Nga një udhëtim drejt Bajram Currit

anazapta

Jam nis për në vendlindje. Si gjithënjë në këto raste kam një ndjenjë ngazëllimi. Udhëtoj me Ilirin, djalin e një shokut tim në rrugen Tiranë-B.Curri, apo siç kanë qejf ta quajnë rruga e kombit. Sapo kemi lënë Milotin. Veshtroj si i etur panoramat në të dy anet e rruges. Gryka e Fanit të prezantohet me ca prozhme me shkurre, e siper në kreshta lodrojnë shtëllunga të stermëdha tymi. Lisa askund. Hyjmë e dalim nga tuneli i Thirres, shikojmë anash , majtas e djathtas , vetem shpate , që bien thikë në Fan. Shpate të rjepura  e te përcëlluara. E lëmë djathtas Kukësin e drejtohemi per nga Ura e Drinit. Një rrugë tmerrësisht me gropa, një rrugë gjurem të çon drejt Krumes. Po kryeministri në këtë rrugë kaloi, kur peruroi atë shkollën që e dhanë televizionet? – pyesim një burrë që e morem si pasagjer te Kulla e Lumes …..Jo erdhi me helikopter. Sa keq, ta kish provuar edhe ai këtë rrugë, – psherëtiu djali i shokut tim, që mezi manovronte në timon, duke ju shmangë gopave e rrëshqitë reve të pluhurit. – E ka filluar një firmë, por i ka braktisë punimet, s’ka fonde, na ngushllon bashkëudhëtari vëndas.

Perpara syve tonë  pllaja gjigande e Hasit, që shtrihet deri në Skatinë e rrëzë Majes se Oplasit, ngjan me një qënie të lashtësisë, plagosë për vdekje aty buzë liqenit të Fierzes duke dhënë shpirte. Syri nuk të zën kerkund asnjë lis, lajthi, shkozë, vetem ca shkurre në të rrallë. Ato çka i shpetuan sopates e motostekes i perlau zjarri. Nga Cuka e Deges buze

Drinit e deri në Qafen e Milisë tani duket edhe bolla tek shkëlqen në rrasat e gurëve. Gjithë ato pyje duket se i ka përpirë dheu…

Se si mu kujtua mbesa ime e vogel Julia, që jeton me prindërit e vet në Poloninë e gjelbërt. Po të ishte këtu me mua, megjithëse nuk e ka lexuar dhe as nuk e njeh mjeshtrin e madh të vargut Xhevahir Spahiun, fare natyrshem me atë pafajësinë e vet fëminore do më kishte pyetur (duke i korektuar  fare lehte vargjet)… /Më thuaj o gjysh/ Ku janë lisat/Apo kan shkuar edhe ata refugjatë?/(Xh.Spahiu: Udha fq.176.).  Eh mor gjysh, ja kthej unë, dikush, një mëndje e ndritur ka thënë : “Nga nje pemë mund të prodhohen tre million fije shkrepseje, nga nje fije shkrepseje mund të digjen tre milion pemë”. Mos e harro kurrë këtë gjyshi. Ndoshta brezi juaj kur të rriteni, do bëjë pa tjeter gjëra të mira për tu dhënë jetë maleve e lisave. Shpresoj…

 

Letër e nënshkruar: Hysni Osmanaj

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *