Ngjyrat e Mirditës në tablotë e Pjetër Markut

Dita

Ali Hasani

Ftesës së piktorit Pjetër Marku për të marrë  pjesë në një ekspozitë   personale e promovimin e një “Albumi” me piktura e grafika, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, ju përgjigjëm me kënaqësi, meqenëse e kemi ndjekur hap pas hapi dhe jemi ndjerë mirë me rritjen e nivelit artistik të veprave të këtij piktori ndër vite.

Ka lindur më 1947 në Shëngjin të Mirditës, në një fshat shumë të bukur e kreativ, mes kreshtave të maleve dhe gjelbërimit gjithëvjetor, ku harlisen bimët barishtore, lulet shumë ngjyrëshe, shkurret dhe dushqet, pyjet me ah, pishë e bredh, që mbështjellin shpatullat e malit të Zepës dhe bjeshkët e Fanit. Në këtë mjedis natyrorë, plot dritë e ngjyra ylberi, u lind dhe u rrit piktori ynë. Këtu atij i kanë lindur ndjesitë e para si dhe është frymëzuar për të nisur rrugën e gjatë e të vështirë, në shkollimin dhe formimin e tij artistik.

Mësuesi i parë i tij ka qenë i vëllai, Marku që vizatonte shumë mirë, për të vazhduar më tej në shkollën pedagogjike të Peshkopisë. Por ajo që do ta “disiplinonte“ përfundimisht dhe do ta fuste atë në “hullinë” e artit, ka qenë konkurrimi, pranimi dhe vazhdimi i studimeve në Shkollën e Lartë të Arteve në Tiranë, çka i është dashur të punojë shumë fort, për shkak se pjesa më e madhe e shokëve të tij që konkurruan asokohe, kishin kryer liceun artistik.

Lajmi, se kishte fituar konkursin  në shkollën e lartë në Tiranë së bashku me 13 kandidatë të tjerë, e gëzoi pa masë. Këtu fillon edhe karriera e Pjetër Markut.

Viti 1968 shënoi për të kthesën në një rruge të gjatë e të vështirë, por në drejtimin e duhur, rrugën e  artit, të cilën e bëri në katër vjet me radhë, pa u lodhur e me përkushtim, si një piktor i mirë në shërbim të popullit të tij.

Ai flet me pasion për ndihmën që i kanë dhënë  dy pedagogët e tij të vitit të parë e të dytë, Thoma Thomai (Skulptor i Popullit)  dhe Niko Progri, që i kanë dhënë lëndën e vizatimit dhe pikturën, për të cilët ka konsideratën më të lartë. Madje e kanë ndihmuar dhe mbështetur në katër vitet e shkollës së lartë edhe pedagogët e talentuar të pikturës e skulpturës shqiptare, Sali Shijaku, Kujtim Buza, Andon Kuçali, Sali Shijaku, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmi, Niko Progri, Ksenofon Dilo, Ismail Lulani, Vilson Kilica, Edi Hila, Pandi Mele, Vasil Konomi, Maks Velo, Sokrat Mosko, Ilia Mazniku. Mirënjohje ka edhe për Kujtim Buzën, Muntaz Dhramin, Foto Stamon, Nexhi Bakallin, Skënder Kamberin, Nestor Jonuzin, Skënder Milorin, Kristaq Ramen etj. Por Pjetri ka mësuar edhe nga arti mesjetar, sidomos Onufri me të kuqen e tij të ndezur, apo Vangjush Mion, Kolë Idromenon etj.

Preferon shumë pikturën italiane, atë të Rilindjes, parapëlqen Rembrandin, Francisko Gojan, El Grekon, Van Gogun, Gogen, piktorët impresionist etj. Preferon pikturën ruse e veçanërisht Rjepinin, Surikovin, Shishkinin etj.

Studimet universitare Pjetëri i ka mbyllur duke mbrojtur diplomën me tablonë e titulluar “Vjeljet“, që sot e kësaj dite,  kur e shikon, vërtetë që të krijon emocion të  veçantë.

Pas mbarimit të shkollës së lartë ai ka punuar 14 vjet si mësues vizatimi në Kukës dhe brenda dy vitesh, më 1975, me themelimin e degës së lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të rrethit, ai është zgjedhur kryetar i asaj dege, të cilën e drejtoi me përkushtim të veçantë për 11 vjet.

Punën krijuese, të nisur më 1968, me fillimin e shkollës së lartë, Pjetri e ka vazhduar më tej ndër vite me një punë tepër serioze. Është për t’u evidentuar emri i tij, sepse në vazhdimësi ka marrë pjesë në disa ekspozita lokale e kombëtare, në të cilat ka paraqitur punime si portrete, peizazhe, grafika dhe kompozime.

Në krijimtarinë e tij  Pjetër Marku është dalluar si një piktor realist, impresionist e modern. Ai ka hapur vetë, ose është pjesëmarrës në disa ekspozita në qytetet Kukës, Tiranë, Lezhë, Mirditë, Laç, Rubik, Burrel, Peshkopi, B. Curri, Berat, Pogradec si edhe jashtë vendit,  në Pejë, Klinë, Suharekë, Gjilan, Prizren, në Ravena Itali (2004 dhe 2012), në Vatikan në galerinë “Pigna“ etj.

Por arritja më e  madhe e tij është hapja e ekspozitës personale me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, që u organizua në sallën e madhe të ekspozitave në Muzeun Kombëtar në Tiranë, 2017.

Në 50 vitet e  krijimtarisë së tij  artistike, ai mund te krenohet me  një inventar të pasur me 515 vepra, 410 prej të cilave janë piktura, ndërsa pjesa tjetër janë vizatime e grafika. Kuratorët e ekspozitës përzgjodhën me kujdes 75 punime në vaj të këtij autori, ku vendin kryesorë e zinin veprat me temë nga puna dhe lufta e shqiptarëve e veçanërisht njerëzit e vendet ku u lind, u rrit, apo ku ka punuar autori, pse jo edhe disa nga bukuritë e Mirditës, Kukësit, Dibrës apo viseve të Kosovës.

Na lanë mbresa të veçanta portretet njerëzore, të cilëve peneli i tij u ka falur jetë dhe emocion si “Mirditorja”, Ded Gjon Luli,“Malësori”, “Kosovari” apo peizazhet plot kolorit, ”Vendlindja“, “Lugina e Fanit“, “Shishtaveci“, “Pogradeci”, “Rugova”, si edhe natyrat e qeta pikturuar me penelata shumë-ngjyrëshe plot dritë e kontraste.

Në përurimin e kësaj ekspozite morën pjesë miq e shokë të Pjetër Markut, qytetarë, piktorë, skulptorë, krijues e personalitete të artit dhe kulturës nga i gjithë vendi. Përshëndetën, Artsiti i Merituar Kujtim Buza, Aleksander Ndoja dhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndue Deda.

Por “qershia mbi tortë” ishte promovimi i një albumi me piktura e grafika me 515 punimet, realizuar në 50 vitet e punës së tij si piktor, përgatitur nga SHB GER, nën kujdesin e zotit Gjon Jaku.

Tashmë vlerësojmë se Pjetër Marku është një emër i njohur i pikturës shqiptare me një profil të veçantë si portretist e peizazhist i frymëzuar nga natyra, etnosi dhe bota shpirtërore e njeriut duke realizuar me mjeshtri teknikën e vajit në pëlhurë.

Paleta e Pjetër Markut është e pasur me kolorit ngjyrash, si në peizazh edhe në portret, në to ka reflekse të kreshtave mirditore sipas stinëve, nga ajo blu në ngjyra shpërthyese, në portokalli, e kuqe, e blertë, çka veprës së tij i japin vlera të veçanta estetike e shumë moderne. Ai respekton gjithë elementët e formësimit kompozicional, perspektivën, planin, ritmin, dritëhijet, momentet emocionale si edhe teknikat shprehëse.

Origjinaliteti i krijimtarisë së tij figurative shprehet edhe përmes një stili plot muzikalitet, kolorit, tema, ide e karaktere që e bëjnë veprën e tij një ekzemplar me vlera të çmuara për artin kombëtar shqiptar, çka tregon se tashmë ai është në një rrugëtim serioz si një piktor modern.

Urime!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *