Nis regjistrimit, dorëzimi i kërkesës pranë konsullatave

redaktor

Aplikimi në procesin e para-regjistrimit është hapi i parë që duhet të ndjekin të gjithë maturantët, apo studentët që kërkojnë të vijojnë studimet e larta në një nga universitetet italiane gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. Dalja e udhëzimit për procedurat që do të ndiqen që nga regjistrimi fillestar, deri në marrjen e vizave studimore, i ka hapur udhë procesit të aplikimeve. Çdo kandidat i interesuar mund t’i drejtohet zyrës “Inas Albania”, për të marrë ndihmën e duhur në përgatitjen e dosjes së dokumenteve të kërkuara, regjistrimit online, si dhe përgatitjes së dosjes për vizën. Përfaqësuesi i kësaj zyre, Naim Balluku sqaron se e gjithë ndihma ofrohet pa asnjë lloj pagese. Balluku sqaron se interesi për këto procedura është tepër i lartë, çka është reflektuar edhe me numrin e lartë të kandidatëve të paraqitur ditën e djeshme për nisjen e këtyre procedurave. Në udhëzimin e nxjerrë nga Ambasada Italiane saktësohet se studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane duhet të dorëzojnë personalisht dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit pranë Ambasadës sipas datave të përcaktuara. Për të paraqitur dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të ambasadës. Më pas do të dërgohet përmes Postes Shqiptare, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim. Deri në fund të muajit gusht, Ambasada Italiane do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të përfundojë vlerësimi i dokumentacionit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve pasaportën me vizë dhe dokumentet e legalizuara. Në vijim të shkrimit, Balluku sqaron në mënyrë të detajuar se cilat janë tre fazat konkrete të aplikimit për vijimin e këtyre studimeve në degët e preferuar. “Zyra “Inas Albania”, jep të gjithë konsulencën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre, për të gjithë studentët që kanë interes. Të gjitha shërbimet tona janë falas, pa asnjë lloj pagese. Edhe mbas fitimit të së drejtës për studime në Itali, zyra ndihmon studentët shqiptarë, nëpërmjet strukturave që ka në të gjithë Italinë, deri në akomodimin e plotë të tyre”, deklaron Balluku.

Faza e parë: Paraqitja e kërkesës për para-regjistrimin

Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, së pari duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “prenoto online”, të kësaj faqeje internet, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Studentët duhet të paraqitën personalisht në datën e takimit me dokumentacionin përkatës ku përfshihen: “Formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur. Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë, duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare. Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/ “, sqaron Balluku. Dosja e dokumenteve duhet të ketë edhe formularin e autentikimit të fotografisë, Dëftesën e Pjekurisë dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose kopje e njëjtë me origjinalin). Studentët që nuk zotërojnë më dëftesën origjinale do të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjitha viteve bashkë, duke përfshirë dhe notat e Maturës. Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit ë shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën në verën e 2015-ës, duhet të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të formularit A1, me të cilin janë regjistruar online për provimet e maturës 2015. Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë Dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës studimore. Balluku sqaron më tej se studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si për shembull specializim ose kurs të shkurtuar, duhet të dorëzojnë përveç Dëftesës së Maturës Shtetërore, edhe diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin diplomën brenda verës së vitit 2015, duhet të dorëzojnë një vërtetim, me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës. “Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria e Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës”, shton Balluku. Gjithashtu në dosjen e dokumenteve nuk duhet të mungojë edhe fotokopja e certifikatës së gjuhës italiane të nivelit B2 të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (Celi), Universiteti për të Huajt i Siena-s (Cils), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri ose nga Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim (këta studentë do të pranohen me rezervë në para-regjistrim, procedura e lëshimit të vizës do të përfundojë me sukses nëse kalohet provimi). Të tjera dokumente janë fotokopja e pasaportës, 2 fotografi për dokument, si dhe modulin e regjistrimit me kod, të shkarkuar nga portali www.universitaly.it, i cili vërteton regjistrimin, ekskluzivisht për studentet që duan të marrin pjesë në provimet e pranimit për “Kurset me numër të mbyllur”.                                                        Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen: “Emri dhe mbiemri i studentit, universiteti, fakulteti,dega e studimit, numri i telefonit (celular dhe telefon fiks), adresa e postës elektronike (e-mail), zyra e Postës Shqiptare që mbulon zonën e banimit të studentit. Studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit”.

 

Faza e dytë: Dorëzimi i dokumentacionit për vizën

Në datat e mundshme nga fillimi i qershorit deri në datën 31 korrik 2015, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Postës Shqiptare dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë. Mjafton që të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës postare më të afërt. Në këtë fazë kërkohet që të dorëzohen Dëftesa e Pjekurisë me diplomën universitare dhe listën e notave dhe me programin e detajuar të studimeve në rastin e regjistrimit në master) origjinal ose kopjen e noterizuar, të apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer nga Instituti Italian i Kulturës, formularin për kërkesën e vizës me 2 fotografi të bashkëngjitura, deklaratën mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë, pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar, kopje faqes së pasaportës me të dhënat personale, deklaratë për vendbanimin në Itali.

Kushtet për strehimin

Në rast qëndrimi pranë një personi privat kandidatit i kërkohet të dorëzojë një deklaratë strehimi nga data e fillimit të vizës deri më 31.01.2016, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë (për shembull nëse është shtetas i huaj, lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit. Nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit). Në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare kërkohet deklaratë strehimi nga institucioni dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit. Në rast qëndrimi në hotel duhet prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj. Duhet dorëzuar edhe sigurimi shëndetësor për udhëtim. Një dokument mjaft i rëndësishëm është edhe vërtetim Bankar rreth 6000 euro sipas normativës përkatëse. Këto burime financiare duhet të jenë të përdorshme direkt nga studenti (llogari bankare personale) dhe nuk mund të provohen me garanci bankare nga të tjerë.

Faza e tretë: Dorëzimi i dokumenteve dhe pasaportës me vizë

Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për ndjekjen e studimeve. Lëshimi i vizës nuk nënkupton pranimin automatik në universitetin e përzgjedhur. Për t’u informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen direkt universiteteve. Për të arritur kthimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë postës një tarifë prej 200 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh për të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2015 dhe vizat për studim do të jenë të vlefshme nga data e fillimit të udhëtimit deri më datën 31 janar 2016. “Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Pukë, Mirditë, Has, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë.

 

Hapat konkrete përzgjedhjen e universitetit, ku duhet të aplikoni për studime?

Hapi i parë: Futuni te kjo adresë website: http://ëëë.studiare-in-italia.it/studentistranieri.

Hapi i dytë: Në anën e majtë të faqes, do të klikoni sipër aty ku shkruhet “nelle Universita italiane”.

Hapi i tretë: Pasi të klikoni aty do të hapet një faqe ku shkruhet “Universita” dhe poshtë kësaj fjale duhet të përzgjidhni universitetin e atij qyteti që keni menduar të ndiqni, për shembull Universita Politecnico di Bari dhe klikoni Invia.

Hapi i katërt. Do ju shfaqet një tabelë me disa kolona, ku përmenden në kolonën e parë: Facolta (këtu janë paraqitur të gjitha fakultetet që ofron ky universitet). Në kolonën e dytë: Classe delle laure (paraqiten disa shkronja si L=Laurea trienale (pra cikli bachelor 3-vjeçar nga fillimi i studimeve universitare), LM = Laurea Magistrale (a ciclo unico, cikli 5 vjeçar i pashkëputur në 3+2 ), LMG=(e sigurtë që është 5 vjeçare, pra 5 vjet rresht). Nëse jeni student që doni të filloni universitetin për herë të parë në ciklin 3 vjeçar fokusohuni tek shkronja L. Studentët që e kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar ose janë në përfundim të tij, duhet të fokusoheni te shkronja LM ose LMG. Në kolonën “Posti grevisti per studenti stranieri”, do vëreni një numër që tregon numrin e vendeve vakante që universiteti ofron për studentët e huaj. Por, duhet të keni kujdes, sepse në kolonën e fundit “Di Cui Dett”, do shikoni një lupë ngjyrë blu. Klikoni mbi lupën dhe do ju shfaqet një shpjegim. Shpjegimi ka të bëjë me numrin e përgjithshëm të vendeve vakante të rezervuara për studentët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *