Futbollistja e kombëtares tregon jetën pas largimit nga Kosova, rritjen në SHBA dhe emocione për fanellën kuqezi, me të cilën synon suksese në vjeshtën e ardhshme
Sportistët “vdesin” ta përdorin fjalën “luftë” për të përshkruar një ndeshje të fortë. Por, në fakt, shumica e tyre as i kanë parë dhe as do t’i shohin ndonjëherë tmerret e vërteta të luftës. Ca pika gjaku që një sportist mund të derdhë në fushë nuk janë asgjë krahasuar me gjakderdhjen me të cilën u përballën familjet kosovare gjatë konfliktit me serbët. Një luftë që ndau vendin dhe familjet. Një luftë që e detyroi futbollisten Furtuna Velaj dhe familjen e saj të emigronin në SHVA, për të nisur një jetë të re. Kur ata arritën në Amerikë, më 1998, Furtuna ishte shtatë vjeç. Ajo kishte luajtur futboll që në Kosovë dhe vazhdoi ta bënte gjatë gjithë fëmijërisë. Shkëlqeu në këtë sport dhe u bë një sulmuese e rrezikshme. Pas përfundimit të kolegjit, ku shënoi shumë gola, ajo luajtur për Boston Breaks, në kampionatin e femrave, ndërsa më 2011 u thirr nga kombëtarja e Shqipërisë. Aktualisht luan për Toronto Lady Lynx në W-League.
– Cilat janë kujtimet më të hershme nga Kosova para luftës?
– Më kujtohen vera e nxehtë, dimrat e gjatë, kisha çdo të diel, futbolli me shoqet, shkolla dhe varfëria në fshatin e Gllogjanit. Mbaj mend që nëna e ngrohte në zjarr ujin për ta na larë, që vishnim rroba të mira vetëm për festë dhe puna në bujqësi, për të ndihmuar familjen. Jeta ishte e thjeshtë, por kënaqeshim edhe pa luks.
– Si filluat të luani futboll dhe sa ju ka ndihmuar gjatë momenteve të vështira të jetës?
– Futboll kam luajtur me fëmijët në fshat që kur jam ngritur në këmbë dhe mund të gjuaja topin. Luanim sa herë na jepej rasti, para shkolle, gjatë orëve të pushim, kur të mundeshim.
– Kë keni pasur model teksa rriteshit dhe tani?
– Si fëmijë më kanë pëlqyer personazhe të tillë si Paolo Maldini, Shevçenko, Martin Luther King Jr, Rivaldo, Mia Ham, Allen Iverson, Bo Jackson, sa për të përmendur disa emra. Tani më pëlqejnë Drogba, Suarez, Neimar, Kristiano Ronaldo, Mesi, Riberi. Futbolli më ka ndihmuar shumë për të kapërcyer vështirësitë në jetë.
– Si mund të ndihmojë sporti në bashkimin e familjeve dhe vendeve të ndara nga lufta?
– Mendoj se sporti mund të ndihmojë në bashkimin e një vendi përmes skuadrave kombëtare, duke u dhënë njerëzve një simbol të cilit i përkushtohen, pavarësisht se çfarë ndodh rrotull. Për shqiptarët kudo që janë, kombëtarja e meshkujve, tani edhe ajo e femrave, janë shndërruar në forca bashkimi.
– Si hytë në kombëtaren shqiptare?
– Në fillim më vunë re kur studioja në Londër. Po stërvitesha Millwall Ladies dhe trajneri i portierëve, Albert Kurti, tani trajner i parë, më pa dhe më pyeti nëse do të isha e interesuar të luaja për Shqipërinë. I thashë se do ta merrja në konsideratë dhe në vjeshtë 2011 më ftuan, që atëherë jam thirrur vazhdimisht.
– Cilat ishin emocionet kur veshët për herë të parë fanellën e Shqipërisë?
– Isha pak e hutuar, sepse unë jam lindur në Kosovë, rritur në SHBA dhe tani po luaja për Shqipërinë. Megjithatë, hutimi kaloi shpejt sa po fillova të luaja, sepse, ndonëse po luanim një miqësore në Maqedoni, kur dëgjoja fëmijët e vegjël që këndonin të njëjtat këngë me të cilat jam rritur në Kosovë apo SHBA, e kuptova se, pavarësisht vendit ku isha rritur, unë gjithmonë do të jem shqiptare.
– Çfarë synimesh keni me Toronton në W-League?
– Dua të luaj sa më shumë e të shënoj gola, me qëllim që të shkojmë në play-off. Gjithashtu, dua të jem sa më aktive, sepse në shtator kemi kualifikueset e botërorit me kombëtaren. Jemi në një grup shumë të vështirë dhe dua të punoj fort gjatë verës, për të ndihmuar kombëtaren të fitojë dy ndeshjet e shtatorit dhe më pas ato të nëntorit.