Nga më të zgjedhurit në vite- Epigrame

Ornela

Pa titull….
Shumë vite të trazuar,
rrojta dhe s’e nxiva faqen,
o sa shumë paskam jetuar,
mes jush që urreni paqen!..

Pa titull…
Të shikoj e bëj çudi,
pisllëku si s’të zë frymën,
më vjen keq të të pështy,
jo për ty-po për pështymën!.

Frymëzim biblik…
Zoti im-e s’ka më tjetër,
më largo nga çdo gënjeshtër,
mos mé bëj mbret me thesar,
as të varfër gjynahqar.

Më jep ti-o Zot i ndritshëm,
veç ushqimin e përditshëm!

I pabesi…

I pabesi në fron të pushtetit,
që dredhia aq lart e ka ngritur,
kafshon si qeni i detit,
dhe si një ari i uritur…

Pa titull…
S’do jetë gjithmonë kjo Botë,
s’do jetë një këngë pikëllimi,
ajo që sot mbillet me lotë,
do korret me këngë gëzimi…

Pa titull…
Burrat shpikën zjarrin,
për të djegur furrat,
Zoti-gjinjtë e grave,
për të djegur burrat!…

Pa titull…
E hodhën në kosh të plehut,
t’i merrnin nderin të mirit,
po ai kosh i shëmtuar,
mori vlerën e floririt!…

Era e hudhrës…
A e dini ju-o njerëz,
një fjalë plot ëmbëlsirë?.
“Erë e hudhrës e mund keq,
dhe parfumin më të mirë!..”

Po ratë…
Po ratë si lisi në tokë,
ta dini se kaq e patët,
se dihet-në atë lis,
bëjnë dru edhe sakatët!..

Pa titull…
O qymyr s’të bëj dot shok,
s’kam lindur për vetmohim,
kur je i ndezur-të djeg,
kur je i shuar-të nxin!..

Floriri…
E hodhën floririn-e tretën,
në llum e llagëmin e zi,
një shekull kaloi dhe e gjetën,
floriri kishte mbetur flori!…

Fjala…
Se e para ishte fjala,
ndaj asaj me shpirt ju fala,
dhe e di në të vërtetë,
se sa vlen fjala në jetë!.

Ç’ke në zëmër s’ta shikoj,
ç’del nga buza ta dëgjoj,
fjala të bën mal të lartë,
fjala të zhyt dhe në baltë!

Arben Duka

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *