Nga “Scorpions” tek “Onoda”

Ornela

Kambanat e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri kanë kohë që po bien për ata që kanë vesh e duan të dëgjojnë, por edhe për ata që nuk duan të dëgjojnë ose bëjnë sikur nuk i dëgjojnë. Shpallja “Non Grata” e ish kryeministrit Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë një rrjedhë tjetër luftës kundër korrupsionit e cila siç po duket prek edhe vendet aleate të Shqipërisë. Vendi i Shqiponjave sot është nën vëzhgimin e rreptë të radarëve antikorrupsion në rang botëror.

Kjo situatë e cila u mboll qysh prej 30 vjetësh në një Shqipëri e cila për nga standardet  ekonomike dhe politike duhej të ishte një nga vendet e para në përmbushjen e kritereve dhe kërkesave për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian. Faktet flasin vetë dhe ja ku jemi, sot ne i kërkojmë BE-së si një nxënës kokulur e tejet të bindur një të drejtë më se legjitime, pasi mendohet se i kemi plotësuar të gjitha pikat që i kemi pasur si detyra shtëpie. Ëndrra e një populli që e ka paguar shtrenjtë integrimin evropian filloi me këngën e grupit “Scorpions” me titullin “Era e Ndryshimeve” e cila me dashje ose pa dashje kishte qenë pararendëse për koncertin e këngëtarit Italian Albano Karrizi në stadiumin e futbollit “Qemal Stafa”, ku mijëra spektatorë kënduan këngën e famshme “Liberta”. Regjimi komunist ndërkohë ishte në kërkim të rrugëve apo shtigjeve të reja ekonomike dhe politike, diku ai vraponte për të dalë nga izolimi,  diku ai hezitonte sikur të kish përballë një mur betoni(mental) sepse siç edhe është thënë nga takimi me intelektualët me ish kreun komunist Ramiz Alia: “Nuk është përgatitur terreni për të kaluar direkt në pluralizmin politik”.

Hapja e ambasadave një tjetër histori që ende nuk ka autorësi. Prognozat e një hapësire unifikuese për çështjen shqiptare ende nuk dukeshin në horizont, mbase dikush në perëndim kishte plane edhe për këtë çështje. Kosova troket në vetëdijen e popujve të ish Jugosllavisë me protestat dhe krijimin e pluripartitizmit. Kaq shpejt u zhvilluan ngjarjet, sa brenda dy javëve dolën nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë mbi 30 mijë anëtarë. Pra kësaj situate mbarëshqiptare i duhej një ndërmjetës i cili ta kish vokacionin e njohjes kulturore së paku të asaj zone apo krahine,  por edhe më gjerë. Institute gjeostrategjike me një eksperiencë të vyer të cilët u paraprinë situatave të mundshme bëjnë prognoza aq të sakta sa edhe koefiçenti i gabimit luan  shumë pak, gjithnjë kur parashikojnë për dhjetëvjeçarë a njëzet vjet të ardhshëm. Rrokopuja e ngjarjeve sjell në skenë Partinë Demokratike të Shqipërisë mbas 22 Marsit me kryetar Sali Berishën. Ambasadori amerikan në Shqipëri doli nga kostumi i tij diplomatik dhe nuk e fshehu përkrahjen e hapur ndaj kësaj force të re me thënien do t’i “luftojmë komunistët me komunistë”.

Ndërkohë të burgosurit politik të regjimit të shumtë ishin të plakur e tejet të lodhur e pa shumë shpresë për një ditë se do ndryshonte regjimi totalitar. Komunistët në Partinë e re Demokratike u shndërruan brenda natës në antikomunistë nga më të egrit dhe filluan gjuetinë e shtrigave me të njëjtat metoda si ish ustallarët e tyre, kur çdo pesë vjet zbulonin grupe armiqësore. Kur fillojnë të shijojnë të mirat e pushtetit agallarët e rinj nuk u ndalën asnjëherë në zhytjen në llumin e korrupsionit i cili filloi qysh me ndihmat e ardhura nga e gjithë bota,  e deri tek privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore dhe më pas me marrjen e rrushfetit prej çdo investitori të huaj…

Janë të shkruara e zeza mbi të bardhën të gjitha bëmat që kanë ndodhur në këtë vend sado që tundnit flamurin e antikomunizmit. Kalvari i kthimit të pronave dhe kthimi e kompensimi i lekëve për të burgosurit politik që ende vazhdon kujt do ti faturohet? “Bathorizimin” e Shqipërisë e kioskëzimin e saj e harruat? Kujtoni postulatin e fushatave elektorale “Ne qeverisim bota na ndihmon”. Po si qeverisët? Me sistemin piramidal të fajdeve apo me përçarjen kombëtare me të famshmin nenin 24|1 kur i flakje nga puna, njerëzit profesionistë të këtij vendi apo “turizmin me gomone” e “guidat mal më mal” të shqiptarëve. Sa bij nënash kanë vdekur detërave e maleve të botës nga qeverisja juaj? Po sa të tjerë janë nëpër burgjet e botës, apo si firo të sistemit nuk janë shqiptarë ata? Amerika e cila investoi aq shumë jo për ju si person, por për të mirën e shqiptarëve të doli borxhit që të përsërisje zgjedhjet në 40 zona në vitin 1996, por ti si ish komunist i dole fjale dhe as që mendoje se po lije pa mbështetje çështjen e Kosovës, dhe u investove si një antishqiptar mbas kontrabandës së naftës në favor të makinerisë së luftës së Milosheviçit armikut të popujve të ish Jugosllavisë dhe veçanërisht atij kosovar. Gjej një të dytë udhëheqës të popullit i cili nga një anë nuk le gjë pa kurdisur kundër opozitës, me anë të metodave fashiste e komuniste të policisë sekrete e nga njëri krah pranon hapjen e firmave piramidale si një shpikje krejt origjinale e allasoj kapitalizmit të udhëhequr nga Partia Demokratike e në banderolat e fushatave përdorje siglat e tyre me “Me ne fitojnë të gjithë”. Nuk ka kandar që të masë bëmat tuaja, por nëse ka një të vërtetë e cila na djeg të gjithëve është se populli kurrë nuk të ka votuar dhe ka menduar se gjërat do viheshin në vend nga një drejtësi e ndershme, por siç po skanohet edhe ky kartel kriminal i shoqërisë sonë qenka një kancer me metastaza të përhapura në mënyrë të pakonceptueshme sa vetëm dora e një shteti të fuqishëm ose bashkësi interesash të shteteve perëndimore mund të na shpëtojë ne popullin shqiptar të cilët mezi e prisnim “Erën e ndryshimeve” por në fakt jemi në thepin e një shkëmbi ku përball kemi humnerën dhe në krah një dorë që na shtrihet , nuk thonë kot shpresa vdes e fundit.

