Gjatë inaugurimit të sallës së bibliotekës dhe dy sallave të konferencës në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, një përplasje e hapur është krijuar mes ministres Nikolla dhe zyrtarit turk, koordinator i agjencisë turke TIKA, në Tiranë. Nga auditorët e Universitetit të Tiranës, përfaqësues të ambasadës turke u kanë folur studentëve për organizatën terroriste të Fetullah Gylen.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e ka cilësuar të papranueshëm këtë komunikim në auditore, gjë të cilën ia shprehu edhe personalisht ambasadorit turk në tryezë. Po kështu ajo ka siguruar prindërit shqiptarë se në vend nuk ka shkolla jashtë kuadrit ligjor dhe standardeve mësimore.
Gjithçka nisi pasi Eyup Yavuz Umutlu, koordinator i TIKA në Tiranë, tha se:
“Ne na bie një barrë e madhe për të sqaruar në çdo detaj elementët e kësaj organizate terroriste. Ka të bëjë me çështjen tonë, sepse çështjen tonë direkte, sepse arsimi është një ndër fushat që kjo organizatë ka hedhur rrënjë. Arsimi është elementi kryesor në edukimin e njerëzve dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Por gjithashtu edhe organizata ‘Feto’ është e vetëdijshme për këtë. Ne mendojmë se nëpërmjet edukimit do të krijojmë breza me mendje dhe zemër të lirë. Ky është elementi i parë i zhvillimit. Ata kanë për synim të nxjerrin breza me mendje dhe zemra të manipuluara”.
Por kjo nuk i ka shpëtuar ministres Nikolla, e cila ka patur këtë argument: “Impresion i tij për një organizate që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Unë reagova me përfaqësuesin e qeverise turke, me ambasadorin. Unë dua të ndaj me prindërit, që nuk ka shkollë në Shqipëri që nuk ofron sistem arsimor me standardet që shteti shqiptar ka, dhe janë të garantuara nga pikëpamja ligjore dhe pikëpamjet e tjera të funksionalitetit. Mbetet një dëshirë e një individi, jashtë vendit dhe kohës, në një mjedis që nuk kishte lidhje me atë qe shprehu”, reagoi Nikolla.
