Java 22-të e Superligës edhe pse sjell vetëm një përballje direkte për titull është e tëra për t’u ndjekur. Në “Zeqir Ymeri”, Kukësi pret Partizanin në garën për kreun, por historia e dy fazave të para ka treguar se emocionet e kësaj jave mbeten të mëdha. Tirana pret Elbasanin, të cilën e ka mposhtur dy herë në kohën shtesë, Skënderbeu shkon në Fier ku në fazën e parë u ndal në barazim pa gola, në Durrës, Teuta pret Laçin me dy skuadrat që kërkojnë arritjen e objektivave, ndërsa në Vlorë luhet derbi i italianëve të stolave në Superiore.
Dueli i Kukësit – Kryendeshja e javës mbetet padiskutim ajo në Kukës ndërmjet vendasve dhe Partizanit, një duel që ka folur vetëm për të kuqtë në dy sezonet e fundit. Verilindorët nuk kanë shënuar asnjëherë në portën e të kuqve në 5 përballjet e këtyre dy sezoneve, me 15 herë kampionët që kanë fituar 4 prej këtyre 5 takimeve.
Një tjetër tabu për t’u thyer është edhe ajo e Pero Pejic që nuk i ka shënuar asnjëherë skuadrës së drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro. Për më tepër ndeshen dy skuadrat që në renditjen e improvizuar në bazë të rezultateve të arritura nga përballjet e 4 skuadrave të kreut janë në skajet e saj. Partizani ka marrë 14 pikë në 13 sfidat me tre rivalët e tjerë ndërsa Kukësi 6 pikë në 12 përballjet e deritanishme me treshen ndjekëse.
Avantazhi i Tiranës – Në letër Tirana e vendit të parë ka një ndeshje të lehtë, pasi pret Elbasanin e fundit. Megjithatë në dy ndeshjet e para të sezonit bardheblutë kanë hasur vështirësi ndaj këtij kundërshtari duke fituar vetëm në kohën shtesë. Për më tepër që kjo sfidë do të luhet larg shtëpisë dhe pa tifozë për shkak se dy stadiumet e kryeqytetit nuk janë ende funksional. Bardheblutë kanë mungesa të shumta për arsye pezullimi dhe dëmtimi, ndërsa Elbasani vjen pas një jave jo të qetë që kulmoi me dënimin e kapitenit Arjan Pisha nga Komisioni i Etikës.
Transferta e Skënderbeut – Në “Loni Papuçiu”, Apolonia pret Skënderbeun, me kujtimet e mira që dy skuadrat lanë pas sfidës së fazës së parë. Më 14 shtator të vitit të kaluar ekipet u ndanë në barazim pa gola, por për 90 minuta ritmi ka qenë i shfrenuar me skuadrat që dhuruan një ndeshje të denjë për fundjavën futbollistike jo vetëm në vend por edhe në Europë. Për më tepër që Dimo dhe Ribaj do të rigjejnë shumë shpejt ish-shokët e skuadrës.
Prestigj në Vlorë – Një ritakim të tillë rezervon edhe sfida e Vlorës ndërmjet Flamurtarit dhe Vllaznisë. Arsid Kruja në ndeshjen e dytë me fanellën kuqezi do të përballet ndaj klubit që e formoi si futbollist, teksa rikthehet në qytetin bregdetar Gilman Lika, vetëm pak kohë pas largimit nga Flamurtari. Gjithashtu ky 90 minutësh dhuron derbin e italianëve të stolit midis Ramellës dhe Rainerit. Në “Niko Dovana”, Teuta pret Laçin në një sfidë delikate për të dyja skuadrat. Humbja në Elbasan e ka kthyer Teutën në vorbullën e rënies nga Kategoria edhe pse diferenca me Elbasanin është 7 pikë. Megjithatë Djemtë e Detit duhet të sigurojnë sa më parë mbijetesën në një sezon që pritet të jetë i mbushur me surpriza deri në fund. Laçi pas 4 pikëve të mara në dy ndeshjet e fundit i rikthehet pretendimeve në kampionat, dhe me 15 javë deri në përfundim gjithçka mund të ndodhë.
