Nishani: Marrëveshja me SHBA, jetike për paqen në rajon

Dita

Presidenti Bujar Nishani përshëndeti nënshkrimin në Uashington të Deklaratës së Përbashkët për Partneritet Strategjik mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e konsideron atë një dokument shumë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, intensifikimin e dialogut politik në të gjitha çështjet me interes strategjik si dhe një instrument inkurajues për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nishani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite për vendosjen e përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për realizimin e aspiratës sonë evropiane si dhe për forcimin e rolit konstruktiv dhe stabilizues që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të ketë në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i Shtetit vlerëson gjithashtu se Shqipëria dhe SHBA, si dy vende aleate në NATO, pas nënshkrimit të këtij dokumenti do të rrisin e forcojnë më shumë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si në nivel dypalësh e rajonal, ashtu edhe në nivel global. Me mbështetjen e vazhdueshme dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë misionet e ardhshme të NATO-s dhe të jetë kontribuese aktive për sigurinë globale.

Presidenti fton të gjithë institucionet shtetërore që në zbërthim të Planit të Zbatimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik me SHBA-të të bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin e tij të plotë dhe energjik në dobi të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe të forcimit të sigurisë rajonale e globale.

 

Share This Article
1 Comment
  • Po për publikun do ta bëni të njohur çfarë përmban ky “Plani për zbatimin e deklaratës së Partneritetit Strategjik me ShBA”? Nuk duhet lajmi por plani për opinionin publik dhe për Sovranin! Tung!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *