Karriera futbollistike e Tottit mund të vazhdojë, si futbollist, në atdheun e Sol Levante. Hanyu Hideaki, president i Tokyo Verdy, një herë e një kohë ekip fisnik i futbollit elitar, tashmë i rrëzuar, aktualisht në vend të tretë në J-League 2, ka konfirmuar se klubi ka bërë një ofertë për ish-kapitenin e Romës.
“Është e vërtetë, jemi të interesuar. E kemi kontaktuar, por deri tani nuk ka patur progress. Kërkon një kontratë prej 3 milionë euro. Ta kishim këtu do të ishte një ëndërr”, deklaroi Hideaki në të përditshmen ‘Nikkansports’.
Në skuadrën që drejtohet nga spanjolli Miguel Angel Lotina, ish- Villarreal, Deportivo La Coruna dhe Real Sociedad, Totti do të ishte i huaji i tretë, përkrah brazilianëve Douglas dhe Alan Pinheiro.
Verdy, në radhët e të cilës në të kaluarën ka luajtur ‘O Animal’ Edmundo, pretendon se nëse Totti do të pranonte ofertën, atëherë klubi mund të rigjenerojë pjesën më të madhe të shpenzimeve për blerjen e tij, vetëm nga shitja e fanellave me numrin 10 dhe emrin e “Mbretit të Romës”, për të cilin po studiohet grafika ekzakte në japonisht.
