Prof. XHEVAT LLOSHI
Tashmë edhe unë tani jam një i moshuar, pra një bashkëmoshatar i Dritëroit. Jam vetëm 5 vjet më i vogël se ai, kështu që kam pasur mundësi në rrethana shumë të ndryshme ta njoh Dritëronë, të paktën prej gjysmë shekulli. Për të mos thënë fjalë të përgjithshme, që thuhen në kësi rastesh, do të mundohem të tregoj disa gjëra konkrete, që ndoshta kanë interes të përgjithshëm, e ndoshta edhe për njerëzit e tij të afërt. Në Tiranë, e cila ishte shumë më e vogël se sot, sigurisht njerëzit e letrave, të shkencës, të kulturës njiheshin me njëri-tjetrin. Aq më tepër që unë kisha filluar të botoja ndonjë gjë në gazetën “Drita”, jo për t’u bërë shkrimtar, por është krejt e natyrshme që ne, njerëzit e kulturës, të kemi dëshirë të dalim edhe në shtyp. Kështu që Klubi i Shkrimtarëve dhe vetë shkrimtarët nuk ishin ndonjë gjë e largët dhe e panjohur. Dhe aq më tepër, që në vitet ’60 edhe Dritëroi, edhe Ismail Kadareja ishin njerëz të njohur dhe ishte e natyrshme dëshira jonë për t’i pasur pranë, jo për t’i adhuruar thjesht në mënyrë abstrakte, por sepse e ndienim që pranë tyre diçka mund të mësoje. Të njëjtën gjë mund të them për të gjitha figurat e mëdha, që kam pasur fatin të njoh. Në ato vite kam qenë punonjës i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. E quaj një nga burimet më të mëdha të jetës sime praninë në atë Institut të njerëzve, si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabeji, Mahir Domi, më pas Androkli Kostallari etj. Me këta njerëz të rrije në të njëjtin institut, të dëgjoje diskutimet e tyre, të lexoje punimet shkencore, por edhe bisedat e thjeshta, njeriu ecte përpara në jetë e në profesion. Të njëjtin synim kam pasur edhe në njohjen me njerëz si Dritëro Agolli. Për fat të keq, ka njerëz që këtë e bënin jo për të mësuar diçka prej tyre, por për të treguar ata diçka vetë. Unë këtë nuk e dëshiroj.
***
Të mos ju duket e çuditshme, që kam disa shënime autobiografike, të shkruara me dorën e tij që në vitet ’70. Është një biografi, besoj, më e shkurtra që mund të gjendet, në të cilën shkruhet:
Dritëro Agolli lindi në vitin 1931, në një fshat të Korçës. Që i vogël ka qenë në kontakt me partizanët. (Nuk besoj se mund të thuhet më thjesht se kaq. Pastaj vazhdon:) Shkollën fillore e kreu në fshat, të mesmen në Gjirokastër, në një qytet tjetër të Jugut. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Leningradit, në BRSS, më 1957. Ka punuar në gazetën “Zëri i popullit”. Filloi të botojë që në vitin 1946. Është laureat i Çmimit të Republikës.
Që këtu duket një tipar i Dritëroit, për të mos rënë në sy me gjëra të mëdha. Ka dhënë disa gjëra kaq të pakta, saqë të vjen keq që ka thënë kaq pak. Do të dëshironim të thoshte më shumë. Pas kësaj ka dhënë një bibliografi:
Dritëro Agolli ka botuar këto vëllime me vjersha e poema:
- “Në rrugë dolla”, 1958
- “Hapat e mia në asfalt”, 1961
- “Poemë për vete e për babanë”, 1963
- “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965
- “Mesditë”, 1969.
II Në prozë:
- “Zhurma e erërave të dikurshme”, tregime, 1964
2 “Komisari Memo”, roman 1970
III Në dramë
- “Fytyra e dytë”, komedi 1967
- “Mosha e bardhë”, dramë 1971
IV Në kinematografi: skenarë artistikë
- “Horizonte të hapura”
- “I teti në bronz”
V Në gazetari:
Ka shkruar me qindra artikuj, reportazhe, skica, kritikë e recensione letrare.
Kjo është e gjithë bibliografia e tij në atë kohë.
Pata mundësinë të afrohesha më shumë me Dritëroin kur punova në gazetën “Drita”, në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kam qenë anëtar kolegjiumi në gazetën “Drita”, merrnim pjesë edhe nëpër diskutime, në raste të ndërlikuara në revistën “Nëntori”. Po ju them një rast. Në vitin 1973 dy kritikë, njëri prej tyre sot ka vdekur, shkruan një artikull të gjatë, mospranues ndaj romanit “Dimri i vetmisë së madhe” dhe mua bashkë me një historian të letërsisë na thirrën (kështu zhvilloheshin diskutimet në raste jo të thjeshta), për të pasur nga Lidhja një zë pak më tepër profesionist, sesa shumë njerëz të tjerë që e quanin se po bënin punë të madhe, duke sulmuar shkrimtarë të mëdhenj. Me sa duket, nga shkrimet e mia, po edhe nga raste të tilla, Dritëroi vendosi të më kërkonte në një moment, kur gazeta nuk ecte mirë dhe kjo lidhej me marrënie jo të mira në vetë Lidhjen, diçka shqetëuese pr Dritëroin si kryetar. Kështu ndodhi që më thirrën të punoja në gazetën “Drita”. Të them të drejtën, nuk kisha dëshirë të bëhesha kryeredaktor dhe ata tre vjet kanë qenë një periudhë e madhe mundimi për mua, sepse së pari, më shkëputën nga puna ime, që e vazhdoj edhe sot, dhe së dyti, më vunë përpara një përgjegjësie të rëndë, sepse nga njëra anë, duhej t’i përgjigjesha vijës ideologjike të kohës, dhe nga ana tjetër, sepse për gjënë më të vogël mund ta pësoja. Së bashku me redaksinë prisnim ditën e hënë se mos kishim botuar diçka që s’duhej dhe rasti më i mirë do të ishte të përfundonim në ndonjë fshat.
Ishin vite shumë të vështira, sidomos pas Plenumit famëkeq. Dhe në këto rrethana, në vitin 1980 më kërkuan që të shkoja kryeredaktor i gazetës, diçka që nuk e kisha menduar, por nuk mund të refuzoja, sepse pasojat ishin jo të lehta. Dhe sigurisht, ai që do të thoshte fjalën e parë, nëse do të pranohesha si kryeredaktor, përpara sesa ta merrja vesh unë, ishte Dritëroi. Kjo do të thotë se Dritëroi kishte një mendim shumë më të mirë, nga ç’kisha unë për veten. Gjatë atyre viteve kisha privilegjin të punoja me të, sepse nuk është e vërtetë që vetëm disa drejtues si Dritëroi përbënin problem për shtypjen e lirisë, për dënimin e njerëzve të tjerë. Kishte shumë njerëz përreth, njerëz ambiciozë, të pakënaqur me arritjet e tyre, për faj të tyre, që bënin shumë gjëra, madje edhe kundër meje. Jo thjesht merreshin me thashetheme, apo shkonin te Dritëroi si kryetari i Lidhjes, por shkonin drejtpërdrejt në Komitetin Qendror. Dhe mua m’i kanë treguar (se kjo është Shqipëria) se si njëri ka shkruar 5 letra kundër meje. Por Dritëroi asnjëherë nuk ndërhynte. Kishte raste që anëtarë të organizatës së partisë të Lidhjes sillnin ndonjë poemë për ta botuar dhe unë nuk e botoja. Kam ngulur këmbë që të mos botoheshin edhe poema që lavdëronin udhëheqësit e kohës, sepse isha i bindur që gazeta “Drita” nuk mund të bënte këtë punë. Dhe ata puna e parë që bënin, ishte të ankoheshin te Dritëroi.
***
Asnjëherë, në asnjë rast Dritëroi nuk më ka thënë: përse nuk e ke botuar këtë shkrim, këtë tregim, këtë poezi. Që ta kuptoni situatën se si ishte, po ju them vetëm një gjë të parëndësishme:mua më kritikuan se doja t’i jepja gazetës një frymë tjetër dhe mendova që titujt të mos i vija vetëm në krye të faqes, por t’i fusja edhe në mes me ndonjë kornizë. Mendoni, vetëm për një gjë të tillë më kritikuan për frymë të re. Ndërsa Dritëroi nuk binte kurrë në pozita të tilla. Kjo bëri që të kisha marrëdhënie me të edhe për materiale të ndryshme, që do të botoheshin në gazetë dhe kam ruajtur nja dy gjëra për të treguar mënyrën e tij të komunikimit, si sillej ai dhe këtë dua t’jua them se si ma ka shkruar me dorën e vet. Me këtë del edhe se si e shihte letërsinë dhe botën shqiptare Dritëroi. Shkruante: Vlora me një histori e një jetë të pasur me ngjarje nga e kaluara, nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe e sotmja, ka një humor popullor origjinal, ka njerëz të zgjuar, me gjuhën e tyre të një koloriti të mahnitshëm. Dhe megjithatë tipin e labit të vërtetë pothuajse asnjë shkrimtar që jeton në Vlorë nuk e ka pasqyruar. Prandaj kërkohet një punë krijuese më këmbëngulëse, kërkohet një njohje e thellë e historisë dhe jetës, kërkohet një kulturë më e madhe nga gjithë forcat krijuese.
Jo më kot jua tregoj këtë shënimin e tij për Vlorën për t’ju thënë, se cilat ishin kërkesat që shtronte Dritëroi në atë kohë, pa anshmëri, pa sforco, pa detyrim, se ‘unë jam kryetari e të bëni si them unë’. Sigurisht, në atë kohë kishte orientime nga lart, shpesh herë të detyrueshme, por për krijimtarinë Dritëroi donte të ishte sa më e mirë. Ai i donte krijuesit, e donte veprën e tyre, por jo vetëm kaq, ai e kishte provuar vetë me shkrimet e tija, në prozë dhe në dramë, se ç’do të thoshte kritika nga lart për një krijues dhe Dritëroi nuk ka qenë pjesë e këtij mekanizmi. Sigurisht, ai ka kryer detyrën e tij si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por është e vështirë të thuash se ai ka qenë pjesë e mekanizmit shtypës në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ai e donte letërsinë, i donte krjiuesit dhe janë shumë prej tyre, që i ka ndihmuar edhe për të shkuar në shkollë, edhe për të botuar, dhe asnjëherë duke u nisur nga ideja: ‘ua rregulloj unë qejfin këtyre’! Është krejt ndryshe nga disa të tjerë, që sapo marrin postin, aty e kanë mendjen. Do t’ju tregoj edhe diçka tjetër. Më dërgonte ndonjë gjë të vetën për të botuar dhe më kërkonte, që t’i hidhja edhe unë një sy, sepse edhe unë mbaja përgjegjësi. Një herë desha që ta ndryshonte diçka dhe ja se çfarë më shkroi: Lëre kështu i dashur Xhevat! Shikoni, është kryetari Lidhjes, që e ka vartës kryeredaktorin, por Dritëroi nuk fillon me shkresa, me sekretare dhe e thotë më thjesht sa s’ka: Lëre kështu, I dashur Xhevat! Por më interesantja vjen më pas, kur thotë: Lëre të plotë diskutimin, përveç tregimit për kaun e kuq e të zi, që hiqet. Pra, është ai që më thotë se çfarë hiqet. Kam edhe një shprehje të tij, që më pëlqen shumë, sepse ai kishte dëshirë të bënte humor, por jo të drejtpërdrejtë, në mënyrë të tërthortë, siç është e zakonshme në humorin popuillor: Elefanti e mban fëmijën në bark 22 muaj. Lepuri e mban fëmijën në bark vetëm një muaj.
***
Çfarë e mbajti Dritëronë në nivel të lartë? E mbajti ajo, që unë do ta thosha me një fjalë: integriteti i tij. Dritëroi kishte një filozofi për jetën, për krijimtarinë, për njerëzit, dhe këtë e kishte jo për të bërë spekulime me artikuj e me shkrime, siç bëjnë ca “filozofë”, “sociologë” e “psikologë” sot. Ai e kishte këtë si një mbështetje të brendshme, të vërtetë, për jetën e tij. Dhe krijimtaria e tij, konkretisht poezia e tij është filozofia e jetës së zakonshme. Poezia e tij është poezia e vatrës. Dritëroi ka poezi dashurie edhe për gruan e tij. Një gjë e tillë sot për ndonjë poet duket një gjë tepër e prapambetur. Mënyra e jetesës që del në poezitë e Dritëroit mund t’u duket disave e prapambetur, por unë do të thosha që ajo është një mënyrë e veçantë, e cila përbën një vlerë, që e kapërcen vlerësimin e çastit.
Një njeri si Dritëroi krijon një botë, e cila me zhvillimin e njerëzimit, me ndryshimin rrënjësor edhe të kushteve materiale e mendore, nuk është më e pranishme, si për shembull, jeta e zakonshme e fshatit, psikologjia, hakmarrja e tipit fshatar . . . të gjitha këto anë, që mund të duken sot të çuditshme në krijimtarinë e Dritëroit. Por kjo botë e krijuar, e përfytyruar në mënyrë letrare prej tij ka dhe do të ketë gjithnjë interesin e vet, ashtu siç kanë për ne botët, që janë krijuar që nga Greqia e lashtë, mitologjia kineze apo shkrimtarë të tjerë të shquar, që nga Shekspiri etj., e që nuk ekzistojnë më. Edhe gjuha e Shekspirit nuk është gjuha e sotme angleze, por bota që ka krijuar ai vazhdon të jetojë për shkak të veçantisë. Kështu është edhe ajo që ka lënë Dritëroi në veprën e tij. Dhe ai nuk hoqi dorë nga kjo. Nuk bëri deklarata propagandistike për t’iu përshtatur ditës, por vazhdoi me integritetin e tij. Për ta theksuar këtë fakt do të doja t’ju tregoja diçka që i përket vitit 2005. Pra, nga viti 1970 deri më 2005-n Dritëroi është po ai, sepse ai kishte një filozofi të vetën për mënyrën se si e shihte jetën, i kuptonte problemet e mëdha, megjithatë, ai kishte besim te njeriu. Atë që ai e ka thënë edhe do të mbetet: Njeriu i mirë. Filozofia e njeriut të mirë ishte te Dritëroi dhe është e nevojshme edhe sot.
(Vijon numrin e ardhshwm)
