Presioni i shtuar ushtarak mbi militantët e Shtetit Islamik në Siri e Irak, ka bërë që përgjatë 15 muajve të fundit, grupi i dhunshëm xhihadist të humbasë 22% të territorit të kontrolluar prej tij.
Është ky përfundimi në të cilin del grupi vëzhgues IHS Jane’s pas një analize të kujdesshme të situatës, e cila dëshmon po ashtu se militantët janë “gjithnjë e më të izoluar dhe se përceptimi për ta është në rënie”. Sipas kësaj analize, pjesa më e madhe e kësaj rrudhjeje të zonave të pushtuara nga ISIS, e llogaritur tek 8%, ka ndodhur që nga fillimi i këtij viti.
Verifikimet e tij, grupi i ka përqendruar kryesisht në Sirinë Veriore, në zonën mes Raqqasë së kthyer në kryeqytetin e të ashtequajturit Kalifat islamik dhe kufirit me Turqinë, ku sulmet ajrore ruse e ato të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara si dhe përpjekjet në terren të luftëtarëve kurdë e sunitë, i kanë zbrapsur militantët duke çliruar vendkalimet kryesore kufitare.
Shteti Islamik tani kontrollon një pjesë të vogël të territorit sirian ku mund të kontrabandojë furnizime dhe luftëtarë nga Turqia. Përfshirja e Rusisë në sulme me goditje ajrore krijoi polemika, pasi Perëndimi e akuzoi se sulmet e saj po shënjestronin rebelët anti-Assad. /H.M/Dita
