Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani ishte i ftuari i nderit në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D. C.
Fillimisht kreu i shtetit shqiptar u prit nga Gjenerali Major Frederick Padilla, Presidenti i UKM (NDU) si dhe nga udhëheqësit e tjerë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit e mendimit strategjik dhe përgatitjes ushtarake, me të cilët zhvilloi një takim duke shkëmbyer mendime dhe ide.

Më pas Presidenti Nishani nënshkroi Librin e Miqve dhe u prezantua në Sallën Lincoln për të mbajtur ligjëratën e tij me temë: “Integrimi i Shqipërisë në NATO: Një ndër dy arritjet me rëndësi gjeostrategjike në historinë kombëtare që shërben si faktor kontribuues vendimtar për paqen, stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.
Presidenti u shpreh i nderuar që i drejtohej këtij institucioni avangardë të mendimit strategjik dhe me kontribute të spikatura në çështjet e sigurisë në SHBA, NATO-s dhe në nivel global.
“Kjo është hera e parë që vizitoj Universitetin e Mbrojtjes së SHBA. Por, ky institucion është mjaft i njohur në vendin tim, pasi me 100-ndra ushtarakë dhe civilë kanë përfunduar kurse të ndryshme në sistemin e edukimit të SHBA, përfshi edhe në NDU. Shumë prej tyre kanë drejtuar ose janë duke ushtruar funksione dhe përgjegjësi të larta jo vetëm në sistemin e sigurisë kombëtare, por dhe në fusha të tjera si ato të politikës, ekonomisë, legjislativit, qeverisjes vendorë, apo në drejtimin e negociatave dhe proceseve të integrimit të vendit tim. Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj posaçërisht ju dhe stafin tuaj zoti Gjeneral, që më krijuat mundësinë të ndaj me këtë audiencë mjaft të ndriçuar disa këndvështrime dhe qëndrime për tematikën e pasqyruar në ekran”, u shpreh në fjalën e tij Presidenti.
