Goditja nga dielli sjell një sërë çrregullimesh në të gjithë organizmin, si rezultat i veprimit të rrezeve të forta të diellit në kokë, të cilat favorizohen jo vetëm nga temperaturat e larta të mjedisit, por edhe nga përdorimi i alkoolit, ngrënia e tepërt, veshjet e rënda dhe të ngushta. Ushqimi i tepërt pengon funksionimin normal të organeve jetësore, duke mos lejuar trupin që të balancojë temperaturën e brendshme me atë të ambientit. Prek me tepër personat që janë për një kohë të gjatë të ekspozuar në diellin e fortë. Gjithashtu të rrezikuar janë edhe të sëmurët kronike, veçanërisht personat me kardiopati, personat mbipeshë, të sëmurët nga veshkat, moshat pediatrike dhe të moshuarit.
Për të mbrojtur organizmin nga këto lloje komplikacionesh është e domosdoshme që të tregohet kujdes i veçantë nga këto grup-mosha për të evituar qëndrimet e gjata në diell, të mbrohen me kapelë, çadra, të vishen lehtë, të përdorin sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta gjatë ditëve me temperatura të larta. Simptomat më të dukshme të goditjes nga dielli manifestohen me rëndim në kokë, dhimbje koke të forta dhe marrje mendsh, dëmtime të cilat mund të mbartin pasoja të rënda në rast se nuk merret ndihma e shpejtë mjekësore. Një tjetër simptomë e dukshme është edhe etja e madhe, tharja e gojës dhe e lëkurës. Shfaqen të përziera, të vjella e diarre, lëkura skuqet shumë, sidomos në fytyrë, dobësi trupore, humbje ndjenjash, temperatura trupore arrin 41-42 gradë C, pulsi shpejtohet dhe dobësohet, si dhe ndërlikime të shumta të ritmit.
Kategoritë e riskut duhet të tregojnë kujdes maksimal që t’u shpëtojnë këtyre komplikacioneve. Rregullat e arta janë: “mos dilni në orët e nxehta, të vishen rroba të lehta, të pihen 2 litra ujë në ditë dhe të hahen sa më shumë fruta”. Njëkohësisht simptomat e të nxehtit të tepërt janë edhe ngërçet, edemat, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratim. I nxehti mund t’a komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga probleme të zemrës dhe insuficienca renale. Pre e këtyre shqetësimeve mund të bien edhe fëmijët. Ekspertët e shëndetit publik shtojnë se fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, për kockat dhe lëkurën.
Por, ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm, mund të ketë pasoja negative, të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë, fillimin e tumoreve, duke përfshirë melanomat. Pastaj duhet të mbahet mend që të mos ekspozohen fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj për t’i mbrojtur ata në të gjitha moshat me kapele me strehë të gjerë dhe t’u lagen flokët shpesh, të veshin syze dielli, me filtra të veçantë mbrojtëse, dhe të certifikuar me markën CE; të përshtaten produktet për fëmijët , kurrë mos të përdoren produkte me faktorët e mbrojtjes më pak se 20 ( preferohet që në javën e parë të ekspozimit në diell produktet rezistencë ndaj ujit dhe djersës duhet të jenë me faktor mbrojtës jo më të vogël se sa 50).
Goditja nga nxehtësia
Shënjat dhe simptomat
o Shpërqendrim
o Kllapi
o Të dridhura
o Marramendje
o Humbje e vetëdijes
o Konvulsione ose koma
o Temperatura e trupit arrin deri në 40 grade Celsius
o Lekurë e nxehtë, e thatë, ndonjeherë e skuqur, pulla-pulla e me ngjyre të kaltër.
o Puls i fuqishëm dhe i shpejtë
