“Në 1990 filluan të vinin në atdheun tonë si emigrantë shumë shqiptarë.
Të gjithë çfarë patë dhe mësuat e trasportuat në atdheun tuaj dhe e arritët me punën tuaj, kështu ngritët këtu një pasuri. Ky realitet na bën të jemi këtu sot dhe u jep mundësinë që shumë prej jush të jenë turistë në Greqinë e sotme.
Ne me mirënjohje dhe respekt erdhëm t’ju falenderojmë që na vizitoni dhe në të njëjtën kohë t’ju ftojmë që këto vite të vijoni të jeni turistët tanë”, u shpreh Guvernatori i Epirit: Alexandros Kachrimanis, i cili prej dy ditësh ndodhet në Tiranë bashkë agjensitë turistike greke dhe prodhuesit grekë.
Ai pranoi se turistët shqiptarë janë rritur në numër vit pas viti dhe për këtë arsye ata vijnë dhe e bëjnë ftesën e hapur këtu në Tiranë që të vini të na vizitoni.
Rajoni i Epirit, njësia administrative në veri të Greqisë, në bashkëpunim me APA- Albpartners dhe Albanian Tourism Association (ATA) sollën në kryeqytetin shqiptar përfaqësues të rëndësishëm të sektorit të turizmit dhe agrobiznesit.
Aktiviteti dy-ditor u zhvillua në Hotel Tirana International në datat 5 dhe 6 shkurt.
Gjatë ditës së sotme Guvernatori i Epirit: Z. Alexandros Kachrimanis, mbajti një konferencë për shtyp ku falenderoi interesin e biznesit shqiptar dhe ftoi qytetarët shqiptarë që të vizitonin këtë rajon si turistë.
Ai tha se kanë qenë statistikat e agjentëve turistikë për rritjen e fluksit të turistëve nga Shqipëria ajo që i ka shtyrë të jenë sot këtu dhe gjithashtu theksoi se ka ardhur të falenderojë qytetarët shqiptarë që zgjedhin të vizitojë këtë zonë.
“Ne dëshirojmë që të vazhdojë ky këmbim vizitash, sepse ka dhe shumë qytetarë grekë që vijnë këtu, gjithashtu të vazhdojë bashkëpunimi i vendeve tona në këtë ritëm për të promovuar turizmin”. Ndërsa prefekti i Prevezës, Stratos Ioanu bëri një prezantim të vendeve të bukura të rajonit, produkteve dhe mundësive që ofron për turistët.
