“Këshilli Ministruer për me mujtë me i ba ball krizit financjar ka vendue me pre bankanota qi kanë për t’u quejtë Lekë, për 3 miluj franga ar. Nji frang ar thohet se ka për të pasë vleftën e 5 Lekvet; kështu qi për nji napulion kanë me u dashtë 100 Lekë”.
Kështu e raportonte gazeta Agimi vendimin e parlamentit të shkurtit të vitit 1922 ku për herë të parë u vendos me ligj për emërtimin e monedhës kombëtare shqiptare që u quajt Lekë.

Emëtimi i kartëmonedhave shqiptare u bë në vitin 1926, pas krijimit të Bankës Kombëtare te Shqipnis’.
Për prejardhjen e emrit të monedhës shqiptare ka diskutime të shumta. Studiuesit italianë në botimet e viteve ’30 dhe ’40 mbështesin më shumë tezën se monedha kombëtare e Shqipërisë u emërtua në nderim të emrit të krishterë të heroit kombëtar Skënderbeut, shkruan Skan.
Studimet e mëvonshme kanë dalë në konkluzionin se emërtesa ka ardhur në nderim të Aleksandrit apo Lekës së Madh. Në fakt, kjo e dytë merret më së shumti si më e sakta kjo edhe për vetë faktin se në emetimet e mëvonshme të monedhës në 1926 dhe kartëmonedhës në vitet ‘40 përfaqësohet imazhi i tij.
Megjithatë, duhet konsideruar edhe diskutimi që u bë në seancën e pasdites së 13 shkurtit të vitit 1922 ku u bë për herë të parë në mënyrë ligjore emërtimi i monedhës zyrtare shqiptare Lekë.
Në këtë seancë plenare ku u diskutua për krijimin e monedhës kombëtare variantet e propozuara ishin tre. 2 variante u propozuan nga Komisioni parlamentar i Financave dhe 1 variant nga qeveria. Parlamenti miratoi në fakt variantin e qeverisë.
Në kohën kur diskutoheshin variantet për krijimin e monedhës kombëtare, vendi përballej me vështirësi të shumta si rrjedhojë e mungesës së bankës dhe të monedhës kombëtare.
Luhatjet e kursit të këmbimit e gjithashtu edhe mungesa e parasë së vogël që përdorej për këmbime tregtare, kishin bërë që ekonomia dhe tregtarët të pësonin humbje të mëdha e pengesa në kryerjen e transaksioneve.
Më herët, në kushtet e mungesës së monedhës divizionare, bashkitë kryesore të vendit ishin lejuar që të emetonin disa kartëmonedha, që mund të përdoreshin vetëm në territorin e tyre.
Por duke qenë se shumat e emetuara ishin shumë të vogla (200 mijë franga ar) një pjesë e madhe e tyre u tërhoq nga tregu nga koleksionistët shqiptarë e të huaj që i fusnin në koleksionin e tyre, duke bërë që të mos kishte ndonjë rezultat të madh të tyre.
E njëjta frikë paraqitej edhe në këtë rast, duke qenë se emetimi që do të bëhej do të ishte i kufizuar, rreziku ishte që një pjesë e madhe e parave që do të emetoheshin të tërhiqeshin nga koleksionistët.
Ndaj, projekti i shkurtit të vitit 1922 synonte pikërisht që t’u jepte zgjidhje këtyre problematikave të konstatuara, pra krijimin e monedhës kombëtare e gjithashtu edhe emërtimin e saj.

Projekti i shumicës së Komisionit të Financave
Në projektin për krijimin e monedhës kombëtare, të propozuar nga shumica e Komisionit të Financave evidentohej se monedha kombëtare emetohej “për të shpëtuar popullin nga dëmet që rrjedhin nga ndryshimet e kursit të monedhave të huaja që qarkullojnë në Shqipëri dhe për të lehtësuar qarkullimin e monedhës së vogël, qeveria e pa të nevojshme prerjen e letrave me vlerë, si letra monedhë kombëtare”.
Në nenin 2 të propozimit të Komisionit shkruhej se “Pareja e Shqipnis emnohet “LEKE”. Leka ndahet në 100 qintima”.
Për të ndjekur ecurinë e futjes në treg të kartëmonedhës shqiptare parashikohej të ngrihej një komision i posaçëm parlamentar.

