Policia e Tiranës arrestoi dy ditë më parë një shtetas, i cili është denoncuar nga një familje fqinje, ndërsa Gjykata e Rrethit dha sot masën “arrest me burg” për “kryerje të veprave të turpshme me të mitura”.
Ngjarja mbetet e mistershme për rrethanat e saj dhe provat, pasi deri tani ka dëshminë e të miturës dhe prindërve të saj, kurse i akuzuari P.Sh, me profesion gazetar e ka mohuar akuzën e ngritur.
Sipas dosjes hetimore dhe dëshmisë së vajzës, ngjarja ka ndodhur në ashensor dhe në shkallët e pallatit ku banonin i denoncuari dhe familja e së miturës.
Pala mbrojtëse kërkoi lirimin për mungesë provash, por Gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin, dhe ka caktuar masën e sigurisë burg pa afat.
