E para
Asnjëherë në libër,
s’janë shkruar afatet,
po këtu do lahen,
të gjitha mëkatet!
E dyta
Të shpuan-të gjuan,
mos u mërzit kurrë,
veç pema me kokrra,
goditet me gurë.
Të shpuan-të gjuan,
rri e mos bëj njërën,
s’e nget kush me gurë,
as drizën-as ferrën!
E treta
Një këshillë prej meje,
merre-o njeri:
“Ku të duan shumë,
shko me terezi.
Si një Don Kishot,
mos u mpreh në karro,
po shkove përditë,
bëhesh bakalaro!”
E katërta
Çdo gjë përfundon,
në një çast të vetëm,
kur një errësirë,
ta mbulon krejt jetën!
E pesta
Ka diçka në jetë,
që nuk do sforcim,
dhe kjo është Mirënjohja,
more miku im!
E Gjashta
Asnjeri në fshat,
s’ta hapte shtëpinë,
po ti nuk lëvizje,
se doje Kadinë!
Ta vunë kufirin,
tutje në Virua,
ti vajzën e Priftit,
kërkoje për grua!
Ta vunë kufirin,
te thana me lule,
dhe ti nga inati,
gjithë thanën e shkule!
Dhe bëre si bëre,
ece dhe një metër,
po aty-për dreq,
ishte thana tjetër.
Ndaj dëgjo nga unë,
dy fjalë me vlerë:
“Po t’u vu kufiri,
s’çan dot asnjëherë!”
E shtata
Po linde i trembur,
mos u mundo kot,
me shqipet të rrish,
shqipe s’bëhesh dot!
E teta
Kur nga dora jote,
të lot terezia,
ç’të bën një putanë,
s’ta bën Perëndia!
E nënta
Shkonte mbi urë miza,
mbi një elefant,
-Urën unë e tunda,
tha miza garant!
Kjo ndodh e ka ndodhur,
në gjith’ shekujt mbarë,
meritat e njërit,
tjetri i ka marrë.
Gjithnjë do të dali,
një si punë e Fantit,
si miza që ishte,
në bisht të elefantit!
E dhjeta
Këndonte bilbili,
edhe nuk pushonte,
desh një dallëndyshe,
që ta imitonte.
Sapo e dëgjoi,
foli xha Tafili:
“Ç’ne që dallëndyshja,
këndon si bilbili?!
Dallëndyshe e vogël,
mos na lër pa mënd,
këndo si të duash,
por me zërin tënd!
Arben Duka