Për këtë katandisje që na latë mos ngulni këmbë si një ushtarak japonez “Hiroo Onoda” i cili megjithëse lufta kishte mbaruar nuk u besonte letrave që hidheshin nga ajri në gjuhën japoneze  dhe anglishte , ku shkruhej se “Japonia kishte kapitulluar’ dhe ushtarët e saj duhet të dorëzoheshin pa kushte. “Onoda” megjithëse i lexonte letrat e që i dërgonin avionët amerikanë dhe i quante lajme dizinformacioni për të na përçarë dhe priste urdhra vetëm nga gjenerali i tij Karashima. Divizioni prej 15 mijë trupash u end nëpër pyjet e tajgat e Indokinës plot 5 vjet dhe “Onoda” ky oficer i inteligjencës japoneze vazhdoj deri në vitin 1975 të mos zbulohej nga trupat speciale të ushtrisë amerikane dhe japoneze. Përtej mitit dhe realitetit këtij ushtaraku nuk i besohej se kishte humbur luftën ushtria japoneze , por detyra e kërkonte që sipas urdhrit vetëm një gjeneral mund ta komunikonte lajmin e humbjes.

Uroj që fabulën që ka brenda simbolin “Non Grata” ta kenë kuptuar e deshifruar të parët anëtarët e Partisë Demokratike, që nesër mos t’u vijë turp që udhëhiqeshin nga lider historik “Non Grata”, e së dyti padyshim kryesia e kësaj partie të kenë një qëndrim pro perëndimor duke marrë mëkatet aq sa i takon secilit dhe njëkohësisht të reflektojë përball çdo thirrje perëndimore në luftën kundër korrupsionit, e të mos kthehen në njerëz kundër çdo anëtari me pashaportë amerikane, e së treti  jo vetëm personazhet e djathtë apo të majtë të cilëve u është komunikuar statusi “Non Grata” me zë me figurë apo në heshtje duhet ta falënderojnë Amerikën…

Ajo bëri më të mirën e mundshme për popullin shqiptar, të cilin ju me veprimet tuaja donit ta ndalnit në udhën e tij natyrore pro perëndimore. Sepse “Onoda” kur u zbulua nga një eksplorator aventurier në xhunglën e Filipineve i cili i tregoj atij se Japonia dhe Amerika janë vende mike dhe kultura japoneze po amerikanizohet , oficerit të karrierës nuk iu besua e ndaj shkoj në Japoni e pa realitetin me sytë e tij.  Shumë gjëra kishin ndryshuar dhe ai kurrë nuk u pajtua me realitetin dhe jetoi në Brazil. Shkencat e Antropologjisë kulturore e përmendin si shembull fenomenin “Onoda” prej të cilit miti dhe realiteti është një lajtmotiv i bashkëkohësisë njerëzore. Askush nuk e harron presidentin që e nis jetën politike në një shtëpi të thjeshtë dy dhoma e guzhinë e për turp të zotit jepte intervista në televizionet botërore me premtimin  sikur të ishte “Guru” i ndershmërisë botërore. Aq ironike u bë kjo fabul sa edhe njeriu më i thjesht tallej  dhe “shprehej se do presim sa të pasurohet presidenti e më pas do të mendoj ai për popullin”. Rekordet e korrupsionit në qeverisjen e tij dihen nga të gjithë, por këtij fenomeni nuk i shpëtojnë personalitete botërore ku institucionet janë të konsoliduara e jo më në Shqipëri të ketë njerëz kaq imun ndaj korrupsionit “të mbulosh diellin me shosh thotë populli”, e doni apo jo këtë luftë kundër korrupsionit kjo nuk varet nga shqiptarët . Demitizimi i heronjve të rremë të historisë mbas viteve 1990 të cilët do të harrohen e do jenë etalon i së keqes së këtij vendi sapo ka filluar . Ky popull mjaft u morr zvarrë për 30 vjet nga mostra me ngjyra partiake të cilët siç thonë fjalët e poetit Ali Asllani “Të pabrek’ i gjeti dreka, milioner’ i gjeti darka ” le ta mësojnë se ka ikur koha e pandëshkueshmërisë. /Përgatiti Kastriot Kotoni

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *