Zbresin në terren punimet për rehabilitimin dhe pyllëzimin e Shëtitores “Bregu i Drinit”, në Lezhë. Duke vënë në dukje rëndësinë e rikthimit të hapësirave të gjelbra, ministri i Mjedisit Lefter Koka ka deklaruar se gjelbërimi I kësaj shëtitoreje është pjesë e një sërë projektesh që kanë nisur tashmë në të gjitha rrethet e vendit për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Sipas Kokës, punimet e nisura dje do t’a shndërrojnë shëtitoren nga një zonë të degraduar në një ambient të pastër, të bukur dhe në shërbim të qytetarit”. Konkretisht projekti parashikon rehabilitimin e Drinit në të dy anët e tij, ndërtimin e shëtitores me një gjatësi 2 kilometra, vendosjen e stolave dhe të ndriçimit. Për gjelbërimin e Shëtitores do të mbillen, 1000 fidanë të llojit rrap dhe 2600 fidanë dekorativ me ngjyra të ndryshme. Realizimi I punimeve do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit, dhe kap një vlerë prej 300 milionë lekësh të vjetra. Punimet për rehabilitimin dhe gjelbërimin e kësaj shëtitoreje janë parashikuar që të mbyllen Brenda këtij viti. Projekti i Shëtitores së Bregut të Drinit, është i treti që ka nisur zbatimi brenda këtij muaji. Aktualisht kanë filluar punimet për Rehabilitimin dhe Pyllëzimin e Kodër Vila në Durrës dhe në Parkun Kombëtar Lurë. Javët e ardhshme do të nisin punimet rehabilituese edhe në katër zona të tjera të vendit.
