Seanca plenare e ndërprerë dy herë dje për shkak të deputetit Flamur Noka, ka nisur sot në orën 8:30 të mëngjesit.
Në këtë seancë pritet miratimi i ligjit për minoritetet, i cili më herët ka gjetur dakortësinë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë diskutimit në komisione.
Seanca e sotme nisi me një minutë heshtje për Dritan Priftin, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme pas një sëmundjeje të rëndë. Ndërkohë fjalën e ka marrë Shezai Rrokaj, fjala e të cilit u ndërpre dje nga Flamur Noka.
Debati në seancën e djeshme mes mazhorancës dhe opozitës nisi për procedurë, pasi kryetari i Kuvendit nuk i dha fjalën Flamur Nokës. Mbrëmjen e djeshme u mblodh edhe Byroja e Kuvendit, e cila me 5 vota pro dhe 3 kundër vendosi të përjashtojë nga punimet e Kuvendit demokratin Flamur Noka.
