Nishani në SHBA: Na duhet të luftojmë korrupsionin

Elton Tafaruci

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përshëndeti Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare në tubimin që u zhvillua në Manhatan të “Rrjetit të bizneseve të Diasporës Shqiptare”.

Presidenti Nishani në fjalen e tij iu drejtuar të pranishmëve të shumtë mes të cilëve ishin së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Asambleisti i Shtetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, Kongresmenët Eliot Engel, John Ratcliffe dhe David Jolly, ish-Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, ministrja shqiptare e Ekonomisë, Milva Ikonomi, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Presidenti i RRGBDSH Nazir Mehmeti, Lazim Destani, etj.

Presidenti Nishani u shpreh se “Komuniteti i biznesit përfaqëson komunitetin më të fuqishëm në një vend të lirë dhe demokratik. Ai përfaqëson lidershipin e vërtetë në një vend të pjekur. E kaluara në Shqipëri qe vërtet e vështirë për të zhilluar biznesin, por edhe në Kosovë e tillë qe për shkak të pushtimit. Ndaj edhe për gjithë arritjet e deri më tanishme të shënuara në Kosovë dhe Shqipëri, ju jemi mirënjohës dhe shoqëritë tona ju janë mirënjohëse!” .

“Na duhet të luftojmë korrupsionin dhe kjo kërkon dhe arrihet me vullnet të fortë. Por, duhet të mësojmë shumë edhe nga përvoja juaj e vyer. Idetë tuaja, sukseset që keni arritur, frymëzojnë dhe promovojnë histori suksesi.” – u shpreh Presidenti Nishani, duke shtuar se, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë dhe ofrojnë shumë mundësi për zhvillim, duke përbërë edhe një shans për gjithë rajonin tonë.

Gjithashtu, Presidenti Nishani vuri në dukje se sfida më e madhe është ekonomia dhe nëse kemi vullnet të fortë, burime njerëzore, duke investuar në kapacitetet dhe burimet cilësore njerëzore e duke i kombinuar me përvojat dhe praktikat më të mira, mund t’ia dalim mbanë. “Ne besojmë tek idetë tuaja si biznesmenë dhe mund të arrijmë sukses duke i vënë në përdorim ato ide, duke rritur aftësitë manaxhuese, duke arsimuar brezat e rinj si dhe duke kombinuar praktikat dhe  përvojat më të mira me idetë e frytshme”, tha Nishani.

Share This Article
1 Comment
  • Filozofi,kapterri Nishanli nuk thote do luftojme korrupsionin.Po na duhet ta luftojme.Kjo “Na duhet” asht hipokrizia e tije ne logjiken politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *