Presidenti Nishani uron Papën e ri për zgjedhjen në krye të kishës katolike. Përmes një mesazhi urimi, Nishani i uron papa Françeskut të parë suksese në përmbushjen e misionit të shenjtë papnor dhe e fton për një vizitë në Shqipëri. Në mesazhin dërguar papës shkruhet:
“Shenjtëria Juaj,
Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe gëzimin e veçantë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Papa Franciscus I dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit Tuaj të shenjtë Papnor!
Unë pres me padurim për të vazhduar bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes dhe mirëkuptimit, në bashkësinë katolike dhe në të gjithë popujt, në rajonin tonë dhe më gjerë!
Duke Ju përcjellë dëshirën time dhe të popullit shqiptar për t’Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, Ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, thuhet në urimin e presidentit Nishani.