Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, SHBA, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Dekorata që Kreu i Shtetit ia dorëzoi At’ Artur Liolinit, jepet me motivacionin “Vatër e rëndësishme historike e ruajtjes së trashëgimisë dhe traditës kombëtare shqiptare. Luftëtare konsekuente për Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe konsolidimin e sovranitetit të tyre dhe rritjes së profilit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh se historia shqiptare e qindvjeçarit të fundit është e lidhur ngushtë me diasporën shqiptare në SHBA, që nga ana e saj nuk mund të kuptohet pa Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, në Boston, e cila që prej themelimit nga Kryepeshkopi, patrioti i shquar dhe mendimtari i madh Fan Noli, në mars të vitit 1908, deri më sot, nën drejtimin e At’ Artur Liolinit, ka qenë mbështetëse e rëndësishme për çështjen shqiptare dhe e pranishme në momentet kulmore të saj.
