Me rastin e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Tiranë, sot në “Hotel Tirana International”, këshilltarët e majtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës organizuan ekspozitën me fotografi të kryeqytetit të viteve të para të pavarësisë. Të pranishëm në takim ishin familje autoktone tiranase të cilat kanë bërë historinë e kryeqytetit. Ekspozita përbëhej nga mbi 40 fotografi dhe fjalën e rastin e mbajti kreu i këshilltarëve të opozitës në Këshill, z Aldrin Dalipi.
Më poshtë fjala e plotë e kreut të këshilltarëve të opozitës, Aldrin Dalipi:
26 Nëntori ditë historike për Tiranën e madhe, për Tiranën e fisnikërisë dhe bujarisë për Tiranën e pavarësimit dhe të flamurit. Gëzuar 100 vite të ngritjes së flamurit.
100 vite më parë në kushtet e rrethimit të egër nga forcat serbe të cilat po i afroheshin Krujës, Durrësit dhe Tiranës dy burra të mençur e fisnikë që nderuan historinë e këtij qyteti Refik dhe Hamit Toptani shkuan në emër të popullit të Tiranës te presin ne Durres burrin e shtetit arkitektin e pavarësimit Ismail Qemal Vlorës për tu bashkuar në një projekt që më pas do të shënonte ditën e lindjes së shtetit shqiptar.
Historia ndriçon veprën e Refik Toptanit i cili bëri të mundur të organizonte në 22 Nëntor 1912 udhëtimin historik për në Vlorë të gjithë delegatëve të Shqipërisë së mesme dhe vetë Ismail Qemalit ne kushtet e bllokimit dhe kërcënimit të gjithë mjeteve të atëhershme të transportit në Durrës nga përfaqësuesit e perandorisë osmane.
Me 25 Nëntor një ditë përpara çastit që do shënonte ngritjen e flamurit në qytetin tonë të përbashkët Tirana po kalonte momentet më dramatike historike të saj.
Historiani dhe njëkohësisht qytetar nderi i Tiranes prof. Kristo Frashëri shkruan se ato ditë të rënda te vitit 1912 historia e Tiranës zhvillohej jo me javë e as me ditë por me orë. Ushtritë serbe kishin arritur të shtinin në dorë Krujën dhe me padurim donin të shtinin në dorë edhe Tiranën.
Por patriotët e ndritur tiranas ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve si një shembull i jashtëzakonshëm i qëndresës dhe dëshirës për pavarësim e mëvetësi.
Anëtarët e këshillit të Tiranës u mblodhën menjëherë pa humbur kohë në 26 Nëntor të vitit 1912 për të shpallur vetëqeverisjen. Vendimin e madh dhe historik e shpalli publikisht Refik Toptani përpara popullit të Tiranës duke e mbyllur me fjalët; Rroftë Shqipëria në vehte, Rroftë flamuri kombëtar.
Shpallja e pavarësisë ju njoftua menjëherë kuvendit kombëtar të Vlorës dhe burrit të urtë e të mençur Ismail Qemalit me deklaraten e nënshkruar nga patriotët përfaqësues të popullit: Fuat Bej Toptani, Refik bej Toptani, Abdullah Gjinali, Xhelal Toptani, Myderiz Sulejmani, Sheh Ahmet Pazari, Jusuf Aqif Banka, Myderiz Hyseni, Myslym Beshiri, Selim Petrela, Papa Nikolla Papajani, Ismail Ndroqi dhe Nikolle Nishku.
Mirënjohje burrave që realizuan një akt i cili nderon qytetarët e djeshëm e të sotëm, të gjithë ata qe ky qytet i pret me bujarinë dhe fisnikërinë e qytetarëve themelues dhe familjeve trashëguese të emrave te mëdhenj të Tiranës.
26 Nëntori i 1912 i parapriu ngritjes se flamurit ne Vlore duke shënuar krijimin e shtetit amë. Ismail Qemali punoi ngushtësisht me dy delegatët dhe përfaqësuesit e popullit të Tiranës në qeverinë e parë me Abdi Toptanin ministër ne qeveri dhe në pleqësinë e shtetit shqiptar pranë qeverisë me Murat Toptanin.
Pra roli i Tiranës dhe burrave të mençur të saj që nderuan kombin në kushtet e rrethimit të egër serb është i jashtëzakonshëm dhe historik.
Shpallja e pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë përfaqësoi aspiratat shekullore të popullit shqiptar krijimin e shtetit të pavarur .
Tirana dhe qytetarët e saj janë krenar që paraardhësit e kësaj toke patën gjithë vullnetin dhe vendosmërinë për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për ti dhënë kombit ngritjen e flamurit si simbol të forcës së bashkimit, duke shmangur konfliktin mes vedit duke u ngritur mbi çdo përpjekje të errët për të ndriçuar rrugën e shtetit dhe flamurit.
26 Nëntori i bën pasardhësit dhe përfaqësuesit e familjeve të mëdha të jeni krenaria e këtij qyteti që sot është shembulli i bashkëjetesës, fisnikërisë, dëshirës për mirëkuptim, dhe progres. Një qytet që feston 100 vjetorin e pavarësisë i lartësuar nga shpresa se e ardhmja do të jetë më e mirë për të gjithë drejt nje rilindje per Shqipërinë.
Ne 28 Nentor shume qytetare te Tiranes do te udhetojne drejt Vlores sikurse patriotet 100 vite me pare per tu përulur me respekt perpara vepres se tyre.
Ekspozita e sotme është një shembull shumë i mirë i festës pasi janë mbi 40 foto përpara viteve 20 e deri rreth viteve 30 kartolina të ndryshme të përdoruara në atë periudhë ku një pjesë e të cilave publikohen për herë të parë. Kjo është një simbolikë e veçante pasi është një dhuratë e pasuri që do i ngelet arkivit historik të fotove të Tiranës në 100 vjetorin e ngritjes së flamurit.
Më lejoni të falënderoj me gjithë zemër familjen Rrel,i zotin Adem Rreli që iu përgjigj me shumë dëshirë idesë për të hapur këtë ekspozitë të rrallë dhe që përgatiti me dashuri e përkushtim fotot që do shihni.
Më lejoni gjithashtu të falënderoj në veçanti përfaqësuesit e familjeve të vjetra të Tiranës që na nderojnë në 100 vjetorin e flamurit me pjesëmarrjen e tyre: Familjet Këllezi, Nallbani, Gjashta, Reçi, Cenameri, Tafalla, Delesina, Lleshi, Brahja, Zajmi, Hida, Herri, Myzyri, Huta, Halebi, Pullazi, Rreli, Katroshi, Krutani, Vorpsi, Zelka, Dedej, Tafaj, Bulku, Agolli, Tabaku, Toska, Fyshku, Sallaku, Kusi, Sheqeri, Çela, etj përfaqësues të Tiranës.
Gëzuar festën e pavarësisë, gëzuar festen e flamurit, zoti bekoftë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë!