Nuri Plaku
Historiku i një qyteti të vjetër dhe të ri
Qyteti i vogël agrar i Roskovecit shtrihet në pikën nevralgjike të udhës Fier-Berat dhe dëshmon në mënyrë energjike një transformim urban rrënjësor të kryer në dy vitet e fundit. Por, të prekësh dhe interpretosh ndryshime të tilla, në fokusin e transformimit të një qyteti, duhet të njohësh të djeshmen e tij dhe të ndërtosh korelacionin kohor me të sotmen. Nga kjo pikëpamje, Roskoveci i sotëm është aq i ndryshëm nga profili i tij i mparshëm, sa mund të themi me bindje se është e para herë në jetën e tij 100 vjeçare, që ka kapërcyer vetveten e të quhet një qytet i vërtetë. Tashmë, për vlerat e tij historike, etno – kultrore dhe humane, për ndikimin ekonomik nëpërmjet shkëmbimit të gjerë të mallrave, për rrezatimin e marrëdhënieve të reja midis njerëzve dhe për hapat e shpejta të modernizimit, Roskoveci mund të konsiderohet metaforikisht një “monedhë floriri” në xhepin gjeografik të krahinës.
E djeshmja e këtij qyteti lidhet me tregun rural dhe rrugën automobilistike që e përshkonte atë mespërmes. Tregu apo pazari ka filluar të zhvillohet veçanërisht në gjysmën e parë të shek. XIX, pikërisht atëherë kur në Myzeqe u zhvilluan edhe tregu i Fierit, Libofshës e Cakranit. Sipas studiuesit Zija Shkodra, në gjithë Shqipërinë e Jugut pazaret më të njohur në këtë kohë, kanë qenë, ai i Roskovecit në Myzeqe dhe i Këlcyrës në rrethin e Përmetit. Në pazarin e Frashërit siç quhej dikur, vinin me mallrat e tyre tregtarë nga Berati, Lushnja, Vlora, Mallakastra, Tepelena dhe Kavaja. Aty tregtoheshin të gjitha prodhimet bujqësore e blektorale, prodhimet artizanale dhe ato të fabrikuara të vendit e të huaja. Në këtë mënyrë, ky treg ka qenë helika e qarkullimit të mallrave me cikël javor dhe bërthama energjike e zhvillimit të tij ekonomik.
Ndërsa rruga automobilistike ka qenë gjallëria e jetës së tij të përditshme. E krijuar si gjurmë mesjetare, kjo udhë është hapur në vitet ’30 shek. kaluar, u shtrua me asfalt dhe mori formën e sotme, duke përbërë një arterje kryesore të këtij qyteti. Autobuzët e rrallë në vitet e socializmit, Skodat dhe Saurelët e gurores së Urës Vajgurore dhe makinat e bujqësisë, joshnin kalimtarët dhe krijonin ritualin e përhershëm të vështrimit në drejtim të tyre. Por kjo rrugë pëbënte edhe “fatkeqësinë urbane” të këtij qyteti pasi ndërtesat ishin zhvilluar në të dyja anët e saj dhe nuk të lejonte të krijoje një shesh apo qendër tradicionale si gjithë qytetet e tjerë të Shqipërisë . Kjo lloi “agoraje” që e kishin edhe qytetet në antikitet ku mblidhej populli, për Roskovecin ishte tabu. Nga kjo pikëpamje qyteti nuk ishte mirëfilli i tillë. Ish ndërtesa dykatëshe e komunës me një rryp të ngushtë trotuari përpara ishte deri vitin e kaluar qendra e vetme tradicionale ku mblidheshin nevojtarët apo liheshin takime.
Nga viti 1923 kur kjo qendër mori statusin e komunës, e deri më sot ka pasur vetëm dy projekte themelore të mbështetur nga qeveria, njëri në vitin 1927 dhe tjetri më 2018. Në vitin 1927, për herë të parë u paraqit një projekt urban ambicioz i cili do ta shndërronte Roskovecin në një qytet të vërtetë bashkëkohor, por nuk u realizua për arësye financiare. Në vitin 1932, ky projekt tërhoqi sërish vëmëndjen e qeverisë shqiptare dhe filluan veprimet paraprake për zbatimin e tij, por mjerisht, vendi u përfshi nga kriza ekonomike botërore e viteve 1929 – ‘33 dhe ky projekt sërish nuk u zbatua. Ndërkohë, qeveria e Zogut dhe pronarët e trojeve filluan të bënin disa ndërtime përgjatë anëve të rrugës. Tregtari i njohur Ali Çepele ndërtoi një hotel dykatësh me arkitekturë moderne të nivelit bashkohor e kompletuar me një sistem të gjerë shërbimesh. Kati i parë kishte farmaci, kazino, rrojtore, furrë buke e dy magazina. Kati i dytë shërbente si hoteleri me 15 dhoma. Kjo ishte godina e parë e mirëfilltë, e cila u bë pika e gravitetit dhe bërthama e zhvillimit urban të kësaj qendre. Nëpërmjet saj, Roskoveci e kapërceu nivelin e çertexhinjve të “ngujuar” nëpër baraka me dërrasa dhe mure balte dhe shënoi alfën e urbanizimit të tij.
Në vitin 1934 u ndërtua godina dykatëshe e Komunës e projektuar nga inxhinjeri i ministrisë së punëve Botore, Spiro Koleka dhe u bë lulishtja e parë. Në vitin 1936 u sistemua tregu i fruta perimeve me rrugica të shtruara dhe u ndërtua godina një katëshe e merkatos së mishit me sipërfaqe 200 m2, e cila mbas çlirimit u përdor për magazinë grumbullimi. Këto vite, filluan të ndërtoheshin edhe vilat e para private si vila e Ali Çepeles, Hebesë, Zavalanit, Podës, Selenicës, Frashërit etj.
Në fund të viteve’30, Roskoveci kishte formuar qendrën e tij e cila zinte 150 m. gjatësi nga të dyja anët e akseve të rrugës nacionale dhe asaj të Mallakastrës. Në vitin 1938 me rastin e 10 vjetorit të Mbretërisë shqiptare, kjo qendër u përfshi në albumin fotografik të reklamës urbane dhe u trumbetua si një sukses i qeverisë zogiste. Krahasimi bëhej me gjendjen e peisazhit mjeran të barakave që kishin qenë aty deri para nji dekade dhe ndryshimeve të reja aktuale.
Por mbas çlirimit, si për ironi të fatit, qendra e Roskovecit mbeti po ajo e periudhës zogiste. Vetëm vonë, në vitet 1966-’69, filloi tu jepej rëndësi ndërtimit të banesave të qytetarëve dhe krijimit të sektorit komunal. Këto vite jan ndërtuar 200 ml. trotuar nga kryqëzimi i qendrës deri në fund të godinës së shkollës “Alush Grepca”. Në vitin 1969 Roskoveci mori gjithashtu edhe statusin e qytetit. Nga ana tjetër Roskoveci po ecte me hapa galopante në drejtim të zhvillimit ekonomik. Ndërmarja bujqësore mori këto vite zhvillim të ndieshëm dhe e radhiti Roskovecin në një nga qendrat më prodhimtare në të gjithë vendin. Sektori i rritjes së derrit të lloit euro – amerikan, mori përmasat e një instituti të rëndësishëm ekonomik eksperienca e të cilit u bë shkollë e suksesshme në gjithë Shqipërinë. Sektorë të tjerë si bujqësia, shpendët veçanërisht rosa pekineze, mbarështrimi i lopëve, vitikultura, frutikultura, etj., patën një hop të ndieshëm zhvillimi. Një fushë e rëndësishme prodhimi ishte kultivimi i duhanit i cili për specifikën e tij u quajt variateti “Roskoveci” duke i dhënë qytetit një emër të mirë në shkallë kombëtare. Të gjitha këto arritje krijuan premisën e ndryshimeve urbane, por kjo nuk ndodhi. Gjithë ndërtimet e tjera përgjatë viteve në vazhdim, kan qenë thjeshtë godina banimi anës së rrugëve, në funksion të zgjerimit dhe rritjes së tij demografike. Kjo gjendje vazhdoi edhe mbas viteve ’90, madje më e rënduar se më parë, si pasojë e ndërtimeve të ndryshme abuzive.
Në fund të vitit 2018 me këmbënguljen e kryetares aktuale të bashkisë, znj. Majlinda Bufi, u përftua nga qeveria projekti i ri i qendrës me një ivestim prej 232 482840 lekësh. Ishte pikërisht ky projekt që bëri revolucionin e vërtetë të këtij qyteti, spostoi rrugën auomobilistike në lindje, në unazën e madhe e i dha atij pamjen e sotme moderne, me një shesh të rëndësishëm që lidhet me ish rrugën nacionale dhe ndahet ndërkohë prej saj, nëpërmjet ish godinës së bashkisë. Nga ana e perëndimit u bë frekuente gjithashtu një unazë tjetër, më e vogël, që shërben për qarkullimin e brendshëm të mjeteve.
Për zbatimin e këtij projekti u prishën magazinat e hershme, ish merkatua e mishit dhe ato të ndërtuara në vitet e socializmit dhe u përftua një hapsirë prej 3.2 ha. Sheshi hapet gjerësisht me një pamje pozante, është i gjithi i shtruar dhe modeluar në përshtatje me reliefin kodrinor. Në krye të tij, ngrihet godina e re dhe madhështore e bashkisë, e cila rrezaton vlera të veçanta arkitekturore, ndërsa para e rreth saj, krijohet një frymëmarje e gjerë ekologjike dhe kulturore. Në afërsi të banesave jan kompozuar kënde pushimi me stola, pemë dhe lule. Aty pushojnë njerëz të moshave të ndryshme dhe të bije në sy rikthimi i traditës së amvisave të cilat dalin mbasditeve me punët e shtizave në duar dhe bisedojnë me njëra – tjetrën. Kur i pyet për ndryshimet e reja urbane në qytetin e tyre, ato të përgjigjen nxitimthi, pa radhë dhe mjaft të emocionuara. Midis tyre mund të veçosh dy shprehje karakteristike të zhargonit popullor, të cilat japin qartë thelbin e konsideratave për kryetaren. “Na e bëri çupa jonë qytetin, uratën pastë!, shprehet një grua e moshuar. Ndërsa shoqja e saj, vë dorën në ball të mbrohet nga dielli, bredh një çast vështrimin rreth e qarkë dhe thotë: “Tani Roskoveci ynë është bërë more zotni, lëm o zot të rrojë!”Dhe kjo është e vërtetë, ndikimi i këtij sheshi tek banorët ka krijuar një impakt të thellë moral e psikologjik. Ata ndihen më të lirë në frymëmarrje, më të qetë në lëvizje e më të sigurt në vetvete. Dhe teksa dëgjon këto opinione të gjalla, më kujtohet thënia lapidare e filozofit Niçe: “Individët e shtyjnë historinë përpara.”Ky individ dhe kjo histori e ndryshuar e Roskovecit, ka gjetur binomin e vetë më harmonik pikërisht tek Majlinda Bufi. Në këtë fokus, mësuesi veteran nga Luari, fshati turistik i kësaj bashkie Ramadan Hoxha, i referohet vargut të gjatë të drejtuesve të kësaj qendre në vite dhe shprehet se”Këtë punë nuk e kan bërë as burrat!” Kjo referencë lidhet në gjykimin e tij me këmbënguljen e kryetares për “të trokitur me ngulm në dyertë e qeverisë.” Në këtë linj, ish kolegia e Majlindës në parlamentin shqiptar, deputetja aktuale Antoneta Dhima, teksa fliste në një moment për kryetaren, e lidhi suksesin e saj pikërisht me këtë trokitje që aludonte mësuesi veteran. “Kam qenë dëshmitare, – tha ajo- kur Majlinda këmbëngulte në qeveri për të mar patjetër projektin e qendrës së qytetit.”Me këtë këmbëngulje të pareshtur, me këtë punë të vazhdueshme për ndryshime thelbësore, Majlinda ka fituar luftën më të vështirë të një drejtuesi, besimin në popull. Dhe kjo është “thembra e Akilit”për një drejtues, është thelbi që i mëshonte aq shumë Makiaveli në teorinë e tij të qeverisjes. “Të qeverisësh, – thoshte ai, – do të thotë të bësh të besojnë.”
Por natyrisht, Majlinda nuk është përqendruar vetëm te ky sektor. Puna e saj rrezaton kudo, në çdo cep të bashkisë, veçanërisht në ifrastrukturën rrugore të fshatrave, në sigurimin e ujit të pishëm, mirëmbajtjen e sistemit të irigacionit, nxitjes së biznesit., dhe sidomos në fushën e kulturës.
MEMORIALI I DËSHMORËVE
Një nga angazhimet kryesore të kryetares së bashkisë, është edhe pasqyrimi i vlerave historike dhe etnokulturore të kësaj treve nëpërmjet artit të skulpturës. Në dy hyrjet kryesore të qytetit ajo ka ngritur dy statuja bronxi të cilat duket sikur presin e përcjellin çdo ditë kalimtarët e pafund të këtyre anëve. “Vajza myzeqare” sikur kërkon tju shuaj etjen me shtëmbat e mbushur në burim, ndërsa tregëtari me peshore që simbolizon tregun historik, duket si një orakull, që kërkon të “peshojë” fatin e secilit që hyn e del nga ky qytet.
Tashmë është bërë traditë që çdo 24 korrik, të festohet dita më e bukur e vitit, festa e qytetit. Krahas ftesës së bijve të larguar nga qyteti, kudo që janë në Shqipëri e në botë, krahas koncerteve dhe programeve të ndryshme, bashkia bën kujdes që këtë datë të përurojë edhe një objekt të ri. Këtë vit, krahas godinës së bashkisë u përurua edhe memoriali i dëshmorëve të atdheut. Kjo është vepra e tretë artistike që ka bërë Bashkia e Roskovecit. Ai ka përmasa të mëdha, 8 x 8m, është i mbuluar dhe brenda tij në katër pllaka çeliku, janë gdhendur 72 emra dëshmorësh. Është hijerënd e pozant dhe të ngjason me një tempull perëndish. Kur themi se dëshmorët jan të pavdekshëm mund të nënkuptojmë nga pikpamja sureale se në trupin e tyre qarkullon gjak perëndish dhe ky memorial dëshmonë pikërisht këtë përjetësi. Tashmë dëshmorët e Roskovecit kan shtëpinë e tyre, mu në qendër të qytetit ku mund t’i vizitoj kushdo duke bërë aktin madhor të nderimit të gjakut të derdhur.
“Kjo është një vepër e vërtetë kujtese, që vështirë se e gjen në qytetet e tjerë”, u shpreh Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, ditën e përurimit të saj. Ndërsa Kryetari Komitetit Veteranëve LANC-it Odise Borodini, në fjalën e tij u fokusua te zotimi që kishte bërë kryetarja për realizimin e tij. ”Kur më tha kryetarja juaj para dy vitesh se do bënte një memorial për dëshmorët e Roskovecit, unë u çudita, – tha ai, – nuk e besova, por u entusiazmova nga vullneti i saj dhe i premtova se do të vija në përurimin e tij. Ajo e mbajti fjalën, e bëri memorialin dhe unë erdha, erdha, ta uroj e ta falenderoj përpara jush në emër të veteranëve të Shqipërisë për këtë vepër madhështore që ka bër. Me të tillë bijë dhe bija, historija e lavdishme e luftës sonë nuk do të harrohet kurrë!”
Edhe ky memorial, është pjesë e revolucionit të projektit dhe dëshmon simbolikën e asaj periudhe të lavdishme të popullit tonë që Majlinda Bufi ndihet aq shumë e motivuar për ta pasqyruar e respektuar me përkushtim.Tema e luftës për këtë drejtuese të pushtetit vendor, është shumë e ndieshme. Ajo njeh familjet e të rënëve, i konsideron ato të privilegjuara në vëmendjen e saj dhe mbi të gjitha njeh historinë e rënies së çdo dëshmori. Ajo përmend me krenari faktin se në Roskovec, shumica e të rënëve, krahas statusit të tyre si dëshmor i atdheut mbajnë edhe dekorata të ndryshme trimërije akorduar nga Kuvendi Popullor, për merita të veçanta. Dhe këtu nga pikëpamja historike, kryetarja ka shumë të drejtë ta demostrojë me mburrje e krenari historinë e luftës së kësaj treve sepse, Roskoveci është vendi i parë në gjithë Myzeqenë e Vogël dhe Mallakastrën i cili hapi siparin e formimit të strukturave ushtarake, me krijimin e çetës së Jagodinës më 10 janar 1943. Ndërsa në Suk, më 25 gusht 1943 u formua batalioni “Tofik Lapani”, një nga tre batalionet e krijuara në rrethin e Fierit.
Si rezultat i këtij organizimi të përsosur e shpirti të gjallë patriotik, Roskoveci rreshtoi në frontin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 451 forca partizane. Dhe në nderim të këtij kontributi, kryetarja përmbysi traditën e derisotme të kryejes së ritualit përkujtimor përpara një lapidari të thjeshtë graniti. Ajo ngriti një memorial, një tempull të vërtetë, që të imponon nderim të thellë e respekt të pafund për bijtë e rënë të kësaj treve.
Një punë me vullnet e përkushtim, po bën ajo tashmë edhe për hapjen e muzeut historik dhe etnografik, në ish godinën e bashkisë, ku do të pasqyrohen objekte me vlera autentike. Hapja e këtij muzeu është një vepër me vlerë dhe një atribut kulturor që e pasuron akoma më shumë qytetin e Roskovecit.Tashmë ka filluar puna për grumbullimin e materialeve, dokumentave arkivorë dhe objekteve të dëshmorëve, portrete të tyre, relike etj. Dhe të gjitha këto, Majlinda i bën me bindje të plotë për domosdoshmërinë e zhvillimit urban, i bën me kulturën e punës dhe besimin se e ardhmja e bukur e këtij qyteti, është në dorën e qytetarëve të tij. Në këtë kuptim, Roskoveci i sotëm i Majlinda Bufit, është më shumë se kurrë një “monedhë floriri”, në xhepin gjeografik të kësaj treve.
