Bashkia e Tiranës ka ngritur grupet e punës dhe që nesër pritet të nisë kontrollet në terren për të parandaluar çdo rritje abusive të çmimeve, dukuri e cila shfaqet kryesisht gjatë festave të fund vitit.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili dhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit kanë bërë publike sot, masat që do ndërmarrë Bashkia e Tiranës, në këtë fund viti.
“Kjo veprimtari do të shoqërohet me monitorimin e vazhdueshëm, sistematik, nga nesër e tutje, i tregjeve kryesore, siç është ai tek Qyteti i Nxënësve, tregut ushqimor dhe fruta-perimeve tek ish-uzina “Dinamo”, tregu tek Pazari i Ri, siç e njohim, lidhur jo vetëm me kontrollin e çmimeve por edhe me vendosjen e etiketës, me të gjitha elementet e saj dhe që kanë të bëjnë me origjinën e mallit, cilësinë etj, por në radhë të parë, një etiketë e cila ka brenda elementët e çmimit”, theksoi Vasili.
Ashtu si një vit më parë, Bashkia e Tiranës ka gati edhe projektin e ngritjes së një apo më shumë tregjeve, në zonat kryesore të Tiranës, në rast se do të vihen re abuzime me çmimet:
“Bashkia e Tiranës është e përgatitur dhe ka marrë të gjithë masat, që këtë vit, ashtu sikundër një vit më parë, ajo të ngrejë në një kohë shumë të shpejtë, në mënyrë të menjëhershme, në rast se do të konstatohet problematika e abuzimit dhe spekulimit me çmimet, edhe të një tregu provizor për artikujt ushqimorë dhe fruta-perimet, në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzueshme për qytetarët e Tiranës dhe të mos përballen me abuzivitete të panevojshme të cilat rëndojnë buxhetet familjare e ku në këtë pikë, Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë shumë e ndjeshme”
Në grupet e punës gjatë këtij viti do të jenë edhe përfaqësues të njësive bashkiake, të cilët kanë në varësi tregjet.