Nga i uritur në rrugët e Rios, te uria për sukses. Inter ka gjetur pasardhësin e Maicon

Gazeta Dita

Në Barra Mansa (Rio de Janeiro), 8 shtatorin e 1993-it, ka lindur Dalbert Henrique Chagas Estevao, i njohur me emrin Dalbert. Një mbrojtës krahu brazilian, por i përshtatur me futbollin europian, mes Portugalisë dhe Francës. Edhe pak ditë dhe në pasaportën e tij do të shtohet edhe shkelja në tokën italiane, më saktësisht në Milano, ku ka qenë me pushime me gruan para pak kohësh. Aty e pret Inter-i dhe Luciano Spalletti.

VARFËRI – E tashmja i buzëqesh, siç tregon dhe emri i tij (fjalë për fjalë “ai që ka fat të mirë”). Por para se të bëhej një mbrojtës i majtë cilësor, Dalber ka kuptuar se çfarë është uria. Ajo e vërteta. I rritur me gjyshen Sebastiana bashkë me 7 vëllezër, ai shkonte të stërvitej me biçikletën e babait. Dymbëdhjetë kilometra në vajtje dhe 12 në kthim, për të mbajtur gjallë ëndrrën për sukses.

Në moshën 16 vjeç Dalbert luante akoma te Barra Mansa, një klub modest i qytetit të tij, por paratë mungonin. “Nuk mund të rrija pa bërë gjë, – ka thënë vetë Dalbert në një intervistë për ‘Folha de San paulo’. – Për këtë arsye i kam kërkuar mikut tim Amarildo që të më jepte punë: kishte një tendë ku shiste fruta dhe perime dhe unë shkarkoja arkat” . Futbolli i madh ishte akoma larg dhe as kalimet e shpejta te të rinjtë e Fluminense dhe Flamengo nuk kanë shërbyer për ta afruar. Në atë pikë, gjyshja Sebastiana ka marrë në dorë situatën dhe ka bindur nipin, pothuajse 20 vjeç në atë kohë, të emigronte në Europë.

CONCEIÇÃO — Por edhe në Portugali, Dalbert ka qenë i detyruar ta nisë nga fundi. Dy vite të kaluar te Academico Viseu, më pas, më në fund, ka ardhur rasti i madh: Vitoria Guimaraes. Dhe mbi të gjitha Sergio Conceiçao. Ish-lojtari i Inter ka qenë trajneri i ekipit të parë dhe nuk i është dashur shumë për të kuptuar talentin e Dalbert, të cilin e ka marrë menjëherë në ekipin e tij. Ka mjaftuar një sezon në kategorinë kryesore për ta bindur Nice që të pagojë 2 milionë euro për të. Pjesa tjetër është histori e kohëve të fundit.

TALENT — “Është shumë i fortë fizikisht, shpërthyes, i shpejtë. Më pas është teknik dhe i pjekur”. Këto kanë qenë fjalët e vetë Conceição. I gjatë 181 cm, Dalbert është një Maicon mëngjarash që akoma nuk është formuar plotësisht. Armët e tij më të mira janë shpejtësia dhe dalja përpara me top në këmbë.

Mund të përmirësohet në krose dhe në goditje, ashtu si në përdorimin e këmbës së djathtë. Në Itali pikat e tij të forta mund të jenë edhe defektet e tij: kërkon gjithmonë të dalë përpara, duke rrezikuar shumë mbrapa. Në fazën mbrojtëse sulmon kundërshtarin edhe kur do të ishte më mirë të fitonte kohë. Spalletti do të ketë punë për të bërë. Te Roma e ka kthyer Emerson në një mbrojtës krahu cilësor. Dhe këtu lënda e parë nuk mungon, madje është më e çmuar…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *