Një dorë po ia mbante gojën hapur me forcë. Përdhunshëm. Dora e dentistit.

Në dorën tjetër, një darë . Shumë e madhe ! Zot sa e madhe !

Luli u mundua të çohej vrikthi, por nuk mundi : vuri re se duart dhe këmbët ia kishin lidhur.

Me sytë e deformuar nga tmerri dhe të mjegulluar nga lotët e frikës mezi gjeti fytyrën e dentistit.

E njohu : ishte Donald Lu !!!

Lu-ja po qeshte ! Po qeshte ndërsa i afronte darën e frikshme drejt gojës.

Zemra gati i çau gjoksin. U lag. Edhe nga djersa.

Ndjeu t’i tundej poltrona.

Jo, jo, joooooo…..

U zgjua !

Hapi sytë dhe.. pa Donald Lu- në tek e tundte të zgjohej.

Ne dorë mbante një darë.

Share This Article
11 Comments
  • Rrofsh o djale se kisha kohe pa lexuar humor te shendetshem e cilesor. E shijova fiks buze detit. Bravo Dita.

    • “Anjeza” ka te drejte, Liro. Si deshmitar okular te siguroj se transvestitja me mjeker ishte ulur poshte cadres dhe po e shijonte humorin bashke me nje mjekrosh tjeter. Se ke idene se sa moderrne i kishin tangat…

  • Caprashitje ne mes te vapes se korrikut!
    O Ilir po Ramen nuk na the a ezuri gjumi se pas bombes se Metes i ishin bere syte me rreth te zi e mbeti duke shtruar dreka e darka me deputete e njerez qe i sillen rrotull. Nga njera ane kemi fenomenin Bazhdari qe me hartime dhe logjike nxenesje filloreje mbeti duke i bere dua Rames per nje cope deputetllek qe kurre nuk ia dha, nga ana tjerer kemi Ilir Metajn qe kerkon te ngreje lart figuren e prijesit rilindjot duke u perpjekur te talle kundershtarin. Sa keq jeni katandisur shoke rlindjote! Jeni bere per te qare hallin se po te humbni kolltukun do t’ju humbe edhe vula. Por ju e keni zgjidhur se do ti lepiheni kumandarit te radhes.

    • Sa eshte dhe vet ne kembe,aq do u’a fut hurin Metes,Salehit,lulushanes! Prit zonje prit,se vertete s’paskemi par’ gje akoma… Ne 2017.E majta fiton bindshem, edhe pa ket’ mostren, moj e nderuar Black w…, o, me falni, Info!…

    • Sa eshte dhe vet ne kembe,aq do u’a fut dhe hurin,Metes,Salehit,lulushanes! Prit zonje, prit,se vertete s’paskemi par’ gje akoma… Ne 2017.E majta fiton bindshem, edhe pa ket’ mostren, moj e nderuar Black w…, o, me falni, Info!…

  • A po m’ ni? – i thote ai.
    Nuk po degjo – ia kthen ajo.
    Ik moj, mbushu – i thote ai.
    Ik pirdhu – i thote ajo.
    Dielli digjet ne perendim,
    Pa reforme dhe miratim.

  • Hihihihihihi ajo reklama e eagle mobile hihihihihihi sa kam qesh. Bravo Ilir humor brilant. Me fal per vonesen e komentit po nuk kishte trafik dhe u hutova edhd une. Hihihihiiiiiiii

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *