DITA, e lexova me vëmendje shkrimin e z.Koçiko. Ajo që më intrigoi është padyshim fenomeni i mashtrimit, gënjeshtrës dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit të njerëzve i cili përsëritet vazhdimisht nga çdo qeveri që vjen në pushtet. Dhe kjo do të vazhdojë përderisa mentaliteti otoman i individit të turmës do të mbizotërojë në shoqërinë shqiptare ende të paqytetëruar. Pikërisht këta artikuj i paraprijnë këtij ndërgjegjësimi, por nuk e çrrënjosin dot atë. E vetmja rrugë është një “revolucion kopernikan në edukim”, nëpërmjet të cilit të edukohet individi i lirë, krijues e fisnik, qytetari human i pajisur me normat e së drejtës dhe demokracisë dmth, ai individ tek i cili të mbizotërojë Arsyeja dhe Ligji dhe jo instiktet e emocionet, si deri tani me turmat tribale kudo në administratë, politikë, qeveri, parlament, presidencë, shkolla, universitete e kudo. Por kjo do kohë, vizion, vullnet politik dhe ndjeshmëri humane e patriotike. Nga kush t’i presim këto? Nga këta që mendojnë si të shtojnë pasuritë çdo ditë? Duke mos menduar që 15% e popullsisë jeton me 1 euro në ditë dhe të tjerët në kufijtë e varfërisë, dhe gjithë pasuria tjetër është e grumbulluar në ata që përfaqësojnë oligarkinë politike dhe financiare.
Dhe populli i di këto, prandaj dhe “mendon se si të fluturojë….jashtë vendit” – siç thekson autori. I lumtë për kapjen dhe parashtrimin e këtij fenomeni obskurantist i cili fatkeqësisht do të jetojë gjatë.
Letër e nënshkruar,
Jorgo Mandili
