Policia e Lezhës ka ndaluar dje dy persona nën akuzën e “shfrytëzimit për prostitucion”. Uniformat blu kanë arrestuar 24-vjeçarin Erjon Marashi, me banim në lagjen “Besëlidhja” dhe 21-vjeçaren E. B., me banim në Yrshek të Tiranës. Kurse Marashi, shërbente si ndërmjetës për të siguruar klientë për të kryer marrëdhënie seksuale me 21-vjeçaren E.B., kundrejt pagesave 2000, 4000 dhe 5000 lekë të reja, në varësi të klientëve që gjenin dhe moshës së tyre. Policia dyshon se ndërmjetësi i dyshuar Marashi dhe vajza 21-vjeçare, kanë rënë dakord që të ushtrojnë këtë lloj aktiviteti dhe më pas të ndanin fitimet së bashku. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Të dyshuarit mohuan akuzat, duke thënë se nuk janë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Në fundjavë, policia e Fierit goditi një rrjet prostitucioni, duke ndaluar 3 femra, 3 tutorët e tyre dhe 2 klientë u morën në hetim në gjendje të lirë.
