Ngjarja e Kamzës: Policët shikonin futboll, i dhanë cigare dhe çakmak të riut të shoqëruar 22 herë për dhunë ndaj nënës

redaktor

 

 

Kamza u trondit nga një ngjarje e rëndë një natë më parë që solli vdekjen e një personi e kur janë mbushur 24 orë prej saj, nuk ka ende zyrtarisht një autor. Ndërkohë që efektivët e policisë shikonin përballjen e Shqipërisë me Spanjën, dhomat e izolimit në Komisariatin nr. 5 u përfshinë nga zjarri, – raporton portali Dosja.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Rreth orës 18:00, Arben Mici 26-vjeç ishte rikthyer në qelitë e Komisariatit nr 5. Ai akuzohej për dhunë në familje dhe ishte në një dhomë me Dilaver Idrizin, 62-vjeçarin që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi hodhi bashkoëshorten e tij nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku jetonin.

Ishte ora 21:00 kur totalisht në shkelje të ligjit, Mici është lejuar të ndezë një cigare dhe të dalë në korridor. Në një moment, ai është kthyer në qelinë e izolimit dhe i ka vënë flakën dyshekut me çakmakun që iu la për të ndezur cigaren.

Më pas ka dalë që aty dhe me shpejtësi është futur në banjo me shpresën se efektivët do të hutohen nga zjarri e ai do të kishte mundësinë të arratisej. Por nuk ia doli dot. Dhomat e izolimit në komisariatin numër 5 janë në katin e nëndheshëm, bodrum e nuk kanë dritare. Dhomat e reja të izolimit janë ndërtuar por nuk janë vënë në funksion vetëm se mungonte një zgarë hekuri.

Për pasojë djegia e sfungjerit të dyshekut ka bërë që i gjithë kati të mbushet me tym dhe 26-vjeçari u bllokua në tualet ku dhe u gjet i vdekur si pasojë e asfiksisë. Dëme të mëdha ka pësuar edhe Dilaver Idrizi. Duke qenë se po shikonin ndeshjen, efektivët kanë ndërhyrë me vonesë. Konkretisht ka qenë inspektori Hajredin Boja ai që është futur në bodrume, por ka mbetur edhe vetë i plagosur.

Kush ishin të shoqëruarit?

26-vjeçari Arben Mici në vetëm dy muajt e fundit ishte shoqëruar mbi 22 herë në polici. Ai është denoncuar nga nëna e tij për dhunë, të cilën e rrihte vazhdimisht. Lajmin familja e tij e ka marrë vesh sot nga policia dhe kanë hapur dyert e mortit.

Konkretisht, i ati ka treguar përpara kamerave se ishte nisur t’i dërgonte rrobat në komisariat kur ishte informuar për ngjarjen.

62-vjeçari Dilaver Idrizi akuzohet për vrasje të mbetur të tentativë. Ai hodhi gruan e tij nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku dhe jetonin, por dëshmoi se ajo ra vetë, duke varur rrobat. Idrizi kërcënoi dhe të shoqen duke e bindur që të thoshte të njëjtën gjë para uniformave blu, por vajza e çiftit zbuloi të gjithë ngjarjen.

Efektivi Hajredin Boja dhe i paraburgosuri Dilaver Idrizi ndodhen në repartin e djegieve plastike në QSUT-të, në gjendje delikate por jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitë e tyre për ngjarjen, pritet të hedhin më tepër dritë mbi atë çfarë ka ndodhur brenda mureve të komisariatit nr.5.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektor policie, Fatmir Isufi e Hajredin Bojën që mbeti i plagosur. Gjithashtu ka nisur procedimi penal për dy inspektorët e tjerë, Lutfi Muça e Mark Marashi si dhe komisarin Ylli Çollaku. Akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos marrë masa në parandalimin e ngjarjes dhe mosdhënie ndihme.

Hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar zyrtarisht autorin mes dy të arrestuarve, pavarësisht se rrethanat të çojnë tek Mici, por dhe Idrizi nuk duket se ka qenë pa rol.

Nga ana tjetër, kjo ngjarje nxjerr në pah një tjetër problem, kushtet në dhomat e izolimit në komisariat që janë shumë të rënda. Këshilli i Europës ka ngritur shpesh alarmin për mbipopullimin e burgjeve në Shqipëti.

i.b. / dita

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *