Nishani në OKB: Shqipëria e angazhuar në luftën ndaj terrorizmit

Elton Tafaruci

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu drejtua me një fjalë sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kreu i shtetit vuri fillimisht theksin tek përpjekjet e Shqipërisë për t’iu përshtatur sfidave të sotme të mbrojtjes së klimës, forcimit të paqes dhe sigurisë, si dhe për përmirësimin të të drejtave të njeriut.

Sfidë kryesore sipas Nishanit mbetet sot lufta ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa nënvizoi bashkëjetesën fetare në vend.

Bujar Nishani, President i Republikës: Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare. Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të tgjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë.

Presidenti shqiptar tha se Shqipëria mbetet e angazhuar në integrimin evropian duke e konsideruar BE-në një nxitës të pazëvendësueshëm për reformat duke veçuar reformën në drejtësi.

Bujar Nishani, President i Republikës: Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara. Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas BREXIT, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën.

Një tjetër pikë e fjalës së Presidentit Nishani para asamblesë së përgjithshme të OKB-së ishte rajoni i Ballkanit dhe Kosova.
Presidenti shprehu mbështetje për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit ndërsa bëri apel që të tjera vende të OKB-së ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *