Presidenti Nishani ka dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes botuesin, kritikun dhe gazetarin e njohur franko-zviceran, Pierre-Marcel Favre. Në ceremoninë e mbajtur në presidencë, kreu i shtetit i ka dorëzuar Favre medaljen me motivacionin “Për kontributin e tij në botimin e librave historikë e politikë në gjuhën frënge, duke mundësuar njohjen në plan ndërkombëtar të realitetit shqiptar nën regjimin e diktaturës komuniste”.
Botimet “Favre” ka përcjellë për lexuesin frankofon në Zvicër, Francë, Belgjikë e Kanada disa nga veprat e shkrimtarit Fahri Balliu, si “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha, “Panteoni i zi” dhe “Arkitekti u dekorua”. Gjatë falenderimit të tij, Favre është ndalur te ngjashmëritë mes vendit të tij të lindjes dhe Shqipërisë. “Të dyja shtetet kanë luftuar fort për pavarësinë e tyre, Shqipëria e Zvicra janë të dyja kështjella të vërteta. Zvicra është plot bunkerë të gërmuar në male. Shqipëria e mbushur me dhjetëra e mijëra bunkerë betoni. Edhe pse kjo është bërë në kohën e regjimit të Enver Hoxhës është e diskutueshme, përsëri tregon një përcaktim të ashpër ndaj armikut e pushtuesve. Diasporat zvicerane dhe shqiptare janë të rëndësishme. Ne gjithashtu kemi pasur shqiponja në Alpet Zvicerane. Dhe madje edhe flamujt tanë të dy kanë një ngjyrë të kuqe! Me pak fjalë, ne jemi paksa të afërt”.
Favre drejton shtëpinë botuese me emrin e tij në Zvicër.Në vitin 1987, Pierre-Marcel Favre krijoi Panairin e Parë Ndërkombëtar të Librit dhe Shtypit në Gjenevë, të cilin e drejton prej 25 vjetësh. Ai është dekoruar me urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit” si dhe “Oficer i Legjionit të Nderit”.