Dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, opozita ka lëshuar alarmin për një valë shkarkimesh në Shërbimin Informativ Shqiptar dhe rikthimin në vend të tyre të ish-punonjësve të SHIK-ut. Të shqetësuar nga një situatë e tillë, në kohën kur zgjedhjet e qershorit janë përpara, deputetët opozitarë kanë kërkuar një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, si dhe raportimin e drejtuesve të SHIU-t dhe SHISH-it. Seanca për situatën e rendit do të zhvillohet me datën 5 shkurt.
Debati i botuar sot në gazetë SHQIP
Ilir Gjoni (PS): Ne kemi kërkuar thirrjen në seanca dëgjimore të disa institucioneve të sigurisë. Sesionin e kaluar kemi dështuar në përmbushje të funksionit tonë. Situata e rendit dhe e sigurisë është katastrofike. Nuk e kuptoj ministrin e Brendshëm, i cili ditën që ndërroi jetë komisari i Burrelit, deklaroi se Shqipëria është vendi më i sigurt. Ju qofshi sesi e pranoni. Një prej kolegëve tanë u bë 4 vjet që ka humbur jetën. Asnjë kriminel nuk është para drejtësisë. Kemi kërkuar ministrin e Ekonomisë për të na raportuar për “Albpetrolin”, por edhe mbi politikat energjetike në vend. Kanë kaluar plot 2 vjet nga ligji për mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë. Ka dy vjet që ky ligj zvarritet në mënyrë të qëllimshme, këtë e mbështes dhe me faktin se sipas rregullores ne duhet të kishim ngritur nënkomisionin për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente. Ky nënkomision nuk është ngritur që nga dita që ju keni ardhur në pushtet dhe deri më sot, për më tepër ju vijoni të mos fusni në procedura parlamentare një ligj, i cili do të ndihmonte për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente. Kemi fakte që këto institucione po përdoren për fushatë. Si mund të shpjegohen sot lëvizjet që po bën dhe po ndjek drejtori i ri i SHISH-it. Jo më larg se tri ditë më parë, ai ka shkarkuar nga detyra 24 veta, pa përmendur rastet e mëparshme. Ç’është më e keqja, po rikthehen në detyrë disa figura që kanë qenë të implikuar në ngjarjet e ’97-s. Ky nuk është ogur i mirë as për ne, por as për SHISH-in. Për më tepër nuk di ku e gjejnë kurajën të flakin nga puna njerëz që shteti ka investuar të ardhura për t’i përgatitur. SHISH nuk është një institucion me të cilin mund të luhet kollaj dhe me të cilin mund të përgatiten kuadro efektivë, ashtu siç mund të jetë në pjesë të tjera të administratës. Për këtë problem unë do të doja zotëri kryetar që ne të thërrasim drejtorin e SHISH-it të na sqarojë atë që ai e quan reformë. Jo më larg se një javë më parë është publikuar në media një listë me ambasadorë që kanë dy nënshtetësi, bashkëshortet me nënshtetësi të huaj, gjë që bie ndesh me normat e pranuara ndërkombëtarisht. Për të mos kaluar te rasti i shefit të SHISH-it, i cili për fat të keq është detyruar nga rrethanat të betohet apo zotohet për besnikëri ndaj mbretëreshës së Britanisë. Ne duam që shefi i SHISH-it dhe ai i SHIU-t të raportojnë në komision për faktin se këto struktura kanë filluar të kalojnë cakun që u lejon ligji. Këtë e konstatuam gjatë seancës së mbyllur me shefin e SHISH-it, i cili tha se të paktën në dy apo tri raste, SHISH-i është angazhuar në veprimtari që dalin jashtë kuadrit kushtetues dhe ligjor, siç ishte rasti i vëzhgimit të grevës së urisë së të përndjekurve politikë apo edhe rasti i ndjekjes së veprimtarisë së një force politike në veri të vendit.
Leonard Demi (PD): Institucionet e sigurisë të vendit tonë po punojnë jo për të dëmtuar zgjedhjet, por për të garantuar zgjedhje sipas standardeve europiane. Prandaj, zoti Gjoni shqetësimet tuaja politike mendoj të mos i ngrini këtu për fushatë, por kur të bëni fushatë elektorale.
Piro Lutaj (PS): Po them që institucionet e sigurisë po i vendosni në funksion të fushatës elektorale dhe mos të të vijë keq se po ta them që mjete të ushtrisë shqiptare po vihen në dispozicion të komunave dhe qarqeve që administron PD-ja.
Leonard Demi (PD): Nuk është kjo një tavolinë për fushatë elektorale.