Dilaver Goxhaj
Në orën 24.00 të datës 29 shkurt Brigada arriti në një lagje të Zabzunit të krahinës së Gollobordës dhe qëndroi atje disa orë për të pushuar. Pas tri orë pushimi, në orën 03.00 të 1 marsit 144, Brigada hyri në katundin Zabzun, ku u prit mirë nga ana e popullit. Një forcë balliste në këtë kohë zuri Qafën e Destilit, duke i prerë rrugën Brigadës. Forcat e Batalionit të dytë përparuan me shpejtësi në drejtim të qafës. Brigada kaloi Qafën e Destilit dhe u fut në katundet Prodan, Likaj dhe Plepë, ku u ndal për disa orë. Sesa vështirësi paraqeste terreni për marshim në drejtim të Martaneshit, shihet qartë edhe nga një letër e komandës së gjindarmërisë së Librazhdit, që ia dërgonte asaj të Tiranës, ku midis të tjerave thuhet: “Me qenë se ka dëborë të madhe, që ka ranë, nuk ka mundësi me i bamë lajmërim postës së Martaneshit që të jetë gati për çdo eventualitet sepse, rruga prej tri javësh nuk është e kalueshme nga dëbora e madhe që ka ranë, nëse ka mundësi, lutemi që me anën e Shëngjergjit sikur t’i bëhet nji lajmërim postës, për të qenë e gatshme për çdo mësymje.”,(Ark.Degës Hist. Usht., mars 144, seria B,dok.nr.3637).
Në lagjen Likaj ndodhej në ilegalitet dhe i sëmurë, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar për Dibrën, shkrimtari Haki Stërmili. Haiku u takua me shokun Mehmet Shehu dhe e informoi atë mbi gjendjen në Dibër dhe mbi anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, rreth të cilëve kishte ditë që nuk dinte ku ndodheshin.
Nga dalja e kolonës në befasi në Gollobordë, armiku nuk mundi të përgatitej me kohë për të na goditur menjëherë. Në fillim, kur u duk kolona nga larg, populli u frikësua, kujtonte se ishim forca gjermane. Këtë frikësim e ka pëshkruar në ditarin e vet Haki Stërmilli: “1 mars 144, Panik… I tanë populli duel jashtë për me ikë e me marrë malet, pse një varg i gjatë njerëzish zbrisnin poshtë prej maleve të Zabzunit… Alarmi i ardhjes së gjermanëve u përhap në të katër anët me shpejtësinë e rrufesë. Ndërkohë na njoftuan se ata s’qenkan gjemanë, por partizanë. Kush beson? A është e mundur të duken në këto male të ngarkuar me borë forca të mëdha partizanësh?! Asht jashtë mendjes. Por sigurimi u dha prej atyne që i panë me sy… Vargu i gjatë i këtyre heronjve dukej sikur s’kishte të mbaruar. Ata rrëshqitnin prej mali, mbi borën e ngrirë, dhe drejtoheshin kah katundi”.
Shmangia e rrethimit në Okshtun
Gjatë ditës së 1 marsit 144 armiku u informua mirë mbi ndodhjen e Brigadës së parë sulmuese në katundet e Gollobordës dhe brenda ditës u vu në lëvizje në drejtim të saj me forca të mëdha, si nga ana e Dibrës ashtu edhe nga ajo e Librazhdit. Nga përvoja e ditëve të para të luftimeve me forcat partizane, armiku u bind se kundër Brigadës duheshin përqëndruar forca të mëdha, përndryshe ato nuk mund të ndaleshin dhe aq më tepër të shpartalloheshin. Prandaj armiku mobilizoi sa forca që mundi dhe zuri prita në të gjitha rrugëkalimet e mundshme nga forcat e Brigadës, në drejtim të Zerqanit.
Në këto rrethana, batalionet e Brigadës ishin të rrethuar nga të gjitha anët, veçse nuk ishim në kontakt direkt me armikun. Megjithatë, partizanët moralisht qëndronin të papërkulur, edhe pse fizikisht nga lodhja e tepërt dhe të pangrënët ishim të dobësuar e të raskapitur. Lodhja kishte arritur kulmin. Shumë prej partizanëve nuk kishin as opinga në këmbë. U kullonte gjak prej këmbëve.
Komandanti i Brigadës, për të ruajtur gatishmërinë luftarake të forcave, pa marrë parasysh gjendjen kërcënuese, vendosi të qëndronim në vend disa orë, që partizanët të hanin diçka e të shlodheshim. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë lajme alarmante na vinin. Lajmëtarët thoshnin, se forcat armike kishin ardhur përreth vendit ku qëndronte Brigada, si në Zabzun, Klenjë, Ostren i Madh dhe Tërnovë. Forcat gjermane kishin arritur në Zerqan dhe në Llëngë, kurse në Martanesh ndodheshin forcat e gjindarmërisë. Gjatë natës së 1 marsit, një forcë e madhe ballistësh nga Tërnova kishte marshuar dhe kishte zënë pritë në kodrat mbi Shullan, për të goditur forcat partizane, kur të delnim nga Shullani, duke menduar se ne do të marshonim në drejtim të Tërnovës e të Zerqanit. Për këtë pritë Brigada nuk kishte asnjë informacion. Ballistët ishin vendosur atje pa u diktuar prej askujt. Si përfundim, të gjitha rrugët ishin zënë dhe nga mezi i ditës së 2 marsit pritej që armiku të na sulmonte nga të gjitha drejtimet, për të shpartalluar Brigadën përfundimisht në Okshtun të Gollobordës.
Për të shkuar në Shëngjergj, nuk mund të kalohej nga ana e Bulqizës, sepse armiku ishte lajmëruar dhe përgatitur për të na goditur. Për këtë qëllim, u vendos që dy batalione të përpiqeshin të çanin borën nëpër Kaptinë të Martaneshit dhe një batalion të qëndronte në vend si praparojë. Nëse dy batalionet do të mund ta çanin malin e Kaptinës, atëherë do të nisej edhe batalioni i praparojës; nëse Kaptina nuk çahej atëherë e gjithë Brigada do të përqëndrohej në Likaj duke qëndruar aty derisa të shkrihej bora.
Mali Kaptinës, rreth 2000 metra i lartë, ishte i mbuluar me borë. Banorët e atyre anëve na treguan më vonë se gjatë gjithë jetës së tyre, ata kurrë nuk kishin parë që të kalohej Kaptina e Martaneshit me kaq borë. Megjithatë, komandanti Brigadës vendosi që të kalohej Kaptina. Në orën 24.00 të datës 1 mars 1944, batalioni i parë fillo t’i ngjitej Kapinës varg përpjetë. Forcat e tjera të Brigadës qëndronin në vend. Armiku që kishte zënë pritë nk guxoi të hapte zjarr dhe partizanët iu ngjitën malit me sukses.
Kaptina, e mbuluar me bore, u kalua. Partizanët dolën fitues edhe kundër këtij armiku pasiv, por i tmerrshëm, ku përveç borës ishte i mbuluar me pisha e ahe të gjatë. Partizanët e çanë dhe e kaluam edhe këtë pengesë, e cila dukej e pakapërcyeshme dhe e frikshme. Në mëngjes herët edhe Batalioni i tretë e filloi marshimin nga Plepa, kurse Batalioni i dytë nga Prodani. Aty, rreth orës 10.00, Batalioni i parë i ishte afruar Lugut të Qyqes dhe kishte ndaluar për t’u shlodhur sadopak. Dhe çuditërisht, partizanët e atij batalioni, që ishin të gjithë labë, ia morën këngës labçe, gjë që tregonte se s’donin t’ia dinin as vuajtjeve e as rrezikut. Qëllimi i tyre ishte që të mbrihej objektivi.
Manovrimi i Brigadës në drejtim të Martaneshit dhe në kohën e duhur, bëri që të dështonte plani armik i rrethimit në Okshtun. Gjatë marshimit të 2 marsit, për t’iu ngjitur Kaptinës, u shkëputën dy partizanë të ngrirë nga këmbët, Vesel Sherifi dhe Hysen Saliu, të cilët, pasi u kapën nga armiku u pushkatuan.
Dalja nga rrethimi i Martaneshit
Brigada, pasi i ra përmes malit të Kaptinës, duke përballuar të gjitha vështirësitë e jashtëzaknshme të këtij mali të lartë e të pakalueshëm, në mbrëmjen e datës 2 mars, pas një marshimi prej 24 orësh, hyri në lagjen Lenë të Martaneshit. Nëpër shtëpi gjejmë vetëm gra e kalamaj. Burrat janë të lajmëruar nga komanda e gjindarmërisë për ardhjen tonë dhe po përgatiteshin të na godisnin në befasi. Nga mezi i natës mbrin edhe Batalioni i praparojës. Familjet na presin mirë, sepse me shpirt janë me ne. Bashkë me gëzimin e tyre përzihet edhe frika e madhe që u kanë kallur tradhëtarët. Ata ishin aty afër, rretheqark, duke na përgjuar. Largimi i burrave nga fshati do të thoshte se armiku ishte përgatitur për të luftuar. Ballistat dhe gjindarmët kishin zënë të gjitha pikat kyçe në mënyrë që të ndalohej dalja e partizanëve nga katundi dhe të gozhdoheshim në vend derisa të mbrinin forcat gjermane. Situate kërkonte veprim të menjëhershëm, duke kapur me çdo kusht Shkallën e Valës, i vetmi shteg për të dalë nga Martaneshi. Brigada ndodhej në çastin më kritik të atij inkursioni, pasi ishim në pozita topografik shumë më të vështira. Armiku kishte zënë të gjitha pkat mbizotëruese.
Ja si paraqitej terreni në Martanesh, ku ndodhej në këto orë Bigada. Katundi gjendet në këmbët e malit të Kaptinës. Vendi është i thyer dhe përshkohet nga dy përenj të thellë: përroi i Zallit dhe ai i Çiçullit; që të dy së bashku, kur bashkohen në lagjen Peshk, formojnë lumin e Matit. Për të dalë nga Martaneshi ka tri drejtime: ai i lagjes Gjonaj, i Gurabardhës nëpër Shkallën e Valës dhe ai i Okshtunit, duke kaluar nëpër Kaptinë.
Gjatë datë 2 dhe 3 mars armiku, me forca të mëdha, i zuri të gjitha vendkalimet. Kështu që Brigada mbeti e rrethuar plotësishtë. Sipas armikut, ajo kishte rënë në një thes që s’kishte për të dalë kurrë e gjallë. I vemi varjant i mundshëm ishte çarja e rrethimi drejt Shkallës së Valit dhe kapja e Gurabardhit. Shkalla e Valës nga Lena ishte 4-5 orë larg. Para se të fillonte lëvizja, duhej pritur ardhja e Batalionit të praparojës, duheshin përqëndruar të gjitha forcat, pasi shpërndarja e tyre i jepte mundësi armikut që të na shpartallonte pjesë-pjesë.
Në orën 24.00 të datës 2 mars, me mbritjen e Batalionit të praparojës, pa marrë parasysh aspak lodhjen e madhe të partizanëve, që kishin ngjitur e zbritur malin e Kaptinës, u dha urdhëri të vazhdohej marshimi. Në të dalë të fshatit armiku fillimisht hapi zjarr nga largësia mbi kolonë. Ishin xhandarët e Abas Kuptit dhe tradhëtarët e Martaneshit. Ata kanë për qëllim që, në mos na asgjësofshin, të na ngujojnë të paktën një ditë në Martanesh, për t’u dhënë kohë dhe mundësi forcave gjermane të mbrinin aty të nisura nga Dibra dhe Burreli, apostafat për këtë qëllim. Lufta u ndes përpara, anash dhe prapa.
Pikat mbizotëruese në të dy anët e kolonës sonë i kishte armiku, kurse për ne përtzanët terreni ishte krejtësisht i panjohur. Nata ishte shumë e errët. Agimi i ditës nuk duhej pritur, pasi situate luftarake do të keqësohej edhe më shumë. Duhej shfrytëzuar nata për të dalë nga rrethimi. Armiku filloi hapi zjarr nga largësi më të afërta, por nuk pësuam humbje, ngaqë errësira e bënte zjarrin e tyre të pasaktë. Në këtë gjendje të rëndë, komandanti i Brigadës urdhëroi: “Pararoja e Batalionit të tretë të çajë rrugën me force; Batalioni i parë të siguroi të dy krahët, praparoja të udhëtojë duke luftuar, kolona ta vazhdoi rrugën me shpejtësi!”
Pararoja, duke i shpartalluar forcat kundërshtare, që na kishin bllokuar rrugën, marshoi me shpejtësi përpara. Batalioni i parë u hap në të dy anët e rrugës, sulmoi armikun dhe i vuri në ikje forcat e xhandarëve e të ballistëve, duke marshuar paralel në të dy krahët e kolonës. Thirrjet “Urra” të partizanëve dhe rënia e buries, si dhe oshëtimat e bombave, i futën panik armikut, dhe që në ndeshjen e parë ai u demoralizua e nuk ishte në gjendje të mbante asnjë pozicion. Brigada e çau me luftë rrethimin në lagjen Lenë të Martaneshit dhe arriti në lagjen Peshk, në bregun verior të përroit të thellë të Çiçullit, në fund të Shkallës së Valës. Armiku në lagjen Peshk kishte zënë kodrat, të cilat përbënin një pozicion të fortë, sepse nga ana e poshtme mbyllte shkallën e Valës, prandaj ajo duhej marrë me çdo kusht, natën. Të merrej Shkalla e Valës me sulm ditën, do të thoshte të jepnin jetën dhjetra partizanë.
Sipas urdhërit të komandantit të Brigadës, pararoja dhe forcat e Batalionit të parë e sulmuan armikun dhe e shpartalluan atë. Tashti gjithë puna varej në kapjen e Shkallës së Valës, prandaj urdhërohet Batalioni i tretë që të shpjtonte e t’i ngjitej sa më shpejt Shkallës së Valës.
Pasi u muar kodra e lagjes Peshk, ku na u vra komandanti i pararojës, trimi Kamber Sadiku, batalioni i tretë zbriti poshtë në përruan e Çiçullit dhe filloi të ngjitej përpjetë Shkallës së Valës, që ka 72 të përdredhura, nëpër një shkrep të rrezikshëm, disa qindra metra i lartë. Në kohën që Batalioni i tretë kishte filluar të ngjitej kthesave të Shkallës së Valës, filloi të agonte dita. Pararoja u godit nga zjarri i kryqëzuar i dy mitralozave të rëndë të armikut, nga e majta, nga lagjia Gërliçe, dhe nga e djathta nga kuota e lagjes Gjonaj. Për të dalë në krye të Shkallës së Valës, Batalioni i tretë duhej të asgjësonte ose të neutralizonte të dy mitralozat e rëndë, përndryshe do të kishte humbje të mëdha. Dy qëndrat e zjarrit të armikut u neuitralizuan nga zjarri i përpiktë i dy mitralozave të rëndë të Batalionit të dytë, që me sakrifica të mëdha i kishin sjellë gjer aty dy mitralierët trima: Haxhi Zabërzani dhe Sadik Zabërzani. Këta mitraloza ishin të vetmet armë të rënda të Brigadës, që u sollën përsëri në Jug, por që në luftimet e Martaneshit luajtën një rol me rëndësi të veçantë.
Shumica e kolonës kishte ndaluar në bregun verior të përroit të Çiçullit. Ajo vështronte dhe priste me ankth të zihej Shkalla e Valës nga pararoja jonë, se vetëm atëhere shumica mund të zbriste në përrua dhe të fillonte ngjitjen lartë shkallës. Ndërsa pararoja po ngjitej përpjetë, forcat armike, nga katundi Valë po marshonin për të zënë Shkallën dhe për t’u ardhur në ndihmë forcave të tyre që luftonin në Martanesh. Pararoja jonë e zuri Shkallën vetëm 2-3 minuta më shpejt se ta kapte armiku dhe u ndesh me focat e tij, të cilat i theu e i ndoqi këmba-këmbës. Zënia para armikut e Shkallës së Valës, e nxorri Brigadën nga rrethimi në Martanesh. Brigada e Parë Sulmuese hyri në Martanesh nga çatia, d.m.th. nga sipër, nga mali i Kaptinës, mirëpo iu mbyllën portat nga mund të delte. Si rrjedhojë, ajo qe e detyruar ta çante me luftë rrethimin dhe të delte nga një dritare e vogël, siç ishte Shkalla e Valës, por që edhe këtë dritare duhej ta hapte vetë. Dhe e hapi. Këtë fitore në rradhë të parë e vendosi marshimi i shpejtë i partizanëve dhe trimëria e guximi i tyre, të cilët, pa marrë parasysh lodhjen dhe dobësimin fizik gjat gjithë marshimit në prapavijat e armikut, manovruan me shpejtësi të madhe.
