Ngjall debate, por po bëhet për një qëllim që ia vlen

anazapta

I dashur Adrian,

Më kërkove mendimin lidhur me afrimin e mundshëm të LSI me P.S. Po të dërgoj mendimin e një qytetari, që ashtu si miliona të tjerë, më dhëmb vendi dhe dua ta shoh atë sa më mirë.

Nuk ka asnjë dyshim se pushteti i sotshëm me ligjet që ka bërë me korrupsionin që ka zhvilluar dhe kapjen që i ka bërë gjithë pushteteve, ka krijuar për veten një karrace të trashë arrogante e korruptive, që është vështirë të luftohet. Ata si koloni sporesh i mbron kjo korre që kanë krijuar, ndaj të pangopur pinë gjak dhe mbajnë fort njeri-tjetrin.. Pjesë e koracës së tyre është dhe shkëlqimi plot ngjyra i shfaqjeve televizive.  Ka mbi njëzet vjet që në fushatat elektorale, në faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve servile, të krekosur na gënjejnë për ditë më të mira. Këto mikrobe të shoqërisë, janë ulur këmbëkryq në mesin tonë. Ato hyjnë e dalin në politikë (kupto hipin e zbresin në kurrizin tonë), bashkohen e ndahen me njeri-tjetrin si të duan dhe kur të duan.

Koalicionin e LSI me P.S, e shoh si një bashkim forcash që do të rritë shanset për të fituar mbi këtë pushtet arrogant. Pra, këtë koalicion e shikoj si një mundësi më shumë për të përmirësuar jetën e shoqërisë shqiptare.

Natyrisht, afrimi i LSI në koalicion me Partinë Socialiste ngjalli debate dhe diskutime dhe ka shumë arsye që njerëzit të jenë skeptikë dhe ta kritikojnë. Por, kur flitet për të arritur një qëllim të madh, siç është realizimi i rrotacionit politik, mendoj se ai duhet të konsiderohet i vlefshëm.

Asnjë koalicion nuk do të mund të zgjidhej, që të ishte plotësisht i përshtatshëm. Çdo koalicioni do t’i mungonin shumë gjëra, që ne do të dëshironim t’i kishte.

Shumëkush tani, mund të bëjë këto pyetje: Po ata që do të vinë pas zgjedhjeve nuk janë të tillë? Nuk do të bëhen edhe ata të tillë? Pyetjet janë të drejta dhe ne që jemi djegur nga këto premtime jemi bërë mosbesues. Nuk ka vaksinë që do të na mbrojë nga këto mikrobe, ato do të synojnë të bëhen të tillë, pushteti korrupton, por korraca e tyre nuk do të jetë aq e trashë dhe për të do të ketë ilaç. Ata më lehtësisht do t’i largojmë, sepse eksperienca njëzet vjeçare është e mjaftueshme që ne të kemi mësuar, se këto mikrobe të pushtetit nuk duhet t’i mbajmë shumë gjatë në trupin tonë. Ata duhet t’i largojmë para se të bëhen virulentë e të pamjekueshëm.

Për mua, ka shumë rëndësi që opozita e bashkuar të kuptojë se njerëzit nuk duan fjalë të bukura.  Njerëzit do të përkrahin koalicionin që premton t’u japë zgjidhje për ato gjëra që ata i diskutojnë  me njëri-tjetrin, kur ulen të hanë drekë ose darkë, kur janë në kafe, ose në vendin e punës. Ata kërkojnë që anëtarët e koalicionit të majtë t’u thonë se vendi ka shumë halle dhe këto halle nuk zgjidhen me llafe dhe me një të rënë lapsit, por gradualisht dhe me punë. Njerëzit duan të dëgjojnë drejtues që përfshihen në probleme që kanë interes të përgjithshëm, siç janë rregullimi i sistemit  shëndetësor, forcimi i rendit, prona, punësimi, gjyqësori dhe ndëshkimi i krimit ekonomik. Njerëzit duan të dëgjojnë se qeveria nuk shet vendin dhe detin, po mbron dhe zhvillon pasuritë e të gjithëve.

Në qoftë se koalicioni i majtë, i unifikuar në mendime, do të bindë njerëzit se është i vendosur t’i zbatojë këto projekte e mundësi, ai do të fitojë përkrahjen e tyre. E parë nga ky këndvështrimi unë them se e majta e bashkuar është një mundësi dhe arsye më shumë për të siguruar rrotacionin.

Unë kam parë këto ditë shumë analistë, të majtë e djathtë, që rendin nga njëra studio televizive në tjetrën, duke u përpjekur ta quajnë këtë koalicion si moralisht të padrejtë. Duke dëgjuar argumentet e tyre kam vënë re se ata nuk i shqetëson morali i prishur i politikës, por e shohin problemin në raport me veten, në raport me atë çfarë ata humbasin me këtë koalicion. Ata ndjehen ngushtë se predikimet e tyre “profetike” lidhur me koalicionet nuk  realizuan.  Kjo duket një sjellje egotike e pajustifikuar, kur interesat e vendit e të popullit duhet të vihen mbi ato personale.

Për të gjithë këta të shqetësuar, të majtë e të djathtë, që kërkojnë të gjejnë moralin në çdo lëvizje politike, do të kujtoja se në historinë botërore dhe atë shqiptare, ka patur dhe do të ketë shumë ngjarje historike dhe bërje e prishje aleancash, të cilave askush nuk ua gjeti moralin. Afro njëqind vjet më parë, u bë një luftë e tmerrshme midis Francës dhe Gjermanisë. Pas dhjetë muaj luftimesh të tmerrshme dhe pasi u vranë e u gjymtuan një milion francezë dhe gjermanë, një ditë u arrit një marrëveshje armëpushimi.

Pse duhej kjo luftë dhe pse duhej ky armëpushim pas kaq shumë viktimave?. Askush nuk ka qenë i zoti të gjejë këtu moralin edhe pse janë shkruar volume të tëra.  Gjërat ndodhin!.

Share This Article
1 Comment
  • Me vjen keq qe per ironi te fatit keta te dy jane nga Skrapari, si Mustafa Nano dhe Meta. Cpo ndodh me keta Skrapalijte, keta spaskan turp fare, nuk paskan moral. Ndoshta rrenjet e ketij fenomeni jane te thella, ishin kryesisht skrapalijte te cilet per buken e gojes i zbriti Enveri ne Tirane dhe ne rrethe te tjera dhe ishin ata mbrojtesit, ushtaret me te zellshem te atij sistemi. Kjo u kondicionua nga kushtet ekonomike atehere, se ne mal po ngordhnin urie.I sherbyen atij qe i dha nje cope buke dhe nje pale rroba ushtarake.Nga sa kemi degjuar kjo krahine ne kohet e vjetra nuk shquhej per kulture e njeres te shkolluar si p.sh. Shkodra apo Elbasani te cilet qe atehere studionin jashte shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *