Kriza e barnave që ka mbërthyer pjesën dërrmuese të pavijoneve të kësaj qendre spitalore është një tjetër problematikë e cila kërkon një zgjidhje emergjente, në mënyrë që privati të mos përfitojë në kurriz të pacientëve shqiptarë. Ndonëse shumë prej tyre paguajnë sigurimet shëndetësore, spitali edhe pse e ka për detyre, në asnjë rast nuk disponon barnat që nevojiten për shërimin e tyre. Mungesë, e cila ndihet edhe për materialet mjekësore më bazike. Duke e pranuar këtë situatë paradoksale ministri Beqaj ka garantuar se tashmë ka nisur blerja e barnave për shumë shërbime. Ministri ka shtuar se do të vijojë me blerjen e tyre deri në përcaktimin e saktë të procedurave që do të përdoren për furnizimin e spitaleve me barna. Aktualisht kjo qendër spitalore ka një borxh të lartë të cilën duhet ta shlyejë. Ministri Beqaj, tha dje se pavarësisht borxheve të mëdha që ka kjo qendër spitalore, të cilat do të shlyhen, brenda pak kohësh do të sigurohet edhe zgjidhja e ngërçit për furnizimin e plotë të shërbimeve jo vetëm me barnat e materialet bazë. “Po punojmë intensivisht për të mundësuar furnizimin e domosdoshëm me barna në të gjitha shërbimet bazë të QSUT-së. QSUT është në gjendje të vështirë, ka borxhe 22 milionë USD. Ne kemi një plan për të shlyer detyrimet e QSUT-së”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
