E para
Asgjë te kjo Botë,
nuk ka dalë nga hiçi,
u shpik një herë gozhda,
dhe më pas çekiçi.
Se erdhi në jetë,
mushka dhe gomari,
ndaj u shpik kapistra,
ndaj u shpik samari!..
E dyta
Dy fjalë të arta,
tani i di dhe idioti:
“Po të qe puna e mirë,
do punonte edhe Zoti..
Do punonte edhe Zoti,
Zoti, more biri im,
gjithë-gjithë punoi gjashtë ditë,
dhe më pas bëri pushim!”
E treta
Është e kotë-o mik,
që me ty të flasësh,
njëlloj si një shurdhi,
në derë t’i trokasësh!
Flas-po kujt i flas,
kot që bëj ezberin,
njëlloj si të verbërit,
t’i tregoj ylberin!
E katërta
Pas jetë ka vdekje,
pas vdekjes ka jetë,
askush s’e zbuloi,
këtë të vërtetë…
Se andej nga vdekja,
s’ndihet frymë-as zë,
vetëm Një u kthye,
po s’është dukur më!.
E pesta
Ti jetoje jetën,
o njeri i gjorë,
ajo vjen e shkon,
si një meteor!.
Si një meteor,
që pak gjurmëz la,
veç një shkrepje drite,
kjo ishte gjithçka!.
E gjashta
Ti je porsi Hëna,
ndaj s’të kuptoj dot,
veç dy herë në vit,
më shfaqesh e plotë!
E shtata
S’e di aspak,
si është kjo punë,
Bota më vete,
më vete unë…
Me pikatore,
puthje dhe dhele,
dy rrugët tona,
si paralele!..
E teta
Dhe para meje shpeshherë,
këto dy vargje janë shkruar:
“Më mirë kasolle në këmbë,
se sa Kështjellë e rrëzuar!”
Dhe vijnë me dritë të rrallë,
dy vargje të tjerë-të thekur:
“Më mirë trumcak e i gjallë,
se sa shqiponjë-po e vdekur!”
E nënta
Që ta themi hapur midis nesh,
jeta s’ka vërtet ndonjë sekret:
“Po bëre të mira-të mira do gjesh,
po bëre të liga e liga të pret!”
E dhjeta
Dhe sa të mendohet,
miku im i vjetër,
i marri ka shkuar,
dhe kanalin tjetër!.
Arben Duka