Në Martanesh Brigada luftoi në rrethim për 9 orë rresht, pa pushim, kundër forcave armike që kishin zënë me kohë të gjitha pikat zotëruese të fshatit dhe në të dy anët e rrugës, në një gjatësi prej disa kilometra. Sulmi i guximshëm e i shpejtë i pararojës dhe i gjithë partizanëve, duke shfrytëzuar errësirën e natës, bëri që armiku të thyhej e të tërhiqej, duke lënë 24 të vrarë, ndërsa nga ana jonë u vra vetëm komunisti trim Kamber Sadiku nga Kurveleshi. Në Martanesh u shkëputën edhe 6 partizanë të sëmurë e të ngrirë, disa prej të cilëve u gjetën më pas dhe u vranë mizorisht nga armiku, kurse të tjerët shpëtuan dhe u kthyen më vonë në Brigadë.
Arritja e objektivit: Shëngjergji
Për të arritur nga Martaneshi në Shëngjergj, që ishte objektivi i fundit i Brigadës, mund të kalohej vetëm në dy drejtime: ose nga ana e Bizës, ose nga ana e Gurabardhit. Bora e madhe e Bizës e bënte të pamundur lëvizjen e forcave në atë drejtim, prandaj duhej kaluar nga drejtimi i Gurabardhit. Kalimi do të bëhej në intenerarin: Gurabardh-Qafën e Murrizit-Selitë e Tiranës-Shëngjergj. Futja e kolonës thellë gjer në Gurabardh të Matit dhe pastaj kthim 45 gradë majtas, drejt Tiranës, e vinte përsëri Brigadën ne rrezik, pasi armiku mund të na delte përpara në Selitë, ose në Shëngjergj dhe të na godiste me forca më të mëdha. Por, meqenëse, për arritjen e objektivit nuk kishte tjetër rrugëdalje, u vendos të kalohej nga Gurrabardhi. Ky varjant kishte dhe një anë tjetër shumë pozitive. Pa marrë parasysh që fshati ishte nën ndikimin e Abas Kupit, ky fshat ishte njëkohësishtë edhe bazë për partizanët. Atu kishte edhe simpatizantë të Luftës Nacional-Çlirimtare, dhe nuk do të na luftonin. Bindja se Brigada do të lëvizte më shpejt se kundërshtari dhe besimi i patundur se në rast ndeshjeje me armikun ne do të delnim fitimtarë, e bindi komandantin e Brigadës të urdhëronte të marshonim në drejtim të Gurabardhit.
Pas një ditë marshimi të shpejtë, duke kaluar një dyzinë qafash e grykash, në orën 18.00 të datës 3 mars, kolona arriti në Gurabardh. Gjat marshimit, pasi ishte kaluar katundi Valë, një njësit partizan i vendit, që ndodhej te Guri i Pëllumbit, i udhëhequr nga zevendëskomandanti i batalionit të Martaneshit, Avram Koja, duke dëgjuar luftën, e lanë shpellën ku qëndronin dhe zbritën në rrugë, për t’u takuar me partizanët e Brigadës sonë. Atë ditë, pas 13 ditë marshimi dhe 9 orë luftimi në rrethim, nëpër borë, pa një pushim të mirë dhe pa ushqim, gjendja fizike e partizanëve ishte e tillë që nuk mund të vazhdohej marshimi dhe nuk mund të sigurohej më tej gatishmëria luftarake e Brigadës. Komandanti i Brigadës, pa marrë parasysh se ndodheshim shumë thellë në prapavijat e armikut, në krahinën e Matit, ku sundonte plotësisht reaksioni, duke parë lodhjen e madhe të partizanëve, vendosi që forcat e Brigadës të pushonin 12 orë, gjer në orën 06.00 të mëngjezit të datës 4 mars, me qëllim që të shlodheshin dhe të hanin ushqim.
Pasi u muarën masat e sigurimit, partizanët u futën nëpër baza. Më në fund, pas kaq ditë marshimi, partizanët pushuan, u ngrohën dhe hëngrën bukë. Në Gurabardh erdhi gjithashtu një njësit i çetës së Matit, i udhëhequr nga zevendëskomandanti Haki Fejzo, i cili u takua me ne partizanët e Brigadës së parë. Takimi i këtyre njësiteve me forcat Br1S ishte një ngjarje e jashtëzakonshme dhe e paimagjinueshme për të gjithë, popull e partizanë. Në Gurrabardh, pasi u siguaruam, Brigada la 12 partizanë të sëmurë nga këmbët.
Brigada marshonte më shpejt se lajmëtarët e armikut, që njoftonin drejtimin e lëvizjes së saj. Dy ditë pasi Brigada kishte lënë Gurabardhin, u lajmërua Tirana, se “Çeta në fjalë, mbasi ka arritur në lagjen Plepë të Okshtunit, në të nesërmen qysh natën ka marrë drejtimin për në Kaptinë… Pas luftimeve në Martanesh, çeta u nis për Gurabardh të Matit.”, (Arkivi Deg.Hist.Usht, mars 1944, seria B, dok. Nr.3665).
Gjatë datës 3 mars, forcat armike ishin nisur nga Dibra dhe Burreli për në Martanesh. Në 4 mars, në ora 06.00, kolona jonë filloi marshimin, kaluam përmes një furtune Qafën e Murrizit, e cila është në një lartësi prej 1200 metrash, dhe dolëm në katundin Selitë, prapa malit të Dajtit.
Në mëngjes të datës 5 mars kolona gjarpëronte mbi luadhet e Selitës, e aty rreth orës 13.00 arritën në Shënmëri e Shëngjergj. Ndër partizanët ndihet një gëzim i madh, sepse tash ndodheshim në krahinën e Shëngjergjit, bazë e flaktë partizane. Populli na pret me gëzim të madh; gra, bura e kalamaj dalin të na presin e të na shfaqin mirëseardhjen.
Urdhërin që mori Brigada I Sulmuese nga Shtabi i Përgjithshëm, për të arritur në Shengjergj, e zbatoi, duke kapërcyer çdo pengesë dhe duke shpartalluar me guxim çdo fuqi armike që guxoi e na doli përpara. Këtu u morën informata të sakta se komanda e Shtabit të Përgjithshëm kishte kaluar Shkumbinin dhe ndodhej në zonat e lira të Shqipërisë së Jugut. Pikërisht, në 1 mars, kur Brigada hyri në zonën e Dibrës, komanda e Shtabit të Përgjithshëm kaloi qafën e Shënepremtes, pasi kishte bërë 230 km rrugë në prapavijat armike dhe u takua me forcat partizane…
Tani Brigada kishte liri veprimi më të madhe. Ajo mund të marshonte dhe të vepronte si të dontë, pasi urdhërin e kishte plotësuar. Shëngjergjin e kishte arritur dhe njoftimin për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm e kishte marrë… Në 8 mars Brigada u fut thellë në zonën e Pezës.
Fund

Faqe te ndritura heroizmi. Lavdi te perjeteshme ketyre njerezve me shpirt te larte sakrifice, ndjenje pergjegjesie, ketyre trimave me ideale sublime lirie e patriotizmi.
Lavdi partizaneve,
Lavdi Brigadave Partizane,
Lavdi gjakut te derdhur ne lufte kunder nazi-fashizmit dhe bashkepunetoreve te tyre vendas!
Lavdi Deshmoreve te LANCit!
Lavdi vepres se tyre!
VFLP