Projekti i pakicës së Komisionit të Financave. Monedha kombëtare të quhet Skënder
Komisioni i financave ishte paraqitur në Kuvend me dy propozime. Ndryshe nga propozimi i parë, propozimi i dytë i pakicës parashikonte që qeverisë t’i jepej e drejta që të emetonte më shumë para nga sa parashikohej në projektin e shumicës.
Sipas këtij projekti, qeveria duhej të emetonte kartëmonedha me vlerë 25 milion franga ar. Ndryshe nga shumica, pakica e komisionit mendonte se “monedha kombëtare “unita monataire” asht frangu ar e cila quhet SKENDER dhe do të ndahet në 5 lekë”.
Projekti i qeverisë
Vetë qeveria u paraqit në seancë plenare me një variant që përcaktonte emetimin e më pak parave.
Qeveria kërkonte të emetonte 3 milion franga ar. Ashtu si shumica e komisionit të Financave, edhe qeveria propozonte që paraja e Shqipërisë të emërtohej LEKË.
Diskutimet në Këshillin Kombëtar, të emërtohet Lekë ose Shqipe
Projekti për krijimin e monedhës kombëtare ishte në fakt një projekt i përgatitur më herët, edhe pse paraqitja e tij në Kuvend u bë në shkurt të vitit 1922. Ky fakt përmendet nga deputeti Bahri Omari i cili në fjalimin e tij u shpreh se ‘pares ja kemi vu emrin Lekë e ky projekt që kemi paraqitë e kemi gjetun të pregatitun por ka pasë kenë për parë nikel por ne e kemi pa ma t’arsyeshme e ma të lehtë me i pre letër, pse për me ba pare nikeli lipsen veprime më të mëdha”.
Në seancë ishte i pranishëm edhe Ahmet Zogu por në cilësinë e ministrit të Brendshëm dhe që nuk përfshihet aspak në këtë diskutim.
Bahri Omari në fjalimet e tij bën pyetjen direkte: Nga u muer Fjala Lekë?
E përgjigjia e kryeministrit Xhafer Ypi e shënuar në procesverbalet e Kuvendit është e shkurtër: Asht marrë nga Lek Dukagjini!
Ndërsa Shefqet Dajiu në fjalën e tij del kundër kësaj emërtese me argumentin se “fjala Lekë ka nji kuptim jo të mirë në vendin tonë” prandaj ai propozon që të emërtohet “Shqipe”.
Pas këtij propozimi, kryesuesi i seancës e hedh në votim propozimin që paraja e Shqipërisë të quhet Lekë. Propozimi miratohet me 25 vota. Në këtë seancë mungonin për arsye të ndryshme 19 deputetë.
Në fakt, ky ligj nuk gjeti zbatim e do të duheshin edhe 4 vite të tjera që të krijohej Banka Kombëtare e Shqipërisë.
Ajo që duhet evidentuar është se pavarësisht argumentimit të kryeministrit, në asnjë nga emetimet e monedhave e kartëmonedhave nuk përfaqësohet imazhi i Lekë Dukagjinit por vetëm i Skënderbeut dhe Lekës së Madh.
Cila ishte monedha zyrtare, leku apo frangu?
Ajo që ndodhi në Shqipëri në seancën e shkurtit të vitit 1922 në fakt ishte krijimi i një njësie të re monetare, pasi nuk u shfuqizua frangu ar por paralelisht u krijua një njësi e re monetare e emërtuar Lekë.
Ekzistenca e dy emërtesave të njësive monetare të vendit, frang dhe lekë në fakt do të krijonte jo pak konfuzion në popullatë. Shqetësimi do të reflektohej edhe në seancën e 12 prillit të vitit 1926.
Deputeti Selaudin Blloshmi do të evidentonte në fjalimin e tij se kur Shqipëria pranoi sistemin e lekut, nuk pranoi një bazë monetare të re pasi baza monetare e vendit ishte frangu ar, i sistemit metrik latin që parashikon ndarjen në 100 pjesë të njësisë monetare.
“Por për të lehtësuar tregtinë frangë ari e ndamë në 5 pjesë të cilat i pagëzuam me emrin Lekë duke u bazuar në traditat e historinë kombëtare” do të shprehej ai.
Pas këtij diskutimi, ministri i Financave Sulejman Starova do të pranonte se Leku nuk ishte një monedhë e veçantë por një pjestim i frangës ar.
Ndërsa deputeti Hiqmet Delvina e cilësonte si gabim faktin se në vend ishin dy lloje monedhash, frangu ar dhe leku.
“Nuk kuptohet cilën kemi monedhë kombëtare” shprehej Delvina.
Situata do të vijonte të ishte e tillë deri në vitin 1947 kur u miratua dekretligji që hoqi nga qarkullimi kartëmonedhat Frang. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku.


b.b/dita

Sa po shifet italishtja paska qenë gjuha e dytë zyrtare dhe më intereson të dijë në socializëm shkruhej në banknota edhe një gjuhë e dytë p.sh.ruse?
Jo!
Lek është shkurtimi i Aleksandrit. Në monedhat e para shkruhej qartë 1 Lek, Aleksandri i madh dhe qe shtypur figura e tij mbi kalë. Edhe titulli Iskander Bey që ju dha Gjergj kastriotit është po emri i Aleksandrit që turqit si persët dhe indianët i thoshin Iskander.
Thjesht shpikni një 10 000 Lekë (me fytyrën e Nënë Terezës-njyrë blu) për ti dhënë impuls palo tregut. Kjo lëvizje bën edhe provën sa të gatshëm jemi ne të ndrojmë lekun me euron e EU që aspirojmë?
Ai Zotnia qe paska dasht me ia vue emrin shqipe paskesh kene vertet i squet.Une po te isha ne ate diskutim do t’ia vej emrin Sorre,gardalin,medhenje.trumcak.
Ndersa dikur heret kam ndigjue se paren deshten me e emertue Lab.Po nuk e pranune sepse,ne momentin qe merr e nep ne treg do te thoshin:Sa Lab kushton me dasht me ble nji gomar.Fjala vjen qe duheshin 20 apo 30 lab per nji gomar.Keshtu,qe nuk e pranune emertimin Lab.dhe ia lane emertimit ne Leke.
Leke perfaqeson disa emertime.
Leka i Madh,Leke Dukagjini.Por ajo qe asht ma origjinalje asht qe kemi nji krahine qe quhet Leket e Hotit.Kjo asht ma e bindshmja qe paraja asht quejt Leke.
Kjo eshte nje ceshtje qe e ka shqetesuar popullin tone qe prej krijimit dhe nuk dihet se sa do vazjdoje deri sa te gjeje origjinen e emrit leke, me mire tja kishin vene pares emrin pordhe.
LEC