Letër e nënshkruar
Përparim Shullazi, Krujë.
Sprova apo eksperimenti që nisi rreth dy dekada më parë me reformat në shkollat e mesme, veçanërisht për nxënësit maturantë, është krejt e padobishme. Sipas një opinioni të gjerë njerëzish, ku përfshihen edhe arsimtarë, nxënës e prindër të tyre, del se e ashtuquajtura Maturë Shtetërore nxit forma korruptive dhe abuzime në vlerësimet e maturantëve. Notat dhe pikaverazhi, në shumë raste janë fiktive dhe subjektive. Kopjet janë dukuria më negative.
Për t’i ardhur në ndihmë këtij korrupsioni, ngrihet në këmbë një armatë spekulantësh, duke nisur me gjetjen e specialistit që zgjidh tezën kundrejt një pagese nën dorë. Të tillë mund të jenë specialistë të zyrave arsimore ose mësues që bëjnë kurse private. Qendra e qytetit dhe vendi pranë shkollës ku bëhet testi është një zallamahi ankthi deri në mesditë. Administratorët, ndonëse nuk dinë të japin kopje, se caktohen mësues jashtë profile, presin e përcjellin kopjet që u vijnë nga jashtë edhe nëpërmjet punonjësve të policisë që gjoja ruajnë vendin e provimit. Pasojat negative të modelit të Maturës Shtetërore ndihen fort edhe në dy drejtime: Së pari, turbullohet psikolologjia e nxënësit të përparuar kur shohin që bashkënxënës të prapambetur në vite janë të barazvlerësuar me ta, ose kanë marrë notë më të lartë, duke përfituar pa merituar në universitet degë të preferuar ku kanë mbetur. Se dyti, zbehet dhe mënjanohet roli i shkollës, i cili është institucioni themeltar ku mësohet e vlerësohet nxënësi. Ftoj gazetën DITA të hapë një rubrikë mendimesh e debatesh për këtë çështje dhe i kërkoj MASH të rishikojë kthimin e provimeve të maturës tek shkollat përkatëse.
