Presidenti Nishani ka mbledhur sot gazetarët e të gjitha mediave në pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit. Në pritjen e mbajtur në Presidencë kanë marrë pjesë deputetë të Komisionit parlamentar të Medias, drejtues të mediave, kryeredaktorë, gazetarë, analistë, komentues, folës, kameramanë, fotografë, zëdhënës institucionesh etj. Në fjalën e tij, Nishani u shprehu gazetarëve mirënjohjen institucionale për kontributin e madh të dhënë nga mediat gjatë vitit, duke i vlerësuar si kontribuues të përparimit.
“E them me bindjen e madhe dhe besimin e plotë, që përcjell edhe perceptimin e çdo qytetari të këtij vendi, që keni qenë dhe ju kontribuues kryesorë të përparimit, të maturimit dhe të zhvillimit, të kulturës së gjithë shoqërisë sonë, duke vendosur edhe një gur tjetër në ecjen përpara të shoqërisë sonë, e cila e ka të nevojshme si çdo shoqëri tjetër në botë bashkëpunimin, praninë, kontributin e medias dhe njerëzve të medias si dhe të atyre që e përkrahin median. Por, kuptohet që shoqëria jonë ka nevojë akoma më shumë, pasi, duke qenë një demokraci e re, duke qenë një vend, i cili institucionet i konsolidon çdo ditë e më shumë, ky shërbim, dhe me besim të madh e them shërbim, i cili gjykoj që është pak më shumë se sa kontribut, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm”, tha presidenti Nishani.
Kreu i shtetit i inkurajoi përfaqësuesit e medias që të jenë gjithmonë e më shumë aktivë, gjithmonë e më shumë kritikë, gjithmonë e më shumë të orientuar nga analiza e komentet e të gjithë fushave, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë në nivelin që meriton të ketë një shoqëri ambicioze për të ardhmen e saj dinamike në jetën shoqërore, politike, sociale, kulturore të vendit.
“Prandaj, do të desha të jem pjesë e të gjithë asaj armate të madhe të qytetarëve të shoqërisë sonë, që ju inkurajon, ju mbështet, ju nxit dhe ju vlerëson në misionin tuaj, në radhë të parë, por edhe në punën tuaj të përditshme, e cila padyshim, si çdo fushë tjetër ka sfida të shumta, sfida të mëdha!”, theksoi Presidenti i Republikës.