Në një eveniment të përmasave të Botërorit, yjet janë ata që bëjnë diferencën, por kapitenët janë lojtarët që mbajnë të bashkuar skuadrën dhe që menaxhojnë momente delikate në fushë por dhe jashtë saj. Tetë skuadrat çerekfinaliste janë përcaktuar dhe tani e mbrapa për të vazhduar rrugëtimin përveç cilësive teknike dhe taktike nevojitet dhe dëshira, pasioni por dhe grinta me të cilën luan në fushën e lojës dhe askush më mirë sesa kapiteni nuk mund t’i transmetojë këto vlera. Por cilët janë tetë kapitenët e ekipeve të mbetura në garë. E nisim nga ai më i magjishmi, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi që në fakt nuk është i vetmi kapiten me numrin 10 mbi shpinë mes çerekfinalisteve. Sabella duke i dhënë shiritin i ka dhënë më shumë përgjegjësi dhe Messi i ka përligjur duke qenë lojtari kryesor i të tijve në fushë. Thuhet që është trashëgimtar i Maradonës dhe ashtu si ai mban në krah dhe shiritin e kapitenit. Fjala e tij ka peshë brenda dhomave të zhveshjes përsa kohë dalin dhe zëra se shpeshherë është ai që vendos skemat e trajnerit.
Një tjetër numër 10 kapiten në këtë Botëror e gjejmë te Kosta Rika. Bryan Ruiz, kartonin e të cilit e zotëron PSV Eindhoven ka treguar se ka karizmën dhe përvojën për të udhëhequr një grup të rinjsh drejt ëndrrës. Me siguri do të kujtohet si kapiteni legjendar i “los ticos” që realizuan të pamundurën, teksa kundrejt çdo parashikimi arritën deri në çerekfinalet e Botërorit, sigurisht nëse Botërori i tyre nuk përfundon këtu. Te Belgjika, kapiteni është në dyshim nëse do të jetë në fushë ndaj Argjentinës. Vincent Kompany, ka qenë ndoshta më pak i aktivizuar nga lojtarët me shirit në krah pasojë e dëmtimeve. Gjithsesi autoriteti i tij është i padiskutueshëm në dhomat e zhveshjes, aq sa shpesh mbrojtësin e City-t dhe trajneri Wilmots e ka konsideruar si krahun e tij të djathtë. Me shumë gjasa mund të rikthehet ndaj amerikano-jugorëve dhe në këtë rast, “La Seleccion” do të kishte një mur më shumë për të kaluar.
Te Gjermania, kapiteni vazhdon të mbetet i njëjti si në 2010, Philip Lahm. Kapiten dhe në klubin e tij të Bajernit të Mynihut është padyshim ndër lojtarët më të vlerësuar të këtij Botërori por gjithashtu dhe ndër ata më me eksperiencë. E di sesi mund të udhëhiqet në fushë dhe jashtë saj një skuadër dhe di të karikojë ekipin në momentin e duhur. Pavarsisht ndonjë akuze të Michael Ballack, me të cilin ka qenë gjithmonë në konflikt, ishte zgjedhja më e mirë që Low mund të bënte për t’i besuar drejtimin e të tijve në fushë.
Franca ka të vetmin, kapiten portier të këtij Botërori, pasi shiritin e mban Hugo Lloris, që me qetësinë e tij duket se ka i ulur kokën gjelave që deri dje thjesht për një shirit i kemi parë të zihen me njëri-tjetrin. Fakti që ka pësuar gol në vetëm një ndeshje, atë me Zvicrën në Grup tregon se jo vetëm di të drejtojë të tijtë drejt fitores por gjithashtu organizon në mënyrë perfekte dhe mbrojtjen.
Në radhët e Holandës, futbollisti që dëgjojnë të gjithë është Robie Van Persie, për të cilin Van Gal ka ushtruar gjithë diktatin e tij për t’i dhënë shiritin. Me sulmuesin, trajneri do të punojë dhe te Man.Utd ndaj kërkon ta përgatisë me rolin e ri. Ka qenë vendimtar pothuajse në çdo ndeshje dhe ka ditur të transmetojë dozën e duhur të adrenalinës te skuadra, sa herë që ajo ka qenë në vështirësi.
Në ndryshim nga Holanda, te Kolumbia kapiteni luan në mbrojtje dhe është Mario Yepes. Eksperienca te Milani i ka dhënë besimin e duhur për ta kryer sa më mirë këtë rol. Është një barrikadë e sigurt për portën e Ospinas dhe shpeshherë agresiv, ajo që nevojitet për t’i lejuar të tjerëve të kuptojnë forcën e Kolumbisë. Nga momenti që ka marrë shiritin e kapitenit i ka kontrolluar më mirë nervat e tij në tapetin e gjelbër.
E mbyllim me Thiago Silvën, lojtarin që të gjithë brazilianët shpresojnë të ngrejë lart trofeun botëror më 13 Korrik në “Maracana”. Mbrojtësi i PSG, cilësohet më i miri në botë në rolin e tij. Është pozicional, ka siguri në ndërhyrje dhe përpiqet shpeshherë të shkundë Brazilin në fushën e lojës. Askush nuk i vë në dyshim cilësitë individuale të Thiago Silvës si lojtar dhe si kapiten ka besimin e shokëve të skuadrës por megjithatë fakti që nuk guxoi të merrte një 11-metërsh përsipër në sfidën me Kilin, tregon se nuk është ndër ata kapiten me zemër të fortë.
