Ngjarje jubilare plot pësime dhe mësime

Ornela

Dr. Jorgji KOTE

Të tilla janë ngjarjet jubilare që përkujtohen gjatë këtij viti, me jehonë të madhe politike, publike dhe diplomatike, brenda dhe jashtë vendit. Me apele kumbues, si momente/mundësi mendimi, reflektimi dhe veprimi. Le të ndalemi me aq sa e lejon vendi në 20  jubiletë kryesorë 2021.

Pas përkujtimit dhjetorin e kaluar të 30 vjetorit të themelimit të PD-së, më 12 qershor të njëjtin jubile do të kremtojë PS-ja. Me sukseset dhe dritëhijet e  veta,  dihet se ajo  ka përcaktuar dinamikat politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Në vitet ‘90 e më tej, u vu në ballë të mbrojtjes së demokracisë së brishtë nga sulmet dhe shtrembërimet e shumta, duke çmontuar të këqiat e qeverisjes së PD-së. Ndonëse dhe  vetë  ka jo pak deficite demokratike,  sidomos në luftën kundër korrupsionit, kriminalizimit, përshkallëzimit të azilit dhe deri te reforma tejet e vonuar e drejtësisë. Më 25 prill synon të fitojë mandatin e tretë rradhazi. Sfidë e madhe kur mendon se bashkë me “simotrën” portugeze dhe tani  me “Vetëvendosja” janë të vetmet parti të majta që qeverisin  pa koalicion në Europë!

Ca më tepër se 25 prilli i sivjetëm shoqërohet me 4 jubile zgjedhore plot pësime dhe mësime. Kështu, 31 marsi shënon 30 vjetorin  e zgjedhjeve të para pluraliste të cilat, bashkë me ato të 22 marsit 1992  mbeten të parat dhe të vetmet zgjedhje të lira e të drejta, falë konsensusit dhe bashkëpunimit të të gjitha forcave politike pa dallim. Fatkeqësisht,  zgjedhjet vazhdojnë të jenë “Thembra e Akilit” e demokracisë sonë.

Më e keqja  ndodhi më 26/28 maj 1996 që shënon 25 vjetorin e hidhur të farsës/masakrës zgjedhore që u dënua nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Në atë fillim qershori 1996 isha në Bruksel me një delegacion të ish opozitës së bashkuar, ku e ndjemë nga afër shqetësimin dhe indinjatën që ai maj i përgjakshëm kishte shkaktuar në institucionet dhe liderët e të djathës europiane, të cilët “kishin mbetur pa gojë”. Mirëpo, 5 vite më vonë ose 20 vjet më parë, në qershor  2001, ndodhi  fenomeni i shëmtuar i Dushkut që “polli” 10 deputetë në një zonë, si pasojë e trukeve dhe pelivanllëqeve zgjedhore të së majtës shqiptare të asaj kohe !

Dhe historia bezdisëse e sëmundjeve kronike zgjedhore, ndonëse në përmasa më të vogla ka vazhduar. Ndaj dhe zgjedhjet e 25 prillit na rrinë si “çekan te koka” dhe tani si kusht themelor për çeljen e negociatave me BE-në.

Duke kaluar në fushën e diplomacisë, ka 10 jubile të spikatur, të cilët fillojnë me SHBA-të. Më 15 mars është 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve  diplomatike, pas 52 vjet ndërprerje, sepse në fakt, ne u lidhëm dhe diplomatikisht me SHBA-të 100 vjet më parë, më 9 nëntor 1921. Ndërsa më 4 qershor është 30 vjetori i vizitës historike të ish Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë, e cila ngjalli plot shpresa dhe pritshmëri për demokracinë tonë të re.

Këto tri jubile simbolikë dëshmojnë për një histori të madhe suksesi midis dy popujve dhe vendeve tona, me shumë lajme, ngjarje dhe arritje spektakolare në të gjitha frontet. SHBA -të janë aleati ynë më i madh strategjik. Me të na lidhin parime, vlera dhe interesa gjeopolitikë dhe njerëzorë të njohura tashmë, duke përfshirë dhe mbështetjen e fuqishme amerikane për gjithë shqiptarët në trojet e tyre në të gjitha kohrat; në veçanti për çlirimin, shtet-formimin dhe  pavarësimin e Kosovës e në vazhdim. Spikat padyshim dhe roli i  komunitetit të imadh cilësor shqiptar i të gjithë brezave me përfaqësues dinjitozë që kanë bërë emër atje dhe në botë – Noli, Konica, Vëllezërit Belushi, Dragoti, Ermonela Jaho, Bebë Rexha, Ava Max e shumë emra të tjerë tingëllues nga fusha e politikës, ekonomisë, shkencës, teknologjisë, etj.

Me 4 jubile domethënës, Qershori për Shqipërinë është dhe muaji i Integrimit Euro-Atlantik; në javën e parë më 1991 u vendosën marrëdhëniet diplomatike me BE-në, që ashtu si SHBA-të, nga “armiqtë më të egër të socializmit dhe Shqipërisë” u bënë aleatët tanë më të mëdhenj strategjikë. Ky qershor shënon dhe 20 vjetorin e Samitit të Goteborgut, ku u miratua fillimi i bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, e cila u nënshkrua në Luksemburg më 12 qershor 2006, duke i çelur rrugën më vonë kërkesës zyrtare për antarësim. Fat i madh për lidhjet tona të pazëvendësueshme me BE-në, për të cilat është folur e shkruar shumë. Edhe pse, ëndrra e dhjetorit 1990 është ende larg realizimit. Thyejmë rekord dhe për kohëzgjatjen  e procesit integrues ; nëse “simotrat” tona  hynë në BE brenda më pak se 15 viteve pas kërkesës zyrtare, ne dhe 12 vjet pas dorzimit të saj dhe 7 vite si kandidat, nuk kemi çelur ende negociatat! Le të shpresojmë, madje fort për këtë Qershor !

Më tej, 22 qershori shënon 30 vjetorin e anqtarësimit tonë në OSBE, e cila luajti një rol përcaktues në mbështetjen e proceseve demokratike pas përmbysjes së rregjimit monist. Me një bilanc të kënaqshëm, madje vitin e kaluar e kryesuam OSBE-në për herë të parë; por, për fat të keq, e kemi çuditur dhe tronditur atë me paudhësitë tona të njohura konfliktuale, të cilat u përmendën dhe më lart, sidomos më 1997/1998.

Vijmë natyrshëm te antarësimi në shtator 1991 në FMN, Bankën Botërore dhe Bankën Europiane për Zhvillim, si fillimi i integrimit ndërkombëtar ekonomik e financiar që vijoi me BE-në, antarësimin në OBT, etj. Ndonëse teknik nga natyra, ai ishte tejet i rëndësishëm për krijimin e një perceptimi dhe imazhi pozitiv për vendin, besueshmërinë e tij te investitorët e huaj dhe garancitë përkatëse financiare.

50 vjet më parë, në javën e parë të muajit maj 1971, një ngjarje tjetër mjaft e rëndësishme tërhoqi vëmendjen e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare: vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, kur në pushtet ishte junta e kolonelëve. Një arritje diplomatike e gjetur dhe në kohën e duhur, kur gjeopolitika e asaj periudhe “ia kishte mbledhur fort lakun në fyt” të dya qeverive. Ndërsa më 26 Maj është 25 Vjetori i Traktatit dypalësh të  Bashkëpunimit dhe Miqësisë me të gjitha arritjet, përçapjet dhe vështirësitë e njohura. Ky 50 vjetor i gjen të dyja vendet  duke “qepur” dosjen e nxehtë të Detit Jon për në Gykatën Ndërkombëtare në Hagë. Padyshim që këto momente jubilare janë dhe mundësi të mira për të reflektuar me qetësi dhe pozitivitet  dhe mbi rrugën gjysmë shekullore e më tej midis dy vendeve tona fqinje dhe aleate. Por, përpara tyre, Greqia do të përkujtojë më 25 mars 200 vjetorin e Pavarësisë, për të cilën dhanë kontribut të shquar edhe kapedanët emblematikë shqiptarë, nga Marko Boçari me shokë.

Me shumë rëndësi për vendin tonë ishte vendosja më 29 maj 1991 e marrëdhënieve diplomatike me  Britaninë e Madhe. Aleat tjetër i madh dhe i  rëndësishëm Euro – Atlantik, me të cilin na lidhin ngjarje dhe personalitete të rëndësishme politike, ekonomike dhe njerëzore. Ndërsa më 19 gusht 1991 i lidhëm këto marrëdhënie dhe me  Izraelin. Njihet fakti emblematik se ne renditemi ndër vendet që mbrojtën dhe shpëtuan mes sakrificash të mëdha njerëzore mijra hebrej të strehuar gjatë Luftës së II Botërore.

Me rëndësi ishte dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në dhjetor 1991 me Federatën Ruse, vend shumë i madh, anëtar i KS të OKB-së, me të cilën u prishëm për koincidencë plot 60 vite më parë. Ka patur e ka hapa dhe demarshe, shkëmbime kulturore dhe njerëzore, por dhe sfida e pengesa jo të vogla, tashmë të njohura e të trajtuara.

Duke i kaluar kufijtë e vendit tonë, 11 shtatori shënon 20 vjetorin e sulmeve terroriste mbi kullat binjake në Nju Jork dhe në Pentagon; ato shënuan fillimin e  sulmeve tragjike të terrorizmit kudo dhe në Europë, në metropolet e tij kryesore dhe krijimin e Shtetit Islamik. Edhe pse në këtë përvjetor IS nuk ekziston më, terrorizmi mbetet kërcënues i përhershëm që ka ndryshuar përgjithmonë jetën njerëzore. Ndaj, më shumë se sa kujtesë, 11 shtatori është një kushtrim i fuqishëm për bashkim dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërkombëtar në këtë dhe drejtime të tjera, ku vendi ynë ka dhënë kontribut të vlerësuar.

Së fundi, por jo më pak i rëndësishmi, 60 vjet më parë, më 13 gusht 1961 filloi ndërtimi i Murit të Berlinit, simboli  më i egër dhe i shëmtuar i Luftës së Ftohtë. Ndonëse “jetoi” vetëm 28 vjet dhe ndryshe nga parashikimet e atëhershme për “fundin e historisë” ky përvjetor e gjen sërish botën me shumë gardhe, bunkerë dhe mure, madje më të gjatë e të lartë  që vazhdojnë të ngrihen kudo. Mure të çdo lloji – fizikë,  bërthamorë, mentaliteti, krahinorë, racorë, gjinorë, fetarë….. Ky 60 vjetor është rast i mirë për të forcuar bindjen  se siguria për të ardhmen e njerëzimit nuk qëndron te muret ndarës, por te urat bashkuese; sidomos përballë sfidave serioze globale – pandemitë,  klima, mjedisi, krimi, terrorizmi, krimi, etj.

Ja përse shpresojmë dhe urojmë që falë veprimtarive të institucioneve përkatëse, këto jubile të rëndësishëm të shërbejnë për të parë qoftë dhe virtualisht të kaluarën, si domosdoshmëri për të kuptuar të tashmen, për një të ardhme më të mirë, demokratike e të begatë.

 

Share This Article
2 Comments
  • Me te lumte Dr.Jorgji Kote ,per shkrimin *Ngjarie jubilare plot PESIME dhe MESIME*,qe do nenvizoja:thenien; …*Siguria per te rdhemen e njerzimit nuk qendron te *MURET NDRESE* po tek*urat bashkuese*…
    Miresite ju shoqerofshin Ju dhe Atdheun Tone. -GND-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *