Çfarë shkruante shtypi gjerman në ditën e kurorëzimit “Mbret” të Ahmet Zogut, më 1 shtator 1928?
Në pallatin e Tiranës, ndërtuar me paratë e italianëve, gjëmojnë topat e sjellë nga italianët dhe ushtarët shqiptarë të veshur me uniformë italiane, prezantojnë armët e dërguara nga Musolini. Në këtë konstatim gjendet në fakt e gjithë përmbajtja e komedisë politike mbretërore shqiptare. Një vend që i është dhënë Italisë plotësisht me të mirat e të këqijat e veta; një vend ku financat, doganat, banka kombëtare, ushtria, xhandarmaria – shkurt pra, ku çdo gjë drejtohet nga italianët – është vetë Ahmet Zogu. Dashtë ai të deklarohet akoma President, apo Mbret qoftë, s’është asgjë më shumë se sa një prokonsull i provincës romake të Shqipërisë. Më shumë se kaq, ai zor se mund të jetë dikush tjetër. Dhe është një njeri i zymtë, më të vërtetë njëri ndër ato që bën një nga ngjitjet më të dëshiruara në karrierë në historinë botërore, ky Ahmet Zogu, njeriu që gërmë për gërmë, është ai që ua shiti pavarësinë e Shqipërisë italianëve, që mban emrin e atij heroit me emër Gjergj Kastrioti, i cili i njohur me emrin Princ Skënderbeu, një herë e një kohë mbrojti pavarësinë e Shqipërisë kundër zgjedhës turke.
Gjithsesi, edhe për një njeri si Ahmet Zogu, edhe vetë kjo ngjitje drejt fronit të mëkëmbësit të Musolinit, përbën një karrierë marramendëse. Pasi ky njeri, të cilin sot propaganda buçitëse e shtypit fashist dëshiron ta katapultojë si një burrë të madh shteti, në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një aventurier i vogël politik, i cili edhe në vetë klasën e dyerve të mëdha shqiptare, ka luajtur gjithmonë një rol thuajse të parëndësishëm. Ahmet Zogu rrjedh nga klani shqiptar i Matit, një fisi plotësisht i parëndësishëm, i cili për nga rangu dhe ndikimi, renditet shumë prapa grupimeve e fiseve të mëdha të Shqipërisë Veriore e asaj të Mesme.
Arsimin e tij Zogu e ka përmbushur me disa klasë të mesme, të cilat ai i mundësoi kur u arratis me të ëmën drejt Stambollit, sëbashku me një grup besnikësh nga fisi i vet, duke kaluar atje disa vite. Ai u kthye pastaj sërish në krahinën e vogël në Shqipëri, ku edhe kishte lindur, dhe e kaloi atje jetën po ashtu siç e kalojnë krerët e fiseve shqiptare zakonisht. Duke mos u marrë me asgjë, intriga, dhe aty-këtu edhe me disa cubllëqe të vogla. “Epoka e madhe” e Ahmet Zogut, nisi me shpërthimin e Luftës Botërore. Jo sepse, ai siç mund të kishte qenë e mundur, e që në Shqipëri nuk ishte aq e rrallë, u nis nga arsye nacionaliste, ngaqë ai këtu apo atje do të kishte parë më shumë shpresë për ndërtimin e pavarësisë së Shqipërisë, për të rrëmbyer armët për Antantën apo fuqitë e Aksit. Thua të binte ai kollaj në ndërmarrje të rrezikshme për jetën?!- Përkundrazi, Zoti Ahmet Zogu ka pasur gjithmonë një nuhatje të thellë.
