Ditën e sotme u prezantua dokumenti final i ‘Paktit për Universitetet’.
Sipas Qeverisë në të gjejnë zgjidhje të tetë kërkesat e artikuluara nga studentët.
Më poshtë, deklarata për media e shpërndarë nga qeveria:
Lidhur me kërkesën për reduktimin e tarifave të shkollimit me 50%:
Studentët që vijnë nga shkollat e mesme me mesatare mbi 9, si dhe të gjithë ata që mbajnë këtë mesatare gjatë ciklit bachelor, do të përfitojnë arsim falas në ciklin e parë.
Përfitojnë këto kategori të tjera shtesë:
- Studentët nga familje që trajtohen me ndihmë të pjesshme apo të plotë ekonomike
- Jetimët deri në moshën 25 vjeç
- Ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate
- Viktimat e trafiku të qenieve njerëzore
- Anëtarë të komuniteteve rome apo ballkano-egjiptiane
- Fëmijët e ish-të përndjekurve politikë
- Fëmijët e të rënëve në krye të detyrës nga Policia e Shtetit, Garda, zjarrfikësit, Policia e Burgjeve apo SHISH.
Në master, këto kategori, si dhe të gjithë ata që mbyllin ciklin 3-vjeçar me mesatare 9 e sipër përfitojnë zbritje 50%.
Për konviktet
Ndryshimet ligjore lehtësojnë financimin e tyre të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
Në 2019-n, janë vendosur 300 milionë lekë shtesë nga buxheti për kryerjen e investimeve në konvikte.
Nëpërmjet një financimi prej 16,8 milionë eurosh nga Qeveria Gjermane do të nisë rehabilitimi i 13 rezidencave studentore në Tiranë.
MFE po negocion për një fond të dytë prej 27 milionë eurosh, për të vijuar rehabilitimin e strukturave të tjera.
Kërkesa 2 – Transparencë me buxhetin e MASR dhe IAL
Brenda shkurtit 2019 do të vihet në punë portali i Transparencës dhe Ankesave të Arsimit të Lartë.
Në portal do të publikohen të dhëna të detajuara për çdo shpenzim të IAL dhe MASR, të dhëna për buxhetin afatmesëm, buxhetin vjetor, grantet, shpenzimet operative, financimin e kërkimit shkencor, procedurat e prokurimit publik, vendimet e bordeve apo senateve, kuotat e parashikuara për çdo vit akademik, CV e pedagogëve, rezultatet e verifikimit të titujve akademikë, etj.
Kërkesa 3 – Rritja e peshës së votës nga 10-50% e studentëve për të zgjedhur dekanë, rektorë dhe përfaqësimi në Senatin Akademik
Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, është vendosur hapja e zgjedhjeve të reja për të gjithë Këshillat Studentorë, monitorimi i Komisioneve të Përhershme dhe përfaqësimi në të i studentëve në përputhje me statusin.
Kërkesa 4 – Rishikimi i titujve akademikë
Do të krijohet një database kombëtare në të cilën do të arkivohen të gjithë doktoraturat. Përmes softëare të sofistikuar do të nisë kontrolli anti-plagjiaturë i të gjithë titujve shkencorë. Kontrolli do të nisë në muajin qershor.
Kërkesa 5 – Përfaqësimi në Bordin e Administrimit
Është marrë vendimi për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të bordeve të emëruar nga MASR. Emërimet e reja do të bëhen me një proces të hapur dhe transparent. Anëtari që emërohej prej MASR do të jetë propozim i studentëve.
Kërkesa 6 – Pajisja e kartës së studentëve brenda këtij viti akademik
Për realizimin e këtij projekti është kërkuar asistenca e Komisionit Europian, për përfshirjen e Shqipërisë në Kartën Europiane të Studentit dhe për zgjerimin e përfitimeve sipas praktikave europiane.
Në nëntor 2018 është lidhur marrëveshja dypalëshe me Agjensinë Franceze, për zbatimin e “European Student Card” në Shqipëri. Me këtë kartë, studentët shqiptarë përfitojnë lehtësira jo vetëm brenda vendit, por në të gjithë shtetet e BE-së.
Brenda shkurtit do të miratohen dy akte nënligjore shtesë dhe brenda këtij viti akademik, karta studentore do të shpërndahet për të gjithë studentët.
Kërkesa 7 – Biblioteka me standarte europiane
Është akorduar një fond, për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme hardëare dhe middelëare, e domosdoshme për ngritjen e bibliotekës digjitale. Në vijim, një grup pune do të merret me përzgjedhjen e literaturës së huaj që do të përkthehet në shqip. Afati i realizimit: Qershor 2019.
Kërkesa 8 – Vlerësimi i performancës së pedagogëve
Do të aplikohet një instrument kontrolli dhe vlerësimi i performancës së mësimdhënies, përmes një sondazhi periodik kombëtar mbi pedagogët dhe aftësitë e tyre shkencore. Sondazhi Kombëtar i Studentëve do të ketë një rol thelbësor në mbledhjen e informacioneve të nevojshme për cilësinë e mësimdhënies.
Agjensia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë do të monitorojë periodikisht ruajtjen e standarteve të cilësisë. Në shkurt ngrihen grupet e punës që do të realizojnë procesin e vlerësimit, në mars hartohet metodologjia dhe në qershor do të nisë zbatimi i këtij projekti.
Masa shtesë (të pa kërkuara)
Punësimi i studentëve
Pas ndryshimit ligjor për rekrutimin në administratën publike është ngritur portali “Punë të Mbarë”. Studentët ekselentë (mesatare mbi 9) mund të aplikojnë për punësim automatik në administratë. Më të mirët kanë përparësi në zgjedhje, duke zbritur hap pas hapi sipas mesatares. Shpallja e parë është hapur për 804 vende, shpallja e dytë do të hapet brenda muajit gusht.
Stazhet dhe praktikat profesionale
VKM për praktikat profesionale rrit numrin e vendeve të disponueshme, jo vetëm për studentët ekselentë, por për të gjithë të interesuarit për ndjekjen e një stazhi në institucionet publike.
Vetë institucionet, në çdo fillim viti do të shpallin vendet e lira për internshipe. Paralelisht, institucionet janë angazhuar në bashkëpunimin me kompanitë private, për krijimin e sa më shumë vendeve të lira edhe në privat.
Kampusi universitar
Ka nisur hartimi i projektit të Kampusin Universitar të Tiranës, i cili do të rrisë hapësirat akomoduese, si dhe do të përfshijë biblioteka e lehtësira të tjera, sipas të gjithë standarteve europiane.
Ngritja e kampusit universitar është një prej përparësive të mandatit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Në vijim, po studiohet mundësia e ngritjes së një kampusi të ngjashëm në qytetin e Durrësit.
Politikat financiare
Përtej rritjes së subvencionimit për mbështetjen e studentëve (ulje efektive e tarifave), qeveria angazhohet për: Rritjen e financimit për arsimin e lartë, duke synuar arritjen e mesatares së vendeve të rajonit deri në vitin 2023, rritjen e financimit të kërkimit shkencor, integrimin e studentëve në procesin e hartimit dhe transparencës së buxheteve të IAL-eve.
Njëkohësisht shqyrtohet mundësia për rritjen e kontributit të sektorit privat në mbështetje të arsimit. Synimi është që 20% e fondit të përgjegjësisë sociale të korporatave që gëzojnë kontrata koncensionare nga shteti shqiptare të dedikohen për arsimin.
l.h/ dita
Shpallja e pare do jete me me 804 vende pune , tamam si me 300 mije vende pune ? Po ku do i lini do i cpunesoni ,ato te “mencurit” tuaj ,qe ju japin vota familjarisht ,,Pse prap do paguajme ne ,me taksat tona ,te perjashtuarit nga puna ,nepermjet fitimeve te gjygjeve ?. Sa poshte e keni ulur steken e llogjikes mashtruese .O .Zot i madh , na meshiro ,e na ruaj mente e kokes …
qeveri qe ka privatizuar shtetin,qeveri qe shkel ligjin.Per rekrutimet ne administrat ka ligj ku nuk perjashtohet as ky kontigjent ketu del pronari dhe thote se do u fuse ne administrat sikur i ka parat e veta.Ky eshte niveli i qeveris ku cdo segment shtetror e ka kthyer ne gjobvenes.