Presidenti Nishani ka dekoruar dje me Medaljen e Mirënjohjes disa autorë të veprave studimore dhe artistike kushtuar 100- vjetorit të pavarësisë.
Presidenti Nishani nderoi autorë librash e botimesh historike, si dhe artistë të cilët kanë realizuar disa vepra me rastin e përvjetorit të pavarësisë së vendit, mes të cilëve edhe gazetarin e “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, për librin e tij kushtuar udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, Artan Lamen për ekspozitën shëtitëse të flamujve, Blendi Fevziun për librin “100 vjet” , Gëzim Hidrin, Kai Roman Kiklasin, Moikom Zeqon, Ndriçim Kullën, Romeo Gurakuqin, Visar Obrijan, Xhevahir Lleshin dhe Zeni Ballazhin.
Kreu i shtetit deklaroi se me veprat e tyre këta autorë “hapën një rrugë dhe nxitën në radhë të parë studiuesit, krijuesit, artistët, historianët të fillojnë të mendojnë më shumë për historinë e Shqipërisë, për të evidentuar më shumë vlerat e kësaj historie si dhe për t’u ofruar një informacion real, transparent, qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi”.