Por ai kuptonte diçka tjetër në mënyrë të shkëlqyer. Atë që të pranonte nga të dyja palët në luftë shuma të mëdha parash si rryshfet. Dhe është vërtetë një talent, të cilin ai e ka perfeksionuar në këtë fushë. Ia ka dalë gjatë gjithë luftës t’i mbante larg të dyja palët, t’i mashtrojë të dyja dhe të marrë armë e para nga të dyja ato. Për këtë, ai u angazhua me fisin e vet, sigurisht gjatë udhëtimit mes tmerreve të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, duke marrë pjesë fuqishëm në zhvatjet e ushtrisë së paaftë për luftë, për të dëshmuar një netralitet strikt. Këtë lojë fisnike gjatë kthimit të trupave austro-hungareze pas shkatërrimit të tyre, e përsëriti jo me më pak sukses.
Ndërkohë, tashmë ishin italianët ata që ishin rikthyer në Shqipëri, dhe u krijua një parti me bazë të fortë veprimi, e drejtuar nga shqiptarë të rinj intelektualë, nën drejtimin e Peshkopit Fan Noli, duke u konstituuar me emrin “Partia Nacionaldemokratike Shqiptare”. Ahmet Zogu mendonte në mënyrën e vet, se se si në rastin më të mirë, pikërisht sikurse përshkruhet në ideologjinë e një prijësi cubash, që anëtarësimi në këtë parti që kishte marrë pushtetin, do të mund t’i sillte sërish shumë para. Por, në këtë pikë, ai u gabua. Kjo parti nacional-demokratike, kishte vërtetë një program. Ajo donte të arrinte pavarësinë e vendit nga jashtë dhe çlirimin social të fshatarëve shqiptarë nëpërmjet një fushate të madhe shpronësimi të çifligarëve feudalë. Akoma pa ia njohur Zogu cilësitë morale asaj, ku pa se kishte të bënte me njerëz që mendonin se politika nuk ishte një biznes, del në krye të partisë së çifligarëve të mëdhenj reaksionarë. Ndërkohë, roli i Shqipërisë në politikën e jashtme ishte fuqizuar mjaftueshëm. Por kjo solli si pasojë që ndërsa qeveria po afrohej tashmë me Italinë, opozita duhej të mbështetej domosdoshmërisht nga Beogradi e anasjelltas. Fan Noli kishte mbështetjen e Italisë dhe Ahmeti pra, atë të Beogradit.
Me ndihmën e serbëve, Ahmet Zogu ia doli që në vitin 1922 të bëhej për herë të parë Kryeministër. Ai qeverisi asokohe po në atë mënyrë siç do të bënte edhe më vonë. Varjet dhe dënimet ishin shtyllat e rrugës së tij në pushtet. Asokohe ai mundi ta mbante në frena Shqipërinë vetëm për dy vjet, derisa në 1924, atë e rrëzoi Fan Noli me ndihmën e italianëve. Ahmet Zogu shkoi në Beograd. Banoi atje në oborrin e Dragoman Gjurashkoviçit, të besuarit të veçantë të qeverisë së Beogradit për çështjet shqiptare, i cili kryesonte bisedimet me Beogradin në emër të tij për të rimarrë sërish kontrollin mbi vendin e humbur. Ahmet Zogu u betua më qindra fjalë se ai do të qëndronte një skllav besnik i Jugosllavisë. Megjithë eksperiencat e këqija që kishin pasur me të, Beogradi ia dha edhe një herë dorën. Ata përgatitën për atë një ushtri dhe i vunë në dispozicion oficerë rusë të emigruar. Në krye të tyre marshoi për në Shqipërinë veriore, Ahmet Zogu. Në vend ai gjeti një mbështetje të fortë tek çifligarët e mëdhenj shqiptarë, të cilët natyrisht ishin të gatshëm të pranonin çdo lloj regjimi që do t’i mbronte ata nga heqja e pronave. Fan Noli ishte shumë i dobët dhe iu desh të arratisej.
Por Ahmet Zogu nuk u kënaq. Ai mësoi më vonë se ishte ulur në kalin (fronin) e gabuar dhe se kundër Italisë nuk mund të rreshtohej në terma afatgjatë. Kështu që në verë 1926, ai bëri një kthesë rrënjësore. I mësuar me tradhëtitë politike, braktisi Jugosllavinë, së cilës duhej t’i ishte mirënjohës për gjithçka, duke lidhur me Musolinin “Marrëveshjen e Tiranës”, e cila e vendoste vendin politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, nën tutelën italiane. Në Beograd po plasnin nga tërbimi, por s’kishin ç’bënin. Tashmë Zogu po ndjehej mirë.
Armiqtë e tij të rrezikshëm, Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi, ai i helmoi dhe i vrau, ndërsa diplomatët e huaj dhe zoti konsull shqiptar në Ankona dhe z. Saraçi, sot konsull në Vjenë, bënin shërbime shumë të dyshimta. Ndërkohë, njerëzit vareshin në mes të pazarit me zell. Ai madje nuk njohu ndalesë edhe para priftërinjve katolikë, të cilët ishin mbledhur kundër regjimit të tij dhespotik në Kishën e tyre, duke vendosur kësisoj me ndihmën e italianëve, atë qetësi në kishën shqiptare, që ai kishte nevojë për të ekzekutuar planet e tij të kahershme. Në vitin 1927, ai, nëpërmjet arrestimit të Gjurashkoviçit, njeriut që në ekzilin e tij në Beograd, kishte qenë strehuesi i tij, për pak sa nuk shkaktoi shpërthimin e një lufte ballkanike. Kur Jugosllavia vetë e gëlltiti këtë provokacion e më pas kundër vullnetit të shumicës së popullit jugosllav, qeveria e Beogradit madje, duhej të ratifikonte traktatin e urryer italo-jugosllav të Rettunos, Ahmet Zogu mësoi se tashmë ndodhej në zenitin e dëshirave të veta.
Musolini i dha garanci. Ahmet Zogu, qysh më parë, nga allishverishet me para nën dorë, kishte siguruar një rrogë vjetore prej 5 milionë frankash ari, të cilat iu paguan si shpërblim për konçesionet dhënë italianëve. Musolini qysh prej asaj kohe nuk ka më gjë kundra që ky njeri nëpërmjët marrjes së fronit mbretëror, të vijojë të konsolidojë edhe më shumë rrotat e qerres së tij në pushtet, se çka ndodhur më parë. E kështu që “Mbret i Shqipërisë” do bëhet vetëm Ahmet Zogu. Shtyllat e pushtetit të tij janë këmbët e drunjta të trekëmbëshave ku varen njerëz, me të cilat zbukurohet dhoma e tij. Tradhëtia dhe vrasja, janë dy engjëjt që mbrojnë Mbretërinë e re.
Përktheu nga gjermanishtja: Erlinda Qirjako
Ealeminderit Erlinda, artikull shume i vlefshem per Historine e Shqiperise. Nje verejtje kam: Do te ishte e mira qe te thuhej emri i gazetes, nr. dhe data e botimit te artikullit.
Ne fakt, ne artikullin origjinal n eversionin “print” te diciturat gjenden saktesisht emri i gazets dhe data, por ka dhe nje menyre tjeter: Kliko mbi fotot e atashuara ne kete artikull per te pare gazeten origjinale: Date 1 shtator 1928, dhe emrin gazeta e ka “Ingolstaedter Anzeiger”, duken fare qarte dhe nuk duan ndonje dituri te madhe ne gjuhe te huaj per ta kuptuar. Artikulli vete gjendet ne faqen e dyte. Gjithsesi verejtja vlen per stafin e Dites, i cili duhej ta nxirrte dicituren e fotove te atashuar. Sidoqofte, artikulli origjinal i ka te gjitha sic te thashe. Besoj se ju kam ardhur ne ndihme zoteri. Respekte
“Ingolstaedter Anzeiger” Viti i 6 i botimit, Nr. 200, Artikulli vete gjendet ne faqen 2. Dt. 1 shtator 1928.