Pasditen e sotme ka filluar në sallën e seancës plenare , sesioni i ri parlamentar. Ka qenë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ai që çeli edhe punimet e Kuvendit.
Kryeparlamentari Meta mbajti një fjalë hapëse për sesionin, duke theksuar se është një moment ku të gjithë shqiptarët duhet të ndjenjë krenari për shkak të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Meta e konsideroi si një nga figurat më të shquara dhe humaniste me shpirt të gjerë, duke shtuar se duhet të reflektohet dhe të përçohet mesazhi i saj.
“Hapja e këtij sesioni të ri parlamentar përkon me një moment kur të gjithë shqiptarët në mbarë globin kanë ndjerë krenarinë dhe frymëzimin e jashtëzakonshëm nga shenjtërimi i Nënë Terezës. Nënë Tereza është ngritur në piedestalin e figurave më të shquara, jo vetëm të kishës katolike por edhe të historisë së njerëzimit në tërësi”, tha Meta.
Kuvendi miratoi kalendarin e punimeve trejavore të tij pasi opozita ka abstenuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Në seancën e sotme, u betua deputetja më e re Dhurata Çupi e cila zëvendësoi në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, Sherefedin Shehun. Ky i fundit kandidon si kryebashkiak për zgjedhjet lokale në Dibër.
Me futjen e Çupit në Kuvend, shkon në 32 numri i femrave deputete